Vjosa Osmani, e kandiduar nga LDK’ja për kryeministre, në emisionin Pressing të T7’ës ka treguar se në cilën fazë janë bisedimet për koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

Osmani mohon se deri tash kanë biseduar konkretisht me Albin Kurtin rreth postit të kryeministrit, megjithatë thotë se bisedimet do të intensifikohen tri ditëve në vijim.

“Ata edhe pse kanë shprehur deklartivikisht vullnetin, duhet të shkojnë me hapa konkretë. Ka vullnet për bashkëpunim dhe ky është hap tejet pozitiv, por kemi nevojë që në tri ditët e ardhshme të kemi bisedime intensive”, ka thënë Osmani.

Në VV kanë deklaruar se Kurti do të jetë kandidati për kryeministër dhe LDK duhet ta pranojë këtë për një koalicion. Osmani thotë se është partia e saj që do ta udhëheq qeverinë, bashkë me VV’në.

“Qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga LDK, në bashkëpunim me Vetëvendsjen do të bëjë luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të rrënjosur”, ka thënë Osmani.

Lexo po ashtu:  Diktatura në aksion! LDK shkarkon Haxhi Avdylin dhe tre zyrtarë tjerë

Kandidatja e LDK’së për kryeministre thotë se në sondazhet e viteve të fundit i ka mposhtur të gjithë liderët e partisë, kësisoj edhe Kurtin e VV’së.

“Në sondazhet e katër viteve të fundit, kam dalë para të gjithë liderëve të partive. Këto sondazhe i kanë marrë krerët e partive. Kjo besoj se do të rikonfirmohet”, thotë Osmani.

Ndërkaq kryetarit të VV’së i kujton që duhet të mos flasin në vetën e parë dhe të mendojnë për interesin nacional.

“Mendoj që edhe për liderin e VV’së edhe për mua duhet të përfundojë koha kur flasim në vetën e parë. Ata e kanë shansin që t’i bashkohen një ndryshimi historik”, ka thënë Osmani.

“Kam mendim të mirë për Kurtin. Kemi pasur diskutime për problemet që ballafaqohet Kosova. Shumë shpesh jemi pajtuar”, është shprehur kandidatja e LDK’së për kryeministre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *