Më 15 janar të këtij viti me një ceremoni është shënuar fillimi i punës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, me ç’rast është thënë se ky është hap shumë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Si të arritur të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, e ka konsideruar edhe Portin e Durrësit në të cilin bizneseve nga Kosova u është lënë hapësirë, mirëpo përkundër kësaj, ai ka thënë se akoma ka pengesa administrative, por që dita-ditës po eliminohen.

“Porti i Durrësit s’mund të jetë në funksion me një fishkëllimë ‘siç themi ne’, janë procedura që po ndryshojnë nga dita në ditë. Edhe sot kur po flasim ka ekipe edhe nga Kosova dhe nga Shqipëria në Portin e Durrësit që po punojnë për t’i vënë parametrat e duhura. Është e rëndësishme që sot Dogana e Kosovës ka një pjesë në Portin e Durrësit ku ushtron aktivitetin e vet. Natyrisht është proces që do pak kohë, por mendoj se brenda një muaji çdo gjë do të jetë në shtatin normal të gjërave”, ka thënë Minxhozi.

Lexo po ashtu:  Shpërndarja e padrejtë e vaksinave antiCovid, kreu i OBSH: Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral

Lidhur me këtë, prodhuesi nga Kosova, Burim Piraj, ka thënë se fillimi i punës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit ka qenë lajm i mirëpritur nga kompania që ai e drejton, pasi e shfrytëzojnë shumë këtë port. Ai ka thënë se akoma janë duke hasur në probleme administrative dhe në pamundësi të zhdoganimit të mallit.

Piraj ka thënë se kohët e fundit ka pasur një ngritje të harxhimeve të importit si në port, po ashtu edhe në shërbime të tjera. “Kështu që evitimi i pagesës së terminalit në Kosovë do të ishte një favor shumë i mirë për të gjitha kompanitë që e shfrytëzojnë Portin e Durrësit. Rëndësia më e madhe e tërë kësaj është e natyrës politike, ku dalëngadalë do të bien të gjithë barrierat e të bërit biznes në mes të Kosovës dhe Shqipërisë që çon në shndërrimin e dy vendeve në një zonë të përbashkët ekonomike”, është shprehur Piraj.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe me Doganën e Kosovës, respektivisht Bashkim Arifin, udhëheqës i Departamentit në Dogana, por ai nuk është përgjigjur rreth kësaj çështje.

Lexo po ashtu:  Hungaria ndalon me ligj "promovimin e homoseksualitetit"

Ndërkaq, ditë me parë në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë se sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë, konkretisht lehtësirave nga porti i Durrësit, ende ka vështirësi të procedurave administrative.

“Porti i Durrësit është një lehtësim i madh për ne, sepse janë ende disa probleme të natyrës administrative dhe këto do të duhej të tejkaloheshin. Qeveritë e të dyja vendeve duhet t’i identifikojnë mirë problemet e përbashkëta dhe jo vetëm të mbajnë takime dhe konferenca mediale”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *