Gëzim Mekuli
(Magjistër i shkencave të mediave dhe retorikës)
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Gazetaria shqipe është dogmatike. Gazetaria politike shqipe është e sëmurë keq. Ajo është e infektuar nga gazetaria erotike, emocionale dhe ajo sportive. Gazetaria jonë vuan nga cekësia dhe nga mungesa e “rëndësisë” serioze. Simptomat e kësaj sëmundjeje janë të qarta: “mentaliteti i tufës”, “skandalet”,”thashethemet”, “konfliktet”, “manipulimi” dhe trullosja e përgjithshme nga “analiza dhe lajmi”.
Si pasojë e këtij komunikimi të sëmurë, politika shqiptare po budallakizohet dhe po humbë fuqinë e vet reale. Sëmundja ka përfshirë dhe ka dëmtuar mbulimin e lajmeve, ka kaluar në debatet televizive dhe ka infektuar “analistëtopinionistët” e ashtuquajtur “politikë”. Koha nuk pret; shërimi duhet kërkuar urgjentisht.

Gazetaria shqiptare e Tiranës dhe e Prishtinës nuk i ka përmbushur kërkesat kryesore profesionale dhe nuk ka njohuritë e mjaftueshme për të kuptuar rolin e saj si aktore politike në shoqërinë tonë. Thënë ndryshe: gazetarët shqiptarë janë shndërruar në një bandë amatorësh, të cilëve, si lëmoshë, u është dhënë një pjesë e mirë e fuqisë politike; dhe kjo punë është tejet serioze për hapësirën tonë publike.
Të dashur lexues,
Po, unë e akuzoj gazetarinë shqipe. Sepse ajo po e shmang vëmendjen publike nga çështjet politike, ekonomike e sociale.
Është bërë zakon i gazetarëve shqiptarë që, sapo një politikan të shprehet në publik, ata menjëherë të fantazojnë interpretime “autoritare” për fjalët e tij. Në vend që të pyesin drejtpërdrejt, ata merren me hamendje: “çfarë po ndodh brenda kokës së tij?” ose “çfarë po përpiqet vërtet të arrijë?”. Në këtë mënyrë, gazetarët flasin rreth politikanëve, por rrallë flasin drejtëpërsëdrejti me ta.
Ata kapen pas individëve, intrigave dhe lojërave të politikanëve, në vend që të merren me atë që ndodh vërtetë me qytetarin: me çështjet politike, ekonomike, argumentet mbi korrupcionin, dilemat dhe dështimet e shoqërisë.
Por votuesit janë të interesuar për çështjen, jo për lojën e politikanëve dhe të “gazetarëve”.
Shikuesit televizivë duan të shohin politikanë që paraqesin zgjidhje dhe ide, jo grindje, kult dhe karaktere të të fortëve. Politikanët duhet të dalin me mendimet e tyre, por për këtë nevojitet gazetari e pastër, i arsimuar e jo e infektuar.
Kjo logjikë mediatike, që prodhon më shumë spektakël se mendim, po i sajon politikanët sipas nevojës së ekranit televiziv dhe po ushqen një proces politik të deformuar. Gazetaria e sëmurë po krijon edhe mënyrën tonë të të menduarit kolektiv.
Pyetja është: çfarë lloj politikanësh dhe çfarë procesi politik po sajon kjo gazetari?
Politikanët po përkeqësohen. Diskursi publik po degradohet në budallallëk, dhe njerëzit janë gjithnjë e më pak të angazhuar në politikë. Duket sikur shumë prej tyre e duan këtë situatë të re, ku “gazetaria dhe politika ndihmojnë njëra-tjetrën për t’u bërë të pastra dhe të mira”. E kjo është fatkeqësi, të nderuar lexues.
Kjo kalbje inteligjente kolektive po na çon drejt dekadencës. E pashë këtë maskarrallëk vetë në Kosovë dhe në Shqipëri: gazetaria shqipe po budallakizon publikun.
Gazetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë se nuk janë vetëm spektatorë të lojës politike. Ata janë lojtarë aktivë që e vendosin vetë skenën, që e formësojnë realitetin politik dhe, për fat të keq, po krijojnë realitete të rrejshme. Ata janë aktorë politikë, jo vetëm vëzhgues. Dhe sepse kontrollojnë edhe vetë mediat e tyre, pasojat janë të qarta: ne, populli, po bëhemi më të paditur, më pasivë dhe më dekadentë.
Pse e them këtë, të dashur lexues? Sepse gazetarët flasin shumë për qytetarët që përbuzin politikanët; një përbuzje që vetë ata e kanë ndihmuar të lindë.
Ajo që nuk e kuptojnë është se tashmë edhe ata janë përfshirë në të njëjtën përbuzje. Sondazhet dhe reagimet publike tregojnë se mosbesimi ndaj gazetarëve është po aq i madh sa ndaj politikanëve.
Gazetaria, që dikur denonconte të keqen, është bërë vetë pjesë e së keqes; dhe publiku e di këtë shumë mirë.
Për një debat më të mirë politik në Tiranë dhe Prishtinë, duhet patjetër:
1. Shfuqizimi i diktaturës së opinionistëve dhe analistëve televizivë. Duhet më pak “specialistë gjithologë” që ushqejnë popullin me “të vërteta” me lugë çaji.
2. Përbuzja e drejtuesve të emisioneve debatuese, që paguhen me mijëra euro nga oligarkë dhe shesin “neutralitetin”.
3. Krijimi i formateve të reja informuese dhe debatuese, që u japin hapësirë argumenteve të mirëfillta politike dhe çështjeve të rëndësishme kombëtare.
4. Ringritja e informimit publik dhe hapja e programeve që fokusohen në ide, jo në individë.
5. Më shumë debat për mediat brenda vetë mediave. Gazetarët duhet të kritikojnë edhe njëri-tjetrin; vetëm kështu lind përgjegjësia.
Në fund:
Politikanët nuk do ta rimarrin kurrë fuqinë që ia dorëzuan medias, dhe gazetarët nuk do ta pranojnë kurrë rolin e tyre djallëzor në politikë.
Deri atëherë, ne do të vazhdojmë të jetojmë në një hapësirë publike të sëmurë; ku lajmi argëton, politika zbrazet, dhe publiku mësohet të mos mendojë.
(Shkrim i botuar në vitin 2012)




