Edi Ramës i duhet thënë faleminderit që po e mbyll Ballkanin te hapur me të njëjtën përunjësi që përshëndesim ata që na kanë bërë një gjë të mirë, ndonëse na kanë gënjyer shumë gjatë. Tek ky vendim i kryeministrit, mbi të gjitha, ka rëndësi të vlerësosh aktin, pa u marrë me fjalët.

Andi Bushati

Asnjë nga argumentat e tij për arsyet se përse kësaj nisme i erdhi fundi, nuk ka peshë. As ajo se e kishte arritur qëllimin dhe as tjetra se samiti i procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë. Po të merremi me ato që janë thënë, Edi do krahasohej sot me atë personazhin famoz të Tiranës së dikurshme, që i shiti një derdimeni kullën e sahatit.

Që kur kjo ide filloi si mini Shengen, me gjenezë në Beograd dhe e mbështetur fort nga Alex Soros, Rama u bë zëdhënësi kryesor i saj. Jo më kot presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që sot me sa duket ndihet i braktisur, e përgëzonte publikisht Ramën se, “pa vendosëmërinë dhe këmbënguljen e tij“ Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur”. Kryeministri ynë u përlesh pothuajse me të gjithë faktorët shqiptarë, përfshirë edhe opozitën vendase, për ta shpënë përpara Open Balkan.

Lexo po ashtu:  Nuk iki nga Shqipëria, se s’kam ku të shkoj dhe nuk ma mban t’ia nis nga larja e pjatave tani!

Ndërsa në arenën ndërkombëtare ai u bë propogandisti dhe zësdhënësi i tij. Tashmë janë të arkivuara qëndrimet që ka mbajtur. Në samitin e Bërdos në Slloveni, mes BE dhe vendeve të rajonit, në tetor 2021, ai e fshikulloi ashpër komunitetin e 27-shes dhe i kërkoi atyre një pazar: ‘nëse nuk na fusin në familjen tuaj, së paku mos na pengoni për Open Balkan”.

Disa muaj më pas, në krah të dy partnerëve të tij maqedonë dhe serbë ai kërcënoi se do e bojkotonte samitin e përbashkët me BE-në duke ngritur pyetjen: “Çfarë të bëjmë atje”? Por, ama kur më në fund shkuan “atje”, Rama gati i kërcënoi vendet evropiane:“Nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet, mbështesni Ballkanin e hapur”. Ai përmendi në fajalimin e tij përpara liderve evropianë terma si luftë, konflikt, gjakderdhje ndërkohë që po në atë date, në 24 qershor 2022, Vuçiç i thoshte të njëjtit auditor: “ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina”, duke dhënë si alternativë Open Balkan.

Me artikulim më të mirë se homologu i tij serb dhe me diferencë nga një kuadrovit timid si Kovaçevski, Rama mori përsipër rolin e lobuesit. Ai filloi ti kërkonte llogari BE-së, për moshapjen e negociatave, veton Bullgare, mosliberalizimin e vizave për Kosovën duke u bërë presion se Ballkani i Hapur do qe një hapsirë e vogël lire, në mungesë të pranimit në hapsirën e madhe.

Lexo po ashtu:  Përse duhet të krenohemi dhe përse duhet të turpërohemi në 110 vjet shtet shqiptar

Këtë rol zëdhënësi të treshes serbo-shqiptaro-maqedone ai e luajti edhe përballë Albin Kurtit. Kur ky i fundit shkroi një letër se përse kjo nismë qe e keqe për Kosovën, kryeministri ynë iu përgjigj nga Ohri: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”.

Kjo kronologji e çasteve dhe thënieve kulminante është e mjaftë, për të treguar se ka shumë hipokrizi dhe gënjeshtër në piruetat që Rama bën sot për kyçjen e Ballkanit të hapur.
Por gjithësesi, sado të rënda të jenë këto pirueta, inkoherente për një politikan që mori dhe “mbështetje popullore” në konsultimin kombëtar, për atë që e konsideronte si interes strategjik të shqiptarëve, vazhdimi në këtë aventurë do të kishte qenë shumëfish më i dëmshëm sesa mashtrimet kalimtare.

Normalizimi i Serbisë si një ish agresor, tashmë paqësor, izolimi ekonomik i Kosovës dhe nënshtrimi i ekonomive të rajonit ndaj vendit me ekonomi më të fortë, do të shkaktonin trauma aftagjata.
Prandaj qoftë edhe si pazarxhi hipokrit, Edi Rama duhet falenderuar. Pak rëndësi ka se cili është qëllimi i vërtetë që ai nuk e thotë. Pak rëndësi ka nëse po këmbën kostumin e liderit rajonal që mbante së bashku me Vuçiçin, me atë të “mediatorit Ballkanik”, mes Prishtinës dhe Beogradit. Pak rëndësi ka nëse po eksperimenton një fabul të re, atë të asnjëanësit, pasi u bë mbështetës i zgjidhjeve me ndarje dhe me mure e pastaj pa kufij e pa mure. Pak rënsdësi ka nëse të gjitha këto i bën, për të korrur famë në tavolinën e të mëdhenjve, ku vendi i tij i vogël i’a pamundëson të ulet.

Lexo po ashtu:  Pse mësuesit nuk mund të kenë një jetë "normale" ?

Këto janë qëllimet apo deliret e tij. Por nëse këtë herë ato e çuan drejt një rruge që i bën më pak dëm shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, duhet pranuar se ky është një lajm i mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *