20 vite më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Milloseviq.

19 vite më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer  prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. 

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush, kujton MekuliPress.

Ja dëshmia e profesor Sali Bytyqit, i burgosuri dhe përjetuesi i masakrës serbe në burgun e Dubravës

Kujtesë
Si sot, më 19 maj 1999, pasdite, avionët e NATO-s i bombarduan dy pavijone të burgut të Dubravës. 
Ishte dita e njëzetë e jona në Dubravë (e kam fjalën për pavijonin ku isha unë). Ndërsa në të katër anët e asaj pjese të Kosovës, që arrinim ta shihnim me sy, shiheshin zjarre, dëgjoheshin bombardime të avionëve të NATO-s, ne të burgosurit nuk po kalonim keq, për të mos thënë se këto, për ne, ishin ditët më të mira, sepse nuk kishim ndonjë maltretim si në burgjet tjera, por edhe se po e mbushnim barkun me bukë, që nuk ndodhte në burgjet tjera! Dy herë hanim, ama e mbushnim barkun!
Po këtë “rehati” tonën, pasditen e 19 majit, e prishi bombardimi nga avionët e NATO-s, që iu bë Pavijonit C, i cili ishte i pari prej pesë pavijoneve, që radhiteshin në drejtimin lindje-perëndim.
Pasi kaloi një kohë e shkurtër, avionët erdhën prapë dhe goditën pavijonin e radhës, po i cili ishte i zbrazët. Tani radha i erdhi pavijonit të tretë, B-së, në të cilën isha unë dhe rreth 180 të burgosur. Edhe pse isha këtu, tani assesi nuk arrij ta shkruaj si e kam përjetuar momentin e pritjes së arritjes së avionëve të NATO-s për ta bombarduar godinën e burgut në të cilën isha edhe unë! E di vetëm që rrudhja kokën, sikur doja ta fusja diku, po që nuk arrija ta fusja. Të burgosurit që e popullonin këtë burg nisën të shqetësoheshin. Përveç fytyrave të zbehura, syve që kërkonin ndihmë nga njëri-tjetri, po që në fund e dinin që nuk arrinte t’iu ndihmonte kush! Dolëm në korridor të pavijonit, ndërkaq filloi të na vijë ndihma nga jashtë. 
Nga ana jonë egërsimi arriti kulmin. Një i burgosur ordiner nga Prizreni u rrok si maçoku në rrjetën që na mbante të izoluar. Po edhe lëvizjet i kishte si të maçokut kur do të rrihet nga i zoti, sepse ka bërë ndonjë faj. Në anën tjetër, të burgosurit ordinerë të Pavijonit A, filluan të vepronin për të shkatërruar rrjetën e metaltë. Ishin disa prej ordinerëve që me mjete të forta po i binin rrjetës për ta çarë, me qëllim që ne të dilnim nga pavijoni dhe kështu të shpëtonim nga bombardimi, në pritje të të cilit ishim. Në mesin e atyre që po punonin në çarjen e rrjetës së hekurt, për të na bërë të mundur t’i shpëtonim bombardimit, ishte një pjesëtar i komunitetit RAE. I zi siç ishte, i mëshonte rrjetës me kazmë me sa fuqi që kishte, ndërsa djersët i shkonin faqeve. Seç kishin një vezullim shkëlqyes ato djersë… Po edhe kurrë më i dashur nuk më është dukur një pjesëtar i këtij komuniteti, sa ky që i mëshonte me sa fuqi që kishte rrjetës, derisa ne arritëm të dalim jashtë pavijonit.
Se çfarë ndodhi më tutje në këtë ditë, dihet. Avionët nuk erdhën më për të bombarduar.
Disa të burgosur i morën mbulojat e dritave të neonit, të cilat ishin në formë katërkëndëshash dhe me to, në oborrin e burgut “shkroi” një “HELP”, që mund të shihej edhe nga avionët….
(vazhdon)
(19 maj 2015)
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  Mos e harroni Bajram Currin, patriotin e liberalin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *