Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se faktori ndërkombëtar është i butë ndaj Serbisë me qëllim që ta largojë atë nga ndikimi rus, politikë kjo që sipas tij nuk do të funksionojë.

Në një intervistë dhënë BBC-së të hënën, Kurti ka thënë se për këtë nuk duhet të paguajë Kosova.

“Sipas mendimit tim, ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të jenë të butë ndaj Serbisë në përpjekje për ta larguar atë nga ndikimi i Kremlinit dhe mendoj se kjo politikë nuk do të funksionojë. Nuk kam shpjegim tjetër pse po tolerojnë kaq shumë. Nuk di si t’ia shpjegoj vetes dhe të tjerëve se sa të butë janë ata me Beogradin. Mendoj se ata janë kaq të shqetësuar për mundësinë e përhapjes në Ballkan dhe kjo është reale për shkak të lidhjes së Beogradit me Moskën, por edhe ata e dinë se sundimtari serb në Beograd nuk është demokrat dhe ka shumë pushtet. Ky lloj pushteti hegjemonist rajonal që mund ta lidhë në mënyrë indirekte me Moskën po shkakton shumë frikë në Perëndim dhe për të cilin besoj se Republika e Kosovës nuk duhet të paguajë”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu:  Revista Forbes: "Në Tokën e Shqiponjave, ne mrekullohemi pas çdo zbulimi - Diçka po ndodh në Shqipëri"

Kurti ka shtuar se ajo që po bën Qeveria në veri është sundim i ligjit.

“Për një demokrat, unë jam një socialdemokrat. Ndaj një autokrati, edhe unë duhet të jem sovranist. Ajo që ne po bëjmë në veri është sundimi i ligjit si sovranitet dhe sovraniteti si shtet i së drejtës”, ka shtuar ai.

Lidhur me shtensionimin e situatës atje, Kurti ka thënë se ka ofruar që sa më shpejt të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *