Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka thënë se sulmi terrorist në Banjë ((Banjska=serbisht v nga MekuliPress) më 24 shtator e ka origjinën në Rusi.

Në një intervistë për “Federalna TV”, ai tha se ajo që ndodhi është pjesë e politikës së Rusisë dhe synimi ishte të krijohej një konflikt i ngrirë, me synim ndarjen e Kosovës.

“Ndodhi ajo që pritej. Ishte e pritshme dhe sigurisht ishte përpjekje për të hapur një konflikt të ngrirë në Ballkanin Perëndimor dhe është e qartë plotësisht se politika e kujt ishte. Ishte politikë e Rusisë. Pra, ideja e atij akti terrorist në Kosovë ishte të shkaktoheshin trazira, që të çonte te një konflikt i intensitetit të kufizuar dhe përfundimi i të cilit do të ishte përcaktimi i vijave demarkuese ndërmjet veriut të Kosovës dhe pjesët tjetër të Kosovës. Përcaktimi i një konflikti të ngrirë që do të zgjaste 5, 15 apo 35 vjet, ku publiku vendas dhe ndërkombëtarë do të mësoheshin dalëngadalë që të bëhet kufiri i ndarjes së Kosovës. Kjo ishte ideja”, ka thënë Gjukanoviç.

Gjukanoviç ka thënë se me konfliktin e ngrirë, Serbia ka dashur ta ndajë Kosovën. Ai ka thënë se politika e “bashkësisë ndërkombëtare ka krijuar atmosferën në të cilën lindi akti terrorist”.

Lexo po ashtu:  Konflikti me Iranin/ SHBA redukton stafin diplomatik në Irak

“Kjo ishte ideja bazë. Por, ajo që është më me rëndësi është të dihet se kush është autori i kësaj aventure. Besoj se është me rëndësi të përcaktohet se politika e kujt krijoi një atmosferë në të cilën lindi akti terrorist. Unë besoj se ishte politika e bashkësisë ndërkombëtare. Lexoni politikën e partnerëve perëndimorë, lexoni edhe më saktë politikën e Departamentit të Shtetit, pra njerëzve të Departamentit të Shtetit për drejtimin e politikës ballkanike. Ajo politikë, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, e bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë në këmbim që Serbia të largohej nga Vladimir Putini, por që nuk ndodhi. Mendonin se do ta ndalonte Serbinë nga pengimi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por nuk e bëri. Ajo që ndodhi është se Serbia i përdori ato lëshime dhe në vend që të bënte politikën e saj të brendshme, filloi të bëjë politikë të kujdesit për serbët në rajon. Kur bëni politikë për t’u kujdesur për një popull në rajon, kudo që ata jetojnë, atëherë shkatërroni sovranitetin e fqinjëve tuaj. Kur shkatërroni sovranitetin e fqinjëve tuaj, ju përkeqësoni stabilitetin e atij rajoni dhe drejtpërdrejtë inkurajoni, atmosferë konflikti”, ka thënë Gjukanoviç.

Lexo po ashtu:  Dy ekipe zvicerane parashikojnë fitoren e Trump. Parashikuan saktë edhe më 2016-ën

Gjukanoviç ka thënë se ajo që ka ndodhur në Kosovë është shprehja përfundimtare e një politike të gabuar ndërkombëtare.

“Është logjike që Rusia zgjodhi nacionalistët serbë në mesin e nacionalistëve më të mëdhenj ballkanikë. Në politikën e re të tij, Putini në fakt shpalli revizionizmin historik, për ta rinovuar disi Luftën e Ftohtë. Serbia e kupton këtë si mundësi për t’i rishikuar rezultatet nga e kaluara e afërt, ato që kanë ndodhur në 30 vjetët e mëparshme në Ballkanin Perëndimor. Serbia doli sërish me vlerësimin e saj se popullit serb iu bë një padrejtësi kozmike si gjatë shpërnguljes së popullit serb nga territori i ish-Jugosllavisë ashtu edhe gjatë realizimit të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në një vlerësim të tillë dhe në vlerësime të tilla, sigurisht që ka mungesë të realitetit. Para së gjithash, është e nevojshme të kujtojmë se lufta në zonën e ish-Jugosllavisë filloi me idetë e nacionalizmit serbomadh, duke rivizatuar kufijtë dhe duke krijuar një shtet ku do të jetonin vetëm serbët. Duhet ta mbani mend sloganin e Millosheviçit ‘Të gjithë serbët në një shtet’. Po kështu. Nevojitet pak më tepër realitet për të parë atë që i parapriu epilogut të Kosovës së pavarur. Në vitin 1999, pra në prag të vitit 1999, politika e Millosheviçit kishte për qëllim ndryshimin e hartës etnike të Kosovës, shpërnguljen e afro një milion shqiptarëve nga Kosova dhe ndëshkimin brutal të atyre që e kundërshtojnë. Pra, një gjenocid shumë më i rëndë ishte në horizont se sa ai që ndodhi në Srebrenicë. Për shkak të kësaj pati një acarim të marrëdhënieve me NATO-n, praktikisht deri në shpalljen e luftës ndaj NATO-s. Në fund, ajo luftë u humb, dhe finalja e gjithçkaje është se Kosova u largua nga Serbia dhe kështu i hapi rrugë njohjes së mëvonshme ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj, besoj se këto arsye gjeopolitike dhe reflektimi i atyre arsyeve në politikën e rajonit, kanë sjellë një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të sigurisë dhe politike. Pse? Sepse nuk është e nevojshme të dëshmohet diçka në mënyrë të veçantë – nacionalistët janë kundër saj…” – ka thënë Gjukanoviç.

Lexo po ashtu:  Pas uljes së dënimit të Darko Tasiq, shqiptarët nesër në protestë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *