Një mënyrë për të zgjidhur konfliktin Rusi-Ukrainë, sipas ish-shefit të NATO-s, është lëshimi nga Kievi i një pjese të territorit të vendit. Në intervistën e parë pasi la detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur se Ukraina mund të detyrohet të rinegociojë duke e parë rivendosjen e kufijve të vitit 1991 si një parakusht për çdo marrëveshje paqeje.

I pyetur nga Financial Times se çfarë do t’i propozonte liderit ukrainas, Vladimir Zelensky, ish-shefi i NATO-s ofroi një krahasim me zgjidhjen e luftës sovjeto-finlandeze gati 85 vjet më parë.

“Finlanda zhvilloi një luftë të guximshme kundër Bashkimit Sovjetik në ‘39. Ata i imponuan Ushtrisë së Kuqe kosto shumë më të mëdha sesa pritej”, tha ai. “Lufta përfundoi me dorëzimin e 10% të territorit. Por ata kanë një kufi të sigurt.”

Stoltenberg thotë më tej në intervistë se Perëndimi duhet të “garantojë kushtet” që do t’i mundësonin Ukrainës “të ulet me rusët dhe të marrë diçka që është e pranueshme…” “diçka ku ata të mbijetojnë si një komb i pavarur”.

Me traktatin e marsit 1940, të cilit i referohet Stoltenberg, Finlanda dorëzoi Rusisë një pjesë të madhe të rajonit të Karelias dhe Viipuri, qyteti i saj i dytë më i madh në atë kohë (i njohur si Vyborg në Rusi).

Lexo po ashtu:  Ndërron jetë nga CoVid-19 shkrimtari kilian Luis Sepulveda

Stoltenberg argumentoi se Ukraina mund të marrë garanci sigurie nga NATO edhe “nëse ekziston një vijë që nuk është domosdoshmërisht kufiri i njohur ndërkombëtarisht“. Ai vuri në dukje se pakti i mbrojtjes i SHBA-së me Japoninë nuk mbulon pretendimet e Tokios për Ishujt Kuril, të cilët janë pjesë e Rusisë, dhe se Gjermania Perëndimore u pranua në NATO, pavarësisht faktit se Gjermania Lindore kontrollohej në atë kohë nga një tjetër qeveri e rreshtuar krah asaj sovjetike.

“Kur ka vullnet, ka mënyra për të gjetur zgjidhjen. Por duhet një vijë që përcakton se ku përdoret neni 5 dhe Ukraina duhet të kontrollojë të gjithë territorin deri në atë kufi”, tha Stoltenberg, duke iu referuar seksionit të traktatit të NATO-s, i cili përshkruan detyrën e shteteve anëtare për të mbrojtur njëri-tjetrin.