Lupë mbi Kosovën dhe dylbi mbi Serbinë

Shkruan Lutfi Dervishi

Miroslav Lajçak, prej tre vitesh i dërguari i BE-së për procesin e normalizimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e ka mbushur kupën dhe duhet ta pijë që të mos derdhet.

E ka mbushur kupën jo aq me të shkuarën e tij:

  • vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën (nuk dihet nëse dhe kur do ta njohë),
  • ka qenë ministër i jashtëm i Sllovakisë duke i dhënë porosi trupit diplomatik sllovak që të thoshte kudo se nuk e njohim Kosovën,
  • ka miqësi të konsoliduar në Serbi.

Lajçaku e ka mbushur kupën me qëndrimet e njëanshme në dialog që rrezikojnë paqen në rajon. Kur ai mori detyrën, tri vite më parë, mes Kosovës dhe Serbisë flitej për normalizim. Sot kemi mbërritur në pikën që flitet për “ulje të tensioneve”.

Nga një ndërmjetësues që duhet të dëgjojë dy palët, duhet të kujdeset për qasje gjithpërfshirëse dhe mbi të gjitha për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, Lajçaku është shndërruar në rrezik për procesin e bisedimeve duke u bërë avokat i palës serbe dhe prokuror ndaj shqetësimeve të Kosovës.

Lexo po ashtu:  Gjithologët e Facebook-ut

Avokat i palës serbe deri në atë pikë sa edhe kur u njoh me faktin se një prej serbëve të komitetit menaxhues për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe ishte ndërkohë deputete e zgjedhur e Parlamentit të Serbisë, pa ju dridhur syri tha se: “nuk ekziston ndonjë kufizim që ta ndalojë atë”!!!

Aktualisht gjithë puna e Lajçakut përqëndrohet në mantrën: ajo çfarë kërkon Serbia duhet të plotësohet dhe për shqetësimet e Kosovës flasim më vonë.

Edhe kur nga ana e Kosovës i paraqiten zgjidhje konkrete dhe realiste, përgjigja e tij është: këtë nuk e pranon Serbia.

Kur Serbia shkeli angazhimet në Marrëveshjen Bazë për “mospengim të Kosovës në anëtarësim në institucionet ndërkombëtare“, vetëm një javë pas Ohrit, Lajçaku që arrogancën ka nisur ta shfaqë edhe me shkrim, nuk gjeti asnjë fjalë për të thënë.

Eshtë Serbia që thyen angazhimet e marrë në marrëveshjen bazë, por presioni ushtrohet ndaj Kosovës.

Eshtë Kosova që ka firmosur gjithë marrëveshjet ndërkombëtare që i janë ofruar (Rambuje, planin e Ahtisaarit, Marrëveshjen e Brukselit dhe së fundmi marrëveshjen e Ohrit) dhe është Serbia që nuk firmos marrëveshje. Presioni sërish ushtrohet ndaj Kosovës. Vuçiqi tallet me sponsorizuesit e planit franko-gjerman duke thënë se nuk firmos ngaqë i “dhemb dora” madje “do më dhemb dora edhe 4 vitet e ardhshme.

Lexo po ashtu:  David Goodhart: Kështu kanë lindur populizmat

Janë mbi 20 marrëveshje që nuk janë respektuar nga Serbia, por presioni ushtrohet ndaj Kosovës për një pikë- asosacioni.

Kushtetuta e Serbisë e ka të shkruar që Kosova është pjesë e Serbisë. Nuk ka normalizm pa ndryshuar kushtetutën,në çdo kohë justifikimi është i gatshëm. Njohja reciproke duhet të jetë në qendër të çdo propozimi për normalizim. Te mosnjohja është dhe burimi i tensionit.

Siç ja vunë në dukje edhe europarlamentarët pak ditë më parë, Miroslav Lajçak nuk sheh ku është burimi aktual i tensionit dhe ka problem me sytë për të dalluar kush është agresori dhe kush është viktima.

Se çfarë mendon Lajçaku për dialogun u pa qartë në raportin që bëri para Parlamentit Europian. Në këtë raportim ai foli vetëm për “monologun” Kurti dhe jo për “dialogun” Kosovë-Serbi. Aq i një a Shem u shfaq Lajçaku sa të gjithë grupet parlamentare (EPP, S& D dhe të gjelbrit) e gozhduan për këndvështrimin e kufizuar dhe masat e zhbalancuara që favorizojne Vuçiqin dhe Serbinë!

Në fakt burimi i tensionit është edhe në Ohër, ku sjellja skandaloze e Lajçakut, me presion maksimal ndaj Kurtit dhe përkëdhelje neveritëse ndaj Vuçiqit ka kontribuar në guximin e Serbisë për të bërë çfarë të dojë, që nga tallja/cinizimi duke mos nënshkruar marrëveshje, te shkelja e çdo angazhimi e deri te provokimet dhe veprimet e dhunshme ndaj KFOR-it, policisë e gazetarëve në veri të Kosovës.

Lexo po ashtu:  - Duhen kontrolluar fort kryeministrat, ministrat e Arsimit e të Kultures, të Ekonomisë e të Diplomacisë.

Që Lajçaku ka humbur totalisht besimin e një pale, kjo nuk do mend e kalem, por që me sjelljen dhe aktet e tij po kontribuon për rritjen e tensionit kjo po provohet çdo ditë.

Në një anë Kosova jo vetëm e njeh Serbinë, por kërkon marrëdhënie normale në anën tjetër kemi Serbinë që nuk e njeh Kosovën. Në një anë kemi njërën palë që thotë: eja të merremi vesh, në anën tjetër kemi mesazhin: “ti për mua nuk ekziston”.

Dhe kur edhe ndërmjetësi i BE-së rreshtohet me agresorin, dhe kur ky “lehtësues” vendos lupën për çdo gjë në Kosovë dhe dylbinë për atë çfarë bën Beogradi është koha për t’i thënë e shkruar vetëm dy gërma: ik!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *