Eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ka thënë se kontrata e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) me operatorin virtual “Dardafoni” në vitin 2007 ishte skemë tërësisht korruptive.

Në një diskutim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Hamiti ka shpjeguar se marrëveshja kishte si qëllim përdorimin e aseteve të PTK-së nga “Dardafoni”, ndërsa PTK-ja mbante një përqindje të vogël të fitimeve, vetëm 22%.

Sipas tij, ky ishte veprim pa asnjë plan apo strategji, dhe një rast i manipulimit të pasurive të Kosovës për përfitime personale dhe politike.

“Ka qenë 100% skemë korruptive. Krejt më duhet të përmend të gjitha krimet që janë bërë rreth PTK-së”, ka thënë Hamiti, duke përmendur gjithashtu kontratën e imponuar me “Monaco Telecom”, e cila, sipas tij, ishte gjithashtu një marrëveshje e panevojshme dhe kriminale.

“Kombet e Bashkuara mund të kërkonin një kod për PTK-në, por përdorimi i Monaco Telecom ishte vetëm një alibi”, shtoi ai.

Në diskutimin e tij, Hamiti përmendi edhe largimin e Agron Didës nga posti i drejtorit të PTK-së gjatë negociatave për këtë marrëveshje. Ai theksoi se Dida kishte dhënë dorëheqje pasi nuk pranoi të bashkëpunonte në një kontratë që e konsideronte të dëmshme për PTK-në dhe qytetarët e Kosovës.

Lexo po ashtu:  Si ra në “grackën” e Shërbimit Informativ Shtetëror agjenti i huaj, çfarë i kërkoi “Rezidenti” zyrtarit shtetëror shqiptar?

Publicisti Surroi e cilësoi marrëveshjen me “Dardafonin” si një prej formave më të spikatura të shfrytëzimit të pasurisë publike, duke theksuar se kjo përbënte një “futje të dorës në xhep”.

Burimi: KohaDitore