Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 90-ta, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të mund nga sot të aplikojnë për të përfituar nga Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.
Kjo pasi që ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar udhëzimin administrativ i cili përcakton kushtet e aplikimit.
Bytyqi në një intervistë për EkonomiaOnline, ka thënë se nënshkrimi i këtij udhëzimi është lajm i mirë për të gjithë mësimdhënësit e viteve të 90-ta, e të cilët janë në pension.
“Është lajm shumë i mirë sot që ne kemi arritur ta nënshkruajmë edhe këtë udhëzim ku i hap tashmë mundësi që të gjithë mësimdhënësit që kanë kontribuar në vitet e 90-ta dhe që janë në pension të fillojnë të përfitojnë edhe nga kjo mundësi që e jep ligji për arsimin shqip për vitet e 90-ta”, ka thënë Bytyqi.
Ministri Bytyqi ka treguar kushtet e përcaktuara me udhëzimin administrativ, duke thënë se që nga sot mësimdhënësit pensionistë mund të fillojnë të aplikojnë.
“Me aktin nënligjor që sot është nënshkruar do të kenë mundësi që të gjithë këta mësimdhënës të vijnë të aplikojnë,sepse janë përcaktuar kushtet se si duhet të aplikohet, si duhet të verifikohet që këta mësimdhënës kanë punuar në këto vite. Bazuar në ligjin që është në fuqi sipas viteve se sa kanë punuar do të përfitojnë edhe të ardhura shtesë në pjesën e pensionit që e gëzojnë këta mësimdhënës. Tashmë ne e kemi finalizuar dhe nga sot secili mësimdhënës mund të fillojë të aplikojë dhe të përfitojë nga kjo skemë shtesë që është shtesë pensionale”, ka thënë ai.
Ministri Bytyqi ka thënë se ky është njëri prej zotimeve që kanë dhënë, duke thënë se po e kryejnë vetëm një obligim që kanë ndaj mësimdhënësve që mbajtën gjallë arsimin në kohët ëm të vështira të popullit shqiptar.
“Këto janë zotime që ne i kemi dhënë vazhdimisht dhe tashmë jemi duke i finalizuar, sepse ne sistemin arsimor aktet nënligjore dhe çfarëdo vendimi donë një kohë deri sa të analizohen mirë dhe të vijmë deri te një vendim i drejtë. Mendoj që në kuadër të këtyre vendimeve që tashmë po finalizohen ëshë edhe udhëzimi administrativ që ka të bëjë me ligjin për arsimin shqip të viteve të 90-ta. Një ligj që ne kemi punuar shumë dhe e kemi realizuar sepse ka qenë një e drejtë dhe një çështje që e kemi pasur detyrim t’ua japim mësimdhënësve tanë që në vitet më të vështira të frymëmarrjes shqip ishin ata të cilët organizuan dhe mbajtën gjallë sistemin arsimor shqip në Kosovë”, ka thënë ai.
Shtesa më e lartë që përfitojnë mësimdhënësit nga ky ligj në pension është 95 euro, ndërsa më e ulëta 19 euro, varësisht se sa vjet kanë punuar.
Sipas një llogarie të bërë, një mësimdhënës që ka punuar 9 vjet do “shpërblehet” më 95 euro në muaj dhe pension kontributpagues prej 260 euro. Kjo nënkupton se ata do të paguhen 355 euro në muaj.
Kurse shuma do të jetë më e vogël për mësimdhënësit që kanë punuar më pak vjet.
Ndërkaq, në rast se personi ka ndërruar jetë të drejtë kompensimi ka bashkëshortja ose bashkëshorti. /gazetaexpress/