Giuseppe Verdi ishte dhe mbeti i plazmuar si një prej dy majave që rrokaqiellin me famë dhe madhështi eterin operistik të shekullit XIX. Viti 2013 ishte një vit kujtese për atë që do të skaliste në memorien e brezave shtatoren më të lartë të kumtimit mjeshtëror të një shekulli.  200 vjet në të ikur e naltësuan në apogje këtë figurë emblematike. Gjunjëzohemi sot, besimplotë para kujtesës për këtë gjeni tokësor të operas italiane dhe botërore. Përbashkohemi krejt tok në këtë mbamëndje. Se kjo magji ngas në vetëdijen tonë artistike nderim të njëzëshëm, për Giuseppe Verdin, ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian.

Ngadhnjimtari i Apenineve

Giuseppe Verdi, italian kryekëput ishte ai. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane. Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.

Emblematiku i skenave operistike

Pa emrin e Giuseppe Verdit, galeria e kryeveprave operistike botërore do të ishte e mangët. I zbrazët do të ishte qielli i bruztë i shekullit XIX pa Giuseppe Verdin dhe Richard wagnerin, emrat e të cilëve nuk na lidhin vetëm me operan, por me botkuptimin dhe filozofinë e përjetimeve dhe shijeve estetike të një shekulli. Bota Apenine pa Verdin nuk do të kishte kreshtë të krenarisë prejnga do të mësynte gjeneratave dhe botkuptimeve me një shëmbëllim të kësisojtë. Sot 200 vjet më parë lindi ai, ai dhe ato; “Rigoletto”, “Traviata”, “Trovatore”, “Nabuko”, “Makbeth”, “Aida”, “Don Carlo”, “Otello”. Pa këto kryevepra të memories operistike, pa këto kumte lirike do të mbyllnin dyert ata që sot mbahen sallat e shugurimit të shenjtorëve të artit. Saora do të shterronte forca e përceptimeve ndjesore, marrëdhënia e shënjtë e njeriut me muzikën dhe densitetin emocional që shpërthente nëpër këto salla, për tu kthyer më pas në energji dhe vitalitet vërshimi ndryshues dhe përqafës.

Lexo po ashtu:  Bebe Rexha u ofron ndihmë me të holla personave në nevojë

Viti 2013, viti “Viva Verdi”

Viti 2013 është viti verdian. Dyqindëvjetori i lindjes së Giuseppe Verdit u përkujtua dhe vazhdon të mbush sallat koncertore dhe operistike me shpirtin e kredhur në kryeveprat e tij. Në çdo cep të globit, ai do të rivijë në të tashmen e këtij brezi, mbamëndje dhe trashëgimi universale e njerëzimit. Në Italinë mëmë, “Viva Verdi” përciku me aktivitetet përkujtuese pëllëmbë për pëllëmbë Gadishullin Apenin. Nga Parma, vendlindja e kompozitorit më 12 janar, me një ballo me maska startoi ky vit festiv, për tu përmbyllur me Traviatën që do t’i besohet  Daniele Gatti, në La Scala më 7 dhjetor 2013.

Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane dhe asaj botërore. Ai mbetet i tillë jo vetëm në kufinjtë shpirtëror dhe kalendarik të shekullit të XIX. Kapërceu me sharmin dhe kumtin e tij shekuj dhe gjenerata. Shkroi me shpirt dhe pasion ata që do të jenë sot e në përjetësi pjesë të fondit të artë të historisë së operas.

Vegjelia e mjeshtrit të madh

Giuseppe Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqen qysh heret. Shkollimi i këtij vullneti ngashërues u vu përballë pamundësishë dhe vështirësishë. Paradoksale por jo e panjohur, kjo ngase ai kishte origjinë nga fshati. Në moshën 18-vjeçare dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se e kishte kaluar moshën e paraparë dhe se nuk zotëronte mirë pianon. Për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punojë që të sigurojë mbijetesën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh, Verdi arriti të kompenzonte mësimet që do t’i bënte në konservator. Meqë punonte si instrumentist në qytetzën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Veç punës për ngritjen profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, kryevepra të letërsisë botërore që do të bëheshin mbështetje për krijimin e libreteve të operave të tij të njohura.

