Për dhunën në veri të vendit, kryeministri i Kosovës ka fajësuar “turmat fashiste” të kontrolluara nga qeveria e Serbisë fqinje. Albin Kurti tha se ai kishte refuzuar një kërkesë të SHBA-së për të zhvendosur kryetarët e komunave të zgjedhur së fundmi nga zyrat e tyre zyrtare.

Më shumë se 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet e së hënës, duke bërë që Aleanca të njoftojë se do të dërgojë 700 trupa të tjera në vend. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e vendosi ushtrinë e vendit të tij në gatishmëri të lartë luftarake.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR tha se paqeruajtësit italianë dhe hungarezë u përballën me “sulme të paprovokuara duke pësuar plagë dhe trauma me thyerje dhe djegie për shkak të shpërthimit të mjeteve ndezëse”.

“Dje ishte shumë e rëndë situata dhe ishim shumë me fat që nuk pati humbje jetësh”, – tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes telefonit nga Prishtina këtë të martë për “The Guardian”. Ai tha se “disa” paqeruajtës të NATO-s ishin ende në spital. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka quajtur sulmet “të papranueshme dhe të papërgjegjshme”.

Dhuna erdhi pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonat me shumicë serbe të Kosovës veriore, pas zgjedhjeve në prill të cilat serbët i bojkotuan. Kurti fajësoi Beogradin për orkestrimin e bojkotit, i cili çoi në një pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët.

Lexo po ashtu:  Analisti serb: Rusia përmes Serbisë dëshiron konflikt të përgjakshëm në Ballkan, Kosovën e sheh vend ideal për këtë

Shumica e serbëve të zonës nuk e kanë pranuar kurrë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga Serbia dhe e konsiderojnë Beogradin kryeqytetin e tyre edhe më shumë se dy dekada pas kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit represiv serb.

Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë në Kosovë, por serbët e veriut kanë kërkuar prej kohësh zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE të vitit 2013 për krijimin e një Asociacioni të komunave autonome në zonën e tyre.

Dhuna është dënuar gjerësisht, por edhe aleatët perëndimorë të Kosovës kanë kritikuar ashpër qeverinë në Prishtinë për vendimin për emërimin e kryetarëve të komunave.

Të premten, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken bëri një qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj një aleati të SHBA-së, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë duke rritur “tensionet në mënyrë të panevojshme”.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” të Vuçiçit.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”, – tha Kurti, duke folur për “The Guardian” në telefon nga Prishtina. “Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme.”

Lexo po ashtu:  Vuçiq : Kam marr këshilla të mençura për Kosovën!

Që atëherë, Kurti tha se kishte folur me Gabriel Escobar, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin.

Ai tha se Escobar kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t’i bënin ata të punonin nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetarë komunash me Zoom. Ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste” – tha Kurti.

Në shenjë se sa shumë i kanë dëmtuar ngjarjet e fundit marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i tha Financial Times të martën se SHBA do të anulojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Kosovën dhe do të pezullojë takimet diplomatike.

“Do të habitesha nëse, në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të vizitonin SHBA-në,” – tha Hovenier.
Kurti këmbëngul se kryetarët e rinj do të vazhdojnë të punojnë nga zyrat komunale.

“Këta janë kryetarë administrativë, teknikë që janë të domosdoshëm për funksionimin normal të komunave… Unë e pranoj se legjitimiteti politik i këtyre kryetarëve është i ulët, por legjitimiteti i të tjerëve është zero”, – tha ai.

Lexo po ashtu:  Gëzimet e Bajramit, ndjenjat dhe meditimet

Kosova është mbështetur fuqishëm nga perëndimi, por mosnjohja nga Rusia, Kina dhe madje 5 nga 27 vendet e BE-së ka bërë që ajo të mos jetë në gjendje të zërë një vend në OKB ose në shumicën e organizatave të tjera ndërkombëtare.

Një marrëveshje e nënshkruar në fillim të këtij viti, e ndërmjetësuar nga BE-ja, parashikonte që Kosova t’u jepte të drejta komunave serbe në veri dhe Beogradi të pajtohej për pranimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por dhuna e fundit tregon se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të zbatuar marrëveshjen.

Të martën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në një konferencë për shtyp në Oslo se aleanca do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë.

“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga forca rezervë operative për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme” – tha ai. ©Marrë nga The Guardian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *