Dronë bombardues sulmuan gjatë natës dy prej rafinerive më të mëdha të naftës në lindje të Arabisë Saudite. Shtetet e Bashkuara akuzuan Iranin, por sulmi u mor përsipër nga militantët e organizatës “Huthi” në Jemen.
“Pavarësisht thirrjeve për çtensionim, Irani kreu një sulm të paprecedentë ndaj furnizimit botëror me energji. Nuk ka asnjë fakt se sulmi është kryer nga Jemeni”-deklaroi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo.
Irani mohoi përfshirjen në sulm, duke i quajtur akuzat “të verbëra e të pakuptimta”. Më herët, zëdhënësi i rebelëve Huthi, të përfshirë në konflikt me ushtrinë saudite në Jemen mori përsipër sulmin. “Misioni është një e drejtë legjitimi dhe natyrore për të reaguar ndaj krimeve, sulmeve dhe bllokadës saudite gjatë 5 viteve të fundit”– deklaroi një zëdhënës i militantëve. Pas këtij sulmi, kompania shtetërore e naftës Aramko reduktoi prodhimin e naftës me 5.7 milion fuçi në ditë, çka përbën gati të 50% e totalit të naftës që prodhon Arabia Saudite.