MekuliPress
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Poezia “Gjykimi” është një përgjithësim i mendimit të poetit për brezin e tij dhe për brezat e pasluftës në ish Jugosllavi.
Porosi brezave të rinj, fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, atyre që veprat dhe përpjekjet do të na i gjykojnë e vlerësojnë, ta kenë parasysh errësirën dhe vetminë tonë, murin kinez që na ndante nga pjesa shtet e atdheut, vuajtjet, trishtimet dhe mashtrimet që na bënin serbët që dëshironin të mos jemi, të zhdukemi në këtë ose në atë mënyrë.
Këto vargje, pa dyshim, janë klithje dhembjeje e zemërimi e përkojnë me çdo veprim e qëndrim të Esadit, madje edhe me grumbullin e letrave, dorëshkrimeve dhe materialeve që i dogji pak muaj para vdekjes, i dëshpëruar.
Gjykimi

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…
Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia, qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…
si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…)
Pra, Esat Mekuli me këto vargje nuk truan, as nuk mohon asgjë nga trashëgimia. Përkundrazi, e arsyeton të kaluarën tonë, prindërit dhe stërgjyshërit tanë, pse ata ndërkohë e mot detyroheshin të qëndronin zgjuar në trojet e veta, në prag të shtëpisë dhe s’patën kohë as mundësi të ecnin përpara me popujt e civilizuar. I mallkon, nënkupton, dhe qesëndis hordhitë e pushtuesve, romakë e turq, italianë e bizantinë, serbë, malazias, grekë e maqedonas, ngase ata kishin dhe kanë faj. Ata na mbajtën në errësirë, na ndanë e përndanë, na copëtuan e shkëputën nga pjesa tjetër e atdheut dhe na lanë bile neve këtu në vetmi, duke përvetësuar çdo gjë shqiptare.
Vargjet e “Gjykimit” ndoshta përkojnë edhe me një vjershë tashmë ndoshta të humbur, ose të djegur, strofa e parë e së cilës mbeti e shënuar në një copë letre të djegur me laps grafit:
“Që në fillim të jetës vuajtjet i mbaj mend unë,
Të prindëve të mi dhe t’farefisit mbarë!
Oh, gjithmonë na kanë ndjekur dhe na kanë vrarë
Dhe e kanë quajtur trimëri, janë lëvduar me këtë punë!
Mandej u rrita burrë, dhuna dhe vuajtjet s’pushuan…
Tash në fund të jetës: prapë vuajtje, vdekje, trishtim
Mbjellin në vatrat tona ata që të na zhbijne duan…
Vallë, a do të ketë ndonjëherë qetësi n’atdheun e në
shpirtin tim…”
Esad Mekuli ka shkruar, por ka botuar pak, ndonëse me vlerë.
Arsyeja qëndron ndoshta pikërisht në faktin pse u dëshpërua, duke parë se idealet dhe ëndrrat e brezit po shuheshin, devijonin e tradhtoheshin. Esad Mekuli kërkonte realizimin e idealeve dhe vegimeve të dikurshme, priste bashkimin e popullit shqiptar, kërkonte një realitet të premtuar.
Prandaj Esadi në një kohë e ndiente veten si një fije kashte në rrjedha të stuhisë. Gati humbi besimin se mund të bëhej diçka me shkrime letrare, me vargje, sado që ato peshonin dhe kishin vlerë të madhe. I dukej se jeta kërkonte diç tjetër, se urdhëronte përsëri veprime militante…#EsatMekuli




