“VARGNIM GJAKOVE” I JEP JETË HISTORISË LETRARE TË GJAKOVËS
Nga: Musa Kurhasku
Trashëgimia kulturore e një qyteti nuk matet vetëm nga monumentet e tij, por edhe nga librat që dokumentojnë historinë dhe kulturën e atij vend. “Vargnim Gjakove” nga Migena Arllati është një thesar i tillë, që i jep jetë historisë letrare të qytetit të Gjakovës dhe kontributit të shkrimtarëve të tij. Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje biografish, por një sofër e madhe për një shekull letërsi dhe kulturë që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të identitetit shqiptar.
Rëndësia historike dhe letrare e titulluar aq artistikisht: “Vargnim Gjakove” ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe letrare, duke përshkruar periudha sfiduese për kulturën shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Libri dokumenton përpjekjet e shkrimtarëve të Gjakovës, të cilët, që nga shekujt e mëhershëm, u përballën me sfida të mëdha për të ndërtuar dhe ruajtur një platformë kulturore të qëndrueshme. Sidomos nga dekadat e vështira të shekullit XX, në kushtet e represionit politik dhe të censurës, letërsia nuk ishte vetëm mjet artistik, por një formë rezistence kulturore.
Veprimtarët/shkrimtarët e Gjakovës përdorën fuqinë e fjalës për të sfiduar padrejtësitë dhe për të frymëzuar brezat e ardhshëm. Ky libër na kujton se letërsia ishte dhe mbetet një formë e fuqishme për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe lirinë e kombit. * Diversiteti i shkrimtarëve Një nga aspektet më të rëndësishme të “Vargnim Gjakove” është pasqyrimi i diversitetit të autorëve që kanë kontribuar në kulturën letrare të qytetit. Libri përfshin 100 poetë (që përveç poetë janë edhe shkrimtarë ose prozatorë, dramaturgë, eseistë deri te kritikë letrarë), paraprirë nga disa poezi të përfaqësuesve fetarë, që dëshmojnë për lëvrimin e artit të krijimit të vargjeve në shekuj më parë. Secili prej tyre sjell një zë të veçantë dhe një stil unik, duke pasuruar më tej letërsinë shqiptare.
Vihet re si një gjetje e rrallë përfshirja në parahyrje e figurave të disa klerikëve, myderrizëve e shenjtores, në këtë rast Nëna Terezë, e cila përveç si humaniste e madhe paraqitet edhe si një poete e mëshirës dhe e humanizmit, me dashuri të pamatë për njerëzit, e po ashtu për atdheun e saj. Në libër prezantohen më tej poetët “rebelë” si: Teki Dervishi që gjithmonë dhe në mënyrë të hapur është shprehur kundër sistemeve të atëherëshme, Ali Musaj me vargun “shigjetues”, por edhe Agim Mala, poet dhe politikan i moderuar, Besim Bokshi – studiues i thekur i indoeuropianishtes, Din Mehmeti – bacloku i poezisë, Halil Haxhocaj – i urti dhe punëtori i pafjalë, e shumë e shumë poetë të tjerë të brezave të ndryshëm, e deri te brezi më i ri i paraluftës ku spikasin poetë të rënë nën breshërinë e armëve: dëshmori Gaspër Karaqi dhe gjimnazistja Yllka Domi.
Kjo tregon se prof. Arllati prezanton ruajtjen e frymës së vazhdimësisë në letërsinë gjakovare, ku të gjithë në tërësi dhe secili në veçanti, paraqiten si diversitet i reflektimit të pasurisë intelektuale të qytetit. E gjithë brendia e librit dëshmon jo thjesht për zhvillimin e artit të letërsisë nga autorët e Gjakovës por edhe për ndikimin që ngjarjet historike kanë pasur në krijimtarinë e tyre.
Nga poezitë me vlera të spikatura e me tematikë nga vendlindja dhe areali i saj, e deri te shkrimet filozofike, “Vargnim Gjakove” na tregon se letërsia e këtij qyteti është një mozaik i bukur idesh dhe stilesh. * Sfida e të bërit art Edhe pse Gjakova me shkrimtarë të shkëlqyer, që bënë letërsi dhe emër të bujshëm në të gjitha trevat shqipfolëse e ndonjë prej tyre deri në nivelet botërore, siç është rasti i Ali Podrimjes – poet me famë ndërkombëtare e i përkthyer në dhjetëra gjuhë, mungon vetëdija për të çmuar dhe vlerësuar sa duhet këtë pasuri të trashëguar, pasuri që madhështon emrin e Gjakovës përtej kufinjve të saj. Një nga propozimet më të rëndësishme që vjen nga kjo analizë është përfshirja e krijimtarisë letrare të shkrimtarëve të Gjakovës në kurrikulat shkollore. “Vargnim Gjakove” dhe veprat e tjera të shkrimtarëve lokalë duhet të bëhen pjesë e programit mësimor në Gjakovë dhe më gjerë.
Duke njohur veprat e këtyre autorëve, nxënësit jo vetëm që mësojnë për letërsinë, por edhe për historinë dhe kulturën e qytetit të tyre. Shumë nga ta ishin prijetarë në procese të rëndësishme për kohën, sikurse ishte Anton Çetta – prijës i procesit masovik të pajtimit të gjaqeve, Rexhep Hoxha – doajeni i letërsisë për fëmijë, Myrteza Xajë Nura – i kalitur në burgje për veprimtarinë e tij “irredentiste”, Agim Gjakova – i dëbuar nga vendlindja etj., etj. Përfshirja e këtyre veprave në shkolla do të krijonte një ndjenjë krenarie dhe përkatësie tek të rinjtë, duke i lidhur ata më ngushtë me trashëgiminë tonë kulturore. * Një thirrje për veprim Autorja Arllati është kujdesur më së miri që kjo përmbledhje të jetë e një niveli të lartë jo vetëm si përmbajtje por edhe si formë artistike, dhe si e tillë është një realizim elitar.
Dashuria e saj për artin dhe mirënjohja për krijimtarinë vendase, të rrahur në kohërat e veprimeve dhe pësimeve të vështira, dëshmojnë për shpirtin e saj të lartë fisnik e të paqtë. Librat si “Vargnim Gjakove” nuk janë thjesht antologji letrare por pasuri kombëtare që duhet të ruhen dhe të promovohen me kujdes. Shoqëria dhe institucionet duhet të jenë më të përgjegjshme ndaj trashëgimisë kulturore duke vlerësuar përgatitjen dhe shpërndarjen e këtyre veprave.
Do të ishte mjaft e arsyeshme që shkollat e mesme dhe fillore të përfshijnë një program të veçantë për njohjen e historisë dhe letërsisë vendore. Përmes këtyre programeve, brezat e rinj do të kenë mundësinë të mësojnë për autorët që kanë formuar identitetin kulturor të qytetit të tyre dhe të ndihen krenarë për trashëgiminë e tyre. Në përfundim, bëj thirrje që libra të tillë të mos mbeten vetëm në bibliotekat apo në dorën e lexuesve të veçantë, por të bëhen pjesë integrale e edukimit kulturor për të gjithë qytetarët e rinj.
Ky veprim do të inkurajojë një rilindje kulturore në Gjakovë dhe do të nxisë të rinjtë të ruajnë dhe zhvillojnë më tej traditën e tyre letrare dhe kulturore.