Shtëpia e Bardhë ka nisur një “agjenci lajmesh” të vetën, e cila do të publikojë njoftime për shtyp, deklarata dhe lajme pozitive për presidentin Donald Trump dhe politikat e tij.

Faqja e internetit quhet WHwire dhe menaxhohet nga serverët zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Në pamje të parë, faqja duket se ka shumë ngjashmëri me gazetën e djathtë Drudge Report, e cila zakonisht lidh artikuj nga media të tjera me prirje të djathtë, vëren gazeta The Guardian.

Të enjten, për shembull, mund të lexohej këndvështrimi i administratës Trump për zhvillimet në ekonominë amerikane, pasi këtë javë u bë e ditur se Prodhimi i Brendshëm Bruto i SHBA-së është tkurrur me 0.3% që nga ndërrimi i presidencës.

“Në të vërtetë, këto shifra reflektojnë fundin e katastrofës ekonomike të Biden-it,” thuhet në raportimin e WHwire.

Artikujt e tjerë në këtë faqe janë të mbushur me lavdërime për Trump-in dhe politikat e tij.

Trump ka krijuar edhe rrjetin e vet social Truth Social, ku rregullisht sulmon mediat e pavarura dhe gazetarët, ndërsa e promovon veten.

Lexo po ashtu:  ShBA e çinteresuar për llojin e marrëveshjes me Kosovën

Ai gjithashtu ka ndaluar hyrjen e disa mediave të njohura në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dhe ka paditur media si ABC News, CBS News, gazeta të ndryshme dhe sondazhe të opinionit. Këtë javë, ai ka kërcënuar edhe The New York Times me padi.