Për dy dekada, institucionet e Kosovës kanë luajtur jo rrallë me shifra për numrin e artefakteve që i ka grabitur Serbia. Para pavarësisë, institucionet rëndom i referoheshin “mbi tri mijë artefakte” pastaj numri ra e u përgjysmua kur fushatat bëheshin herë për 1244 e herë 1247 artefakte të grabitura, por tash del tjetër shifër që i bie që së paku për nja 15 vjet, Kosova t’ia ketë huqur shifrës për hiç më pak se 2477 artefakte. Zyrtarisht, Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte dhe kjo konfirmohet në Raportin e hartuar nga Komisioni Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999

Kosova aktualisht, zyrtarisht ka dy palë dokumentesh sa u përket artefakteve që i konsideron të grabitura nga Serbia. Para tre vjetësh me letrat dërguar institucioneve të Serbisë dhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) kërkohej kthimi i 1247 artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Tash numri ka ndërruar. 

Zyrtarisht Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte. Pra, 2477 më shumë. Tash shteti qëndron prapa këtij numri. Është bërë publik në saje të Raportit të hartuar nga Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Lexo po ashtu:  Prag lufte, Ministria e Jashtme: Shqiptarë, largohuni nga Ukraina!

Javën e kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë Raportin me të dhënat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë viteve të luftës. 

Ministri Çeku ka njoftuar se gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës. 

“Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artefakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura”, shkruhej në njoftim. Ka treguar se Raportin e dokumentimit me këto gjetje dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuan Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës. 

“Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, ka njoftuar ai. 

Nga fotografitë e takimit shihet se aty janë dorëzuar edhe burime të kohës së ish-Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. 

Por tash hesapi ka ndërruar. Më 2021 me ardhjen në krye të MKRS-së së ministrit aktual Hajrulla Çeku, pati nisur njëfarë fushate për kthimin e artefakteve që mban Serbia prej viteve ’90. Madje në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, kërkohej nga shteti serb që 1247 artefakte të kthehen në Kosovë. Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u ishin kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës, pas më shumë se dy dekadave. 

Lexo po ashtu:  Google largon nga Play Store kopjen e TikTok

Asokohe – në maj të vitit 2021 – drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i ishte drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi. 

“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështjeje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dua t’jua kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës”, shkruhej në shkresën e Lecit. Kishte shkruar se ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë përkatëse të Serbisë. 

“Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër. 

Lexo po ashtu:  Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Duhet t’i kërkohet falje Levizjes Vetëvendosje dhe popullit shqiptar

Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd. Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.  
Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u ishte dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. 

Pas këtyre shkresave, Qeveria kishte emëruar Komisionin Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999. 

Hoxha ka thënë se për shifrat e nxjerra bazohen në të dhëna zyrtare.