Pak orë pasi mori besimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike për të garuar për postin e kryeministres në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Vjosa Osmani bashkë me Isa Mustafën e Lutfi Hazirin janë takuar në zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe ky takim ku Lëvizja Vetëvendosje u përfaqësua me kryetarin e saj, Albin Kurti, dhe dy nënkryetarët Glauk Konjufca e Besnik Bislimi, rezultoi pa arritjen e marrëveshjes së dëshiruar nga kjo parti.

Kjo pasi, zyrtarët e LDK-së ua kanë bërë të qartë përsëri, se nuk heqin dorë nga posti i kryeministrit.

Është lënë që të ketë takime të reja, në përpjekje për arritjen e një koalicioni parazgjedhor.

Por, ofertë për koalicion LDK-së Vetëvendosje i kishte dërguar qysh në tetor të 2018-s.

Në propozimin që e ka siguruar KTV-ja, Vetëvendosje e kishte ftuar LDK-në që të harmonizojnë platformën qeverisëse 9-vjeçare, që do ta kishte në fokus zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e punësimit, luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit, reformimin e plotë të sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, integrimin e vendit në BE, NATO dhe OKB.

Lexo po ashtu:  Përfituese edhe Shqipëria dhe Kosova/ Lajmi i madh nga Oxford dhe AstraZeneca: Vaksina jonë 90% efektive

Propozimi ishte që të lidhet koalicion parazgjedhor me qëllim që të ketë bashkëqeverisje për dy mandate. Në listë propozoheshin që të futeshin edhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të diasporës.

Në pikën 3, thuhet se VV-ja dhe LDK-ja pajtohen që të zvogëlojnë numrin e ministrive në 12 ose 13, po aq zv.ministra dhe 4 zv.kryeministra, që do të përfshinin edhe zv.kryeministër nga shoqëria civile, nga minoritetet dhe nga diaspora.

Në pikën kryesore që i ndan partitë, Vetëvendosja propozonte rotacion në marrjen e përgjegjësisë, ashtu që në mandatin e parë qeverisës kabineti qeveritar do të udhëhiqej nga i nominuari i Vetëvendosjes, përderisa në mandatin e dytë, nominimi i takonte LDK-së.

Në fund, Vetëvendosje propozonte që të trajtohet seriozisht dialogu me Serbinë, dhe që procesit duhej t’i paraprinte një shqyrtim i detajuar i negociatave të deritanishme, dhe më pas të draftohej një platformë negociuese. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *