Nga 1 tetori 2018 deri më sot, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) janë raportuar gjithsej 29.938 raste të dyshimta në grip (ILI), 4.719 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 43 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut). Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës.

IKSHP thotë se numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajit por asnjëra akoma nuk e kalon pragun epidemik.

Gjatë javës së 7-të (11.02.2019-17.02.2019) janë raportuar 3.116 raste ILI, 285 raste ARI dhe 9 raste SARI.

“Gripi sezonal në vend ka aktivitet me intensitet të mesëm me tendencë rritje në javët në vijim. Trendi i rritjes është më i ulët se vitin e kaluar. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 22 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 632 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 223 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 32.3 %). Sipas subtipit 161 mostra Influencë A e pasubtipizuar dhe 62 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 që mbizotëron edhe në vendet e rajonit dhe të Evropës”, thotë IKSHP në njoftimin për media.

Ndërkaq, IKSHP bën me dije se nga Klinika Infektive dhe Klinika Emergjente në këtë sezon janë raportuar 4 raste të vdekjes me subtipin AH1pdm09 dhe 5 raste me influenca A.

Pacientët, thotë IKSHP, kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

IKSHP jep disa rekomandime për Institucionet shëndetësore që duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze.

Ngritja maksimale e nivelit të vigjilencës dhe gadishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë.

Kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private),

Lexo po ashtu:  Aksion policor në Mitrovicë të Veriut - këto janë detajet e para

Të gjitha rastet e dyshimta në grip të vazhdohet të evidentohen dhe raportohen nga të gjitha Institucionet Publike dhe Private Shëndetësore.

Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së si dhe Institucionet tjera Spitalore të vendit).

Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), duhet që të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta.

Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale.

Të ndërpriten tërësisht vizitat e pa nevojshme si dhe prezenca e personave të pauniformuar në Institucionet Spitalore.

Të përdoren nga personeli shëndetësore masat mbrojtëse konform udhëzimeve.

Të vendosen materialet propagandistike dhe edukative për parandalimin e gripit në Institucionet Shëndetësore, shkollore apo entet publike ku tubohen qytetarët- nga përgjegjësit e tyre.

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi te saj), Spitalet Publike Rajonale dhe spitale e qyteteve, përfshirë edhe ambulancat dhe spitalet private do ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkt (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet rajonale të Shëndetësisë Publike.

Institutet rajonale do ti përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar me mjetin më të shpejt të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar.

Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacient me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive.

Lexo po ashtu:  Grenell i ka dhënë energji të re procesit të dialogut

Personeli i Klinikës Infektive i dërgon mostrat për konfirmim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke plotësuar pyetësorin përkatës.

Akoma mund të vaksinohen grupet e riskut (punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike).

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar vaksinat e gripit që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen akoma që të vaksinohen.

“Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje të rasteve të hospitalizuara. Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve”, thotë IKSHP në njoftimin për media.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës thotë të ketë rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A H1N1 dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.

Zyrtarët e IKSHP-së tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm.

Instituti ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.

Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,

Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes

Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz

Lexo po ashtu:  Ministria e Lekajt pagoi 156 mijë euro për 32 zyrtarë që nuk shkuan kurrë në punë

Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina

Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni

Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt

Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.

Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor por edhe gjatë tërë sezonit të dimrit.

Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

Instituti Kombëtar apelon te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes ndaj gripit dhe të gjitha virozave të stinës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *