Duket se marrëveshja për çtensionim të situatës në averi të Kosovës është arritur. Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryenegociatori i në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka dakordësuar në takimin e së hënës me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, uljen me 25% të pranisë policore në komunat e veriut.

Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Qeveria e Kosovës mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës. Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Lexo po ashtu:  Mbrojtësit e pambrojtur – Sa vlen vërtetë jeta e një polici për politikanët e Kosovës?

BE-ja do ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit theksohet se do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Veprimet e sipërpërmendura do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore, citojnë mediat e Kosovës qeverinë.

Dakordësimi është për temat politike dhe ai nuk prek lirimin e të arrestuarve. Ka një tjetër element jo pa rëndësi: dakordësia është arritur dje, të hënën, por deklarata ka dalë sot, në një ditë me Samitin e Vilniusit, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka raportuar me tone alarmante situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Veriun e Kosovës.

Po kështu deklarata vjen në një ditë me njoftimin e ShBA për shpalljen non grata të kreut të shërbimit sekret serb, Vulin. Duhet thënë se në planin publik, Kurti ka nxjerrë bllof raportimin e z. Rama në Vilnius, teksa ka njoftuar paktin për de-përshkallëzim, pa iu dashur të bëjë konferencë ndërkombëtare.

s.zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *