Ekonomia duket se është një nga fushat kryesore të Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Kreu i VV, Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për “Tempora” në Rtv Ora thotë se ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri për vendin.
Kurti: Kanë ndryshuar shumë gjëra në Kosovë, disa prej tyre për shkak të punës sonë, disa për shkak të mbrapshtive të pushtetit. Ne kemi ndryshuar për mirë dhe qytetarët na mbështesin si asnjëherë më parë.Në 2017 kemi dyfishuar votat tona, tani nuk kemi nevojë të dyfishohemi sërish për të fituar, mjafton të rritemi edhe një duzinë për qindje (12%) për të hapur një kapitull të ri jo më me emigrim të rinjve por punësim, jo me defiçit tregtar por zëvendësim të importeve me shtim të eksportit, jo më me korrupsion dhe nepotizëm në institucione por me qeverisje të mirë dhe shtet zhvillimor. Tashmë ka ardhur koha dhe të gjithë kemi ndryshuar për të mirë.
I njohur për qëndrimin e tij opozitar, Kurti thotë se çdo kundërshtim është bërë nga një pozicion i caktuar.
Kurti: Çdo kundërshtim bëhet nga një pozicion i caktuar. Kur kemi bërë kundërshtimin e kemi bërë nga një pozitë e caktuar, nuk kemi dashur pazare me Serbinë por vetëvendosje për popullin e Kosovës.Kemi kundërshtuar privatizimin neoliberal të egër dhe abuziv.
I bindur te fitorja, Kurti e ka gati edhe planin qeveritar, madje edhe zbulon se cili do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së tij.
Kurti: Një ndër vendimet e para që do të marrim është krijimi i fondit sovran për Republikën e Kosovës i cili ja merr ndërmarrjet publike qeverisë, nga 17 vetëm 3 operojnë pa humbje. Në anën tjetër ja merr Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrjet shoqërore. I vendos bashkë në këtë fond sovran, ndërpren privatizimin e egër dhe në vend të tij mund të shesim aksionet e këtyre ndërmarrjeve të ristrukturuara që kanë një kryeshef ekzekutiv, të marrim një vajzë ose djalë të re nga mërgata që ka përvojë në financat globale.Nuk mund ta bëjmë brenda natës, por brenda mandatit të parë me siguri.
Ky kryeshef të jetë i lidhur drejtëpërdrejtë me Kuvendin dhe ti japë llogari. Ky fond sovran i kombinuar me Bankën Zhvillimore të Kosovës do të na nxjerrë nga kriza ekonomike.Në Kosovë interesi në depozita është 1%, kreditë e kamatave 7%. Kemi 3.2 miliardë euro depozita, kursime të kosovarëve. 10 banka, nga të cilat 8 janë të huaja dhe 3 prej të cilave kontrollojnë 3/4 e kapitalit bankar japin vetëm 2.7 miliardë euro kredi. Prodhuesit tanë janë përtokë, kanë marrë kredi që janë si fajde me letra në bankat komerciale. Banka Zhvillimore është e domosdoshme për të lehësuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duke mos u rritur në Kosovë janë mikrondërmarrje.Duhet të dalim nga kurthi i mbijetesës për bizneset tona sepse nuk mund ti punësojmë të gjithë në zyra shteti.
Kreu i VV-së beson te zgjidhjet brenda Kosovës dhe jo jashtë saj.
Kurti: Padyshim. Ka një lloj ngjashmërie mes çlirimit politik dhe ekonomik. Nuk na vinë dot investimet e huaja në Kosovës përderisa ne nuk investojmë vetë paratë tona. 30 mijë biznese shqiptare janë në Gjermani. Nëse 1% e tyre vinë dhe investojnë në Kosovë do të kishim nga 10 biznese në komunë. Ata thonë se nuk e kemi hall fitimin sa e kemi sigurinë, për këtë nevojitet shteti i së drejtës. Luftimi korrupsionit në Kosovë është më i lehtë se në Malin e Zi. Në Kosovë korrupsioni nuk është kulturë, por është në sistem. Vjen prej lart-poshtë dhe jo prej poshtë-lart. Duhet të merremi së pari me korrupsionin e madh, atë që ka shumë zero pas.
Teksa flet për shtet të kapur dhe parti të korruptuara, Kurti tregon se ku ndryshon VV nga kundërshtarët e saj politik.
Kurti: Nuk jemi si ata. Dy probleme themelore janë në Kosovën e dobët si shtet. Prokurorët e dobët, e dyta prokurorimi i kriminalizuar. Duam ta çlirojmë gjyqësorin nga ekzekutivi, nuk është pushtet i tretë sepse është i kapur. Na nevojiten prokurorët që bëhen njerëzit më të famshëm në Kosovë. Me qeverinë tonë vullnetet e ndrydhura do të mund të çlirohen, qeveria ka rritur pushtetin dhe ka zvogëluar shtetin.
Po cilat janë garancitë që ofron Kurti për të qenë imun ndaj korrupsionit?
Kurti: Lëvizja jonë është shprehje e popullit të Kosovës që kurrë se ka lënë veten pa lëvizur. Nuk ka filluar me ne si VV dhe as nuk do të përfundojë me ne.