Na është thënë dhe shpjeguar me kohë, që në fillimet e shkollimit tonë, se sa vlerë ka edukimi dhe kultura për secilin nga ne. Sot, në kushtet e teknologjisë së avancuar, kuptimi i edukimit është tjetërsuar disi. Edukim sot quhet mbajtja e një smartfoni në dorë dhe shfletimi i faqeve të ndryshme online për qejf, a thua se ato të japin kulturën e duhur për t’ia dalë në jetë. Dhe sot rinia thotë se po ecën në rrugën e duhur. Sot rinia thotë se është shumë më e avancuar se prindërit e vet.

Por pse po ndodhin sot kaq shumë ngjarje në radhët e të rinjve? Pse po akuzohen të rinjtë për vjedhje, shitje droge, prostitucion? Mos vallë këto tregojnë avancim, apo progresi dhe regresi për të rinjtë tanë janë e njëjta gjë?

Sot nuk po lexohet. Sot nuk po shfletohen më librat. Nëse shkon në një bibliotekë, shumicën e lexuesve i ke të moshuar, ndërkohë që të rinjtë i zënë vendet vetëm gjatë sezonit të provimeve. Sot po harrohet rëndësia e një edukimi të duhur. Nuk është fjala vetëm për t’u bërë i aftë në një profesion të caktuar. Kjo nuk është koha kur një person duhet të jetë i informuar vetëm në një fushë, por është koha kur njerëzit duhet të kenë njohuri të përgjithshme në fusha të ndryshme. Kjo shoqëri nuk ka se si të ecë përpara me njerëz që nuk lexojnë.

Lexo po ashtu:  6 mënyra për të marrë nën kontroll zhvillimin e karrierës tuaj nëse kompania juaj nuk kujdeset për të!

Por, përpara se të shkojmë tek shoqëria, pasi ajo është hallka e fundit e gjithë ngjarjeve që pasojnë njëra-tjetrën, qëndrojmë tek individi. Individi ndihet i kënaqur, por thellë-thellë nuk është i plotësuar. Nëse shkon diku dhe nuk je i edukuar apo i kulturuar siç duhet, je direkt i mënjanuar prej të tjerëve. Nëse do të arrish diçka, mungesa e njohurive nuk të çon dot kurrsesi drejt finishit. Individi jo i kulturuar në një moment, apo në një tjetër, do ta gjëