Pjesa e gjashtë e librit “Të vërtetat e vonuara”, nga akademik Rexhep Qosja, këtu, në MekuliPress:

Deductio ad absurdum (1)

Nga kalon mendimi kombëtar shqiptar? Nëpër cilat rrugë, fusha, male, lumenj, dete, vende, kontinente?

Mendimi kombëtar shqiptar kalon nëpër veprën e Ismail Kadaresë.

Pikë dhe s’ka tjetër! S’ka pikëçuditje!

Dhe në qoftë se Ismail Kadare ka një meritë jo letrare, po më të gjerë, cila është kjo meritë jo letrare po më e gjerë e tij?

Ismail Kadare ka meritën se në tërë veprën e tij ka mbledhur copëzat e shpirtit kombëtar.

Pikëçuditje!

Kush, kur dhe me çka e copëzoi ashtu shpirtin tonë kombëtar?

Nuk ka përgjigje!

Çka doli prej atyre copëzave të shpirtit kombëtar, që mblodhi Ismail Kadare?

Doli një shpirt jo kaq solid.

Pse shpirti kombëtar ishte jo kaq solid?

Sepse nuk mund të them se ishte kaq i trunguar?

Pikëçuditje!

A vetëm sepse nuk mund të thuhet se ishte kaq i trunguar?

Jo, por edhe sepse nuk ishte kaq i inkorporuar.

Pikëçuditje!

 Ku do të duhej të kishte qenë kaq i inkorporuar?

S’ka përgjigje!

Kur e pa shpirtin kombëtar ashtu të copëzuar, ashtu të patrunguar dhe ashtu të painkorporuar, çka bëri shkrimtari politik Ismail Kadare?

E thashë: mblodhi copëzat e shpirtit kombëtar.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Nga cilat kohëra i mblodhi copëzat e shpirtit kombëtar ai?

Nga të gjitha kohërat deri më sot.

Edhe nga kohërat ilire?

Nuk ka përgjigje!

Edhe nga Mesjeta?

Nuk ka përgjigje!

Edhe nga koha e komunizmit?

Nuk ka përgjigje!

Deductio ad absurdum (2)

Si i ka mbledhur shkrimtari politik Ismail Kadare copëzat e shpirtit kombëtar, jo kaq solid?

I ka mbledhur jo në frymën e një nacionalisti të sëmurë.

Pikëçuditje!

Po në çfarë fryme i ka mbledhur Ismail Kadare copëzat e shpirtit kombëtar jo kaq solid, ashtu të patrunguar dhe të painkorporuar?

I ka mbledhur në frymën e një nacionalisti pozitiv?

A vetëm në frymën e një nacionalisti pozitiv?

Jo vetëm në frymën e një nacionalisti pozitiv, por edhe në frymën e një nacionalisti pozitiv qytetar.

Pikëçuditje!

Pozitiv qytetar?

Pikëçuditje!

Qytetar tërësisht.

Pikëçuditje!

Çfarë bindje keni pasur për Ismail Kadarenë në këtë aspekt?

Personalisht e kam pasur dhe e kam këtë bindje, që në këtë aspekt Ismail Kadare është rilindës modern.

Kur për njërin thuhet se ishte rilindës modern, mos do të thotë kjo se kemi edhe rilindës tradicional?

Lexo po ashtu:  Unë nuk njoh lumni: Jam bir i mjerimit, i lanun rrug’ve n’rravgime - nga Esat Mekuli

Pa dyshim.

Çfarë dallimi ka midis rilindësit modern dhe rilindësit tradicional sipas mendimit tuaj?

Rilindësi modern është nacionalist pozitiv qytetar, qytetar tërësisht, kurse nacionalisti tradicional është nacionalist i sëmurë?

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mos do të thotë kjo se Naim Frashëri, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ismail Qemali, Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, meqë ishin nacionalistë tradicionalë, janë nacionalistë të sëmurë?

Nuk ka përgjigje!

Meqenëse Ismail Kadare është nacionalist pozitiv qytetar, tërësisht qytetar, kush është sot nacionalist i sëmurë?

Nacionalist i sëmurë është ai që kuturis të polemizojë me nacionalistin pozitiv qytetar, tërësisht qytetar.

Pikëçuditje! Pikëçuditje! Pikëçuditje!

Conclusio

Çfarë vepre (letrare, shkencore, publicistike) u krijua prej atyre copëzave të shpirtit kombëtar, jo kaq solid, që nuk mund të thuhet se ishte kaq i trunguar dhe kaq i inkorporuar, që mblodhi Ismail Kadare?

U krijua një vepër letrare dhe publicistike moderne.

A mund të thuhet, zoti kryeministër, se prej atij shpirti jo kaq solid, të patrunguar dhe të painkorporuar, përpos asaj vepre letrare dhe publicistike moderne politike, Ismail Kadare krijoi edhe vepra të realizmit socialist në të cilat njëkohësisht u krijuan një varg mitesh, si miti i komunizmit, miti i proletariatit ndërkombëtar, miti i luftës së klasave, miti i udhëheqësit të madh proletar, i cili prapa kishte historinë, miti i barazisë pa të pabarabartë, miti i ardhmërisë ku do të punosh sa të jesh në gjendje, por do të të jepet sa të kesh nevojë e mite të tjera?

No coment!

Va beneVa beneVa bene!

Dora e gjatë e kryeministrit

Mbas përimtimit të mësipërm, të cilin ndonjë lexues mund ta lexojë si një skeç humoristik – ndonëse skeç nuk është – është e nevojshme të thuhen edhe disa fjalë për deklaratën që kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka dhënë në konferencë me gazetarët, mbi polemikën midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes, domethënë midis nacionalistit pozitiv qytetar, tërësisht qytetar – si e quan ai të parin dhe nacionalistit të sëmurë – si lë të kuptohet se e quan ai të dytin, midis rilindësit modern – si e quan ai të parin dhe rilindësit tradicional – si lë të kuptohet se e quan të dytin.

Në botën demokratike perëndimore e kur thuhet në botën demokratike perëndimore, zakonisht, mendohet në Evropën Perëndimore dhe në SHBA, në Kanadanë dhe në Australinë nuk mund të ngjasë që një ish-kryetar shteti, një kryeministër, një kryetar Kuvendi, një ministër, të fusin hundën në polemika midis intelektualëve dhe të japin gjykime e të bëjnë vlerësime në dobi të njërit a të tjetrit pavarësisht nga partishmëria e njërit a tjetrit, pavarësisht nga rëndësia, dobia a mosdobia e çështjeve rreth të cilave polemizojnë ata. Krijimtarisë shpirtërore në botën demokratike i njihet pavarësia të cilën, mendohet, njerëzit politikë nuk duhet ta lëndojnë me gjykimet e tyre politike. Njerëzit politikë në këtë botë mund të jenë miq me krijues të ndryshëm – shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, artistë, por në punë të krijimtarisë dhe të marrëdhënieve të tyre me krijues të tjerë nuk përzihen. Krijimtaria shpirtërore trajtohet e veçantë, prandaj nderohet edhe njëfarë sjellje më pak a më shumë e veçantë e krijuesve. Vetëm në despotitë, në tiranitë, në diktaturat e ndryshme, në rendet totalitare, njerëzit e politikës i kanë lejuar dhe i lejojnë vetes të fusin hundën, duart dhe këmbët në punë të krijimtarisë, në diskutimet midis krijuesve, në polemikat e tyre, në marrëdhëniet e tyre. Nuk mund të thuhet se ish-kryetari e, tani, kryeministri, Sali Berisha, nuk i di rregullat e sjelljes së mirë, normale qytetare, tërësisht qytetare, demokratike të njerëzve të politikës në fushën e krijimtarisë shpirtërore dhe në diskutimet midis krijuesve të ndryshëm. Dhe, nuk mund të thuhet se ish-kryetari dhe, tani, kryeministri Sali Berisha nuk e di sesa shumë dhe sesa përgjithmonë janë komprometuar përzierjet e njerëzve të politikës në fushën e krijimtarisë shpirtërore, përzierjet e despotëve, tiranëve, diktatorëve, kryetarëve, kryeministrave, kryetarëve e sekretarëve të partive, pavarësisht si janë quajtur a si quhen ata, në arte, në filozofi, në shkenca, në jetën, në marrëdhëniet, në diskutimet dhe në polemikat e krijuesve. Sigurisht i di ai të gjitha këto, por kur bëhet kryetar a kryeministër, nuk do t’i dijë. E ka dëshmuar këtë ai edhe në mandatin e parë si kryetar, edhe në mandatin e dytë, mbasi u rizgjodh në gjendje të jashtëzakonshme dhe filloi ta dëshmojë edhe tani, posa u zgjodh kryeministër! Atëherë, gjatë mandatit si kryetar, jo rrallë paraqitej me gjykime për letërsinë, për artet, për shkencat, për krijuesit e ndryshëm letrarë, artistikë, shkencorë. Kujt nuk i kujtohet fjalimi i tij me rastin e riatdhesimit të trupit të Faik Konicës në Tiranë? Pse të flasin kolegët për të? Ç’rëndësi mund të ketë fjala e tyre? Duhet të flasë kryetari dhe vetëm kryetari i shtetit!

Lexo po ashtu:  Mafie ballkanike e lidhur edhe me CIA-n. Kush janë grupet kriminale më të fuqishme

Dhe, jo vetëm kaq dhe jo vetëm kështu. Ai, kryetari, duhej të fliste, madje, ta thoshte fjalën vendimtare për institutet shkencore, për Akademinë e Shkencave, për drejtorët e instituteve dhe për kryetarët e Akademisë.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

I zbriste dhe i ngrinte drejtorët e atyre instituteve shkencore! I zbriste dhe i ngrinte kryetarët e Akademisë! E bënte kryetar Akademie dikë që s’ishte anëtar Akademie dhe i kërcënonte se do t’i zhbënte nga anëtarësimi në Akademi anëtarët e Akademisë! I bënte të gjitha këto ish-kryetari dhe, megjithatë, gëzonte simpatinë e deklaruar të Ismail Kadaresë! Si edhe tani!

Dhe, tani, prapë e njëjta këngë! Në duet: kryeministri-shkrimtari!

Kryeministri duhet ta thotë fjalën për gjuhën standarde!

Kryeministri duhet ta thotë fjalën për punët në institutet shkencore dhe për fatin e instituteve shkencore!

Kryeministri duhet ta thotë fjalën për punët në Akademinë e Shkencave dhe për fatin e Akademisë së Shkencave!

Kryeministri duhet ta thotë fjalën për punët në universitetet dhe rreth universiteteve!

Kryeministri duhet ta thotë fjalën, që do të jetë fjala kryesore, fjala-platformë, për polemikën midis dy shkrimtarëve!

Lexo po ashtu:  Kadare: Pjekuria e mendësisë shqiptare bëhet me Migjenin

Pse jo? Pse jo kur e pyesin gazetarët? Pse jo kur fjala e tij pritet edhe prej shkrimtarit të tij, Ismail Kadare?

Pse jo kur është i gjithëdijshëm i gjithkundshëm dhe i gjithëfuqishëm?

Pse jo kur i lejohet të jetë i gjithëmundshëm, i gjithkundshëm dhe i gjithëfuqishëm?

Pse jo?!

Kryeministri ynë, politikani me gjestet, me sjelljet, me metodën, me stilin, me mentalitetin më joevropian në politikën shqiptare, e ka një shembull prej të cilit ka mësuar shumë, si unë prej Erazmos.

E dini si quhet mësuesi i tij?

Si jo? Kush nuk e di? Quhet Xhugashvilli. Përpos se kryesonte Partinë dhe Shtetin, ai donte të kryesonte mendimet edhe në gjuhësi, në letërsi, në ekonomi, në pedagogji, në psikologji, në filozofi, madje, edhe në astronomi, prandaj nuk ngurronte ta thoshte fjalën e fundit qoftë për Shollohovin e Pasternakun, qoftë për Dostojevskin e Gorkin, qoftë, madje, për psikanalizën dhe teorinë e relativitetit.

Porsi Xhugashvilli për Dostojevskin dhe Gorkin, për Shollohovin dhe Pasternakun, edhe kryeministri ynë do të japë mendimet për Konicën, Ismail Kadarenë dhe vogëlsinë time! VAZHDON NËSER…!

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *