Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti sot në takim nënkryetarin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland, me të cilin ka biseduar për tema të ndryshme, si zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit dhe investimet e huaja.
Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Wieland, shprehu entuziazmin për formimin e qeverisë së re dhe për synimin e saj për ta luftuar korrupsionin, duke thënë se korrupsioni e rrit mosbesimin e qytetarëve dhe e bën të pamundur funksionalizimin e vërtetë të institucioneve.
Ndërsa, kryeministri Kurti nënvizoi se investimet nga jashtë ndihmojnë strukturimin e ekonomisë së brendshme.
“Suksesi i mërgatës në Kosovë do të shërbejë si dëshmi për investuesit e tjerë të huaj. Për punën vlen modeli i sistemit dual, sipas përvojës së Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës. Ndërlidhja e arsimit cilësor me korrektësinë e tregut të punës përbën një strategji që e tejkalon mandatin elektoral”, u shpreh ai.