Nga MekuliPress
Sondazhi i publikuar këtë të hënë (09.12.24) i kryer nga qendra e statistikave norvegjeze (Statistisk Sentralbyrå – SSB) në Norvegji ka sjellë një të dhënë tronditëse për shqiptarët: Kosova përfaqësohet me një numër të lartë të rasteve kriminale mes të rinjve shqiptarë që jetojnë në Norvegji.
𝐉𝐚 𝐟𝐚𝐤𝐭𝐞𝐭: në periudhën 2020–2023, për çdo 1,000 shqiptarë të Kosovës në Norvegji, janë regjistruar 222.6 raste të ngritjes së padive, një statistikë që duhet të jetë zile alarmi për ne si komb.
Në grupmoshën 15-24 vjeç, situata është edhe më alarmante, duke treguar një krizë të thellë vlerash dhe integrimi.
Si është e mundur që një vend i vogël si Kosova, që synon të ndërtojë një fotografi të pastër e të denjë në arenën ndërkombëtare, përfundon në krye të listës së kriminalitetit? Kjo është e pafalshme dhe një turp për të gjithë ne!
𝐊𝐮 𝐣𝐚𝐧𝐞̈ 𝐟𝐚𝐦𝐢𝐥𝐣𝐞𝐭 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞?
Edukimi fillon në shtëpi, por a po e bëjmë ne, familjet shqiptare, punën tonë si prindër? Një brez i tërë po rritet (pa fajin e tyre) duke u ndikuar nga programet degraduese si “Big Brother” dhe debatet e ulëta televizive, ndërsa modelet e suksesit dhe punës së ndershme duken gjithnjë e më larg.
Si mund të pritet që një fëmijë të zhvillojë ndjenja të forta të drejtësisë, humanizmit dhe përgjegjësisë, kur edukimi familjar reduktohet në thashetheme dhe në debate të analistëve të korruptuar?
Qe 20 vjet institucionet tona kanë dështuar brenda dhe jashtë Kosovës.
Ku ishin institucionet e Kosovës, pyes unë? Ku janë ambasadat që duhet të jenë ura lidhëse mes emigrantëve dhe shtetit amë? Përkundrazi, këto institucione shpeshherë duken të paafta ose indiferente për të adresuar problemet reale të emigrantëve tanë.
E organizatat dhe shoqatat e shumta shqiptare në Oslo, e gjetiu, si janë e si i kanë punët? Kush interesohet për to? Askushi! Asnjeri!
𝐊𝐫𝐢𝐳𝐚 𝐞 𝐯𝐥𝐞𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤
Sondazhi taze i norvegjezëve tregon qartë se kemi një krizë të thellë vlerash. Po, po, hiq mos i hapni sytë!
Kjo situatë nuk është vetëm një çështje lokale në Norvegji, por një pasqyrë e një problemi më të madh kombëtar. Kosova nuk mund të eksportojë krimin, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në reputacionin e saj ndërkombëtar dhe frenon çdo përpjekje për të ndërtuar diplomaci të qëndrueshme.
Në vend që të përqendrohen në përmirësimin e kushteve për të rinjtë, politikanët shqiptarë janë të zënë me luftëra fyt për fyt për me grabitë pushtet.
Po diplomatët tanë, ku janë? E mediat ku janë? Çfarë po bëjnë këta për ta ruajtur fotografinë e Kosovës dhe për të mbështetur qytetarët që jetojnë jashtë vendit? Në vend që të përgatitin plane konkrete për integrimin e të rinjve dhe për të siguruar një edukim më të mirë, energjia harxhohet në konflikte dhe intriga dhe bëhet reklamë si t’ju dërgohen lekët nga Norvegjia e Gjermania përmes Western Union në Kosovë.
𝑻𝒆̈ 𝒏𝒅𝒆𝒓𝒖𝒂𝒓 𝒍𝒆𝒙𝒖𝒆𝒔,
Është koha për një reflektim kombëtar. Ne nuk mund të vazhdojmë të fajësojmë vetëm shtetet e tjera për problemet tona. Si familje, si institucione dhe si komb kemi dështuar bashkërisht. Kosova dhe Shqipëria nuk duhet dhe nuk mund të jetë sinonim i kriminalitetit.
Politikanët duhet të marrin masa konkrete për të përmirësuar kushtet për të rinjtë, brenda dhe jashtë vendit. Ambasadat duhet të jenë më aktive dhe të ndihmojnë në integrimin e komunitetit shqiptar në vendet ku jetojnë; të mbështesin kulturën dhe organizimet kulturore dhe artisitike. Ndërkohë, familjet shqiptare duhet të rikthejnë vëmendjen te edukimi i mirëfilltë, duke promovuar vlera të punës, ndershmërisë dhe respektit për ligjin ku jetojnë.
Shkurt e shqip, të gjithë, pa përjashtim, kemi dështuar. Por akoma kemi mundësi të kthillemi dhe të ndryshojmë kursin. A do ta bëjmë?