Kompozitori revolucionar dhe patriot

Veç origjinës që e torturoi, paradoksalisht rrugëtimin e tij promovues do ta tensiononte, por edhe do ta lartësonte pozita historike e Italisë. Verdi jetoj në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Ndaj kjo e bëri atë dëshmimtar dhe pjesëmarrës të zedhshëm në këto përpjekje dhe përleshje. Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje, ngjizej sakaq në flakadanin e kësaj “kacafytje”. Kësisoj kjo etapë mund të quhet si etapa revolucionare e Verdit. Asokohe ai arrin suksesin e vet të parë me operën “Nabuko”, e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rilindjes. Nga kjo kryevepër operistike, emri i Verdit u be siombol i kësaj levizje që shprehej me “VIVA Vitori Emannuel”, mbreti i Italisë. Pra i brohorisnin mbretit të Italisë, në vend të atij të Austrisë, nën sundimin e të cilit osohere ishte Italia. Korali nga opera Nabuko këndohej si kënge patriotike nga masat italiane, duke e vendosur sakaq shpirtin verdian në vijën e parë të frontit patriotik.

Lexo po ashtu:  Këngët shiptare përballë atyre ruse, shikoni si reagojnë të huajt

Kapërthimi në kreshtën e lavdisë

Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën. Mjeshtri dallon nga bashkatdhetaret e vet, kompozitorët, të cilët vite të tëra jetonin dhe krijonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe, Itali, lidhur ngusht me popullin si një patriot i vërtetë. Ai u përkushtua sakaq në njohje me historinë e vendit të tij mbi te gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës, prej së cilës hoqi disa mangësi eventuale që vëreheshin, veçanërisht në operat seri. Ai bëri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos, jo për qellim në vetvete, por për shërbim të përmbajtjes.

Meloditë e operave të Verdit ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Këto dy komponent njësues ishin të mishëruara mesvedi, ndaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte, dhe bashkëpunoi ngusht me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi njëkohësisht anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e Verdit mbështetej veçmas në burimoren e traditës. Kësisoj ai erdhi për të mbetur një faktor i rëndësishëm i afrisë me njerëzit e thjeshtë. Kujtojmë kushtet dhe rrethanoren e asokohëshme, kur opera ishte një art vetmitar i ngushëllimit të tragjikes së një brezi.

Verdi kompozitori patriot

Origjina e tij do ta mbante shpirtërisht dhe artistikisht të lidhur me Italinë dhe popullin italian, historinë dhe traditën e kombit. Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjate jetës se tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të Italisë dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901. Ai kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kane një përmbajtje serioze dhe disa sosh janë edhe tragjedi. Operat me të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabuko, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, ballo me maska, Aida, Othello Falstaf opere komike.

Lexo po ashtu:  Vepra arti që mund t’ju ndihmojnë të jetoni

Në historinë e gjate të operës, Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat me të bukura të operës Italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës Italiane, të absorbojë elementet pozitive që ishin shfaqur ne artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente te reformës se Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

Verdi dhe Wagneri polet e universit operistik

Ata ishin dhe mbetën më të mëdhenjt e një shekulli. Shkruesit me të zellshëm të historisë së operas evropiane dhe botërore. Ata jetuan si një binom paradoksal. Verdi dhe Wagneri, ishin udhëheqësit e shkollave të tyre përkatëse të muzikës. Dukshëm ata nuk e durojnë njëri-tjetrin në masë të madhe, edhe pse kurrë nuk u takuan. Komentet e Verdit mbi Wagner dhe muzikën e tij janë të pakta dhe aspak mirëdashëse “Ai gjithmonë zgjedh, të panevojshmen, rrugën e braktisjes, duke u përpjekur për të fluturuar ku një person racional do të ecte me rezultate më të mira, shkruan Verdi. Me të mësuar ndarjen nga jeta të Wagner, Verdi e derdhi brendinë: “Sad, i trishtuar, i trishtuar! Një emër që do të lërë një përshtypje të fuqishme në historinë e artit.” Prej komenteve të Wagner-së mbi Verdi, vetëm një është e mirënjohur. Pas dëgjimit të Requiem të Verdit, gjermanisht, pjellor dhe elokuent, në komentet e tij me disa kompozitorë të tjera deklaroi, “Ajo do të jetë e mirë për të mos thënë asgjë.”. I tillë ishte Wagner, sepse sintesë e këtij shpirti ishte dhe “Tristani dhe Izolta”, tragjik.

Verdi më shumë se një kujtesë

Sot kur njëzëshëm dhe vullnetlirë thërrasim dhe pranojmë atë, Giuseppe Verdi, si një korife i operas italiane dhe botërore, kujtesa do të ishte një prekje e përciptë e ngulmit që rreket të rrok të tashmën e një gjenerate. Ne i jemi më së shumti mirënjohës. Italia do t’i jetë borxhli, Giuseppe Verdit, atij që nuk i’a ktheu shpinën kurrë, atij që e ngriti me pasion dhe përkushtim vendlindjen e tij në pjedestalin e universit operistik. Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin, lirikun dhe romantikun ngadhnjimtar të shekullit XIX. /Albert Vataj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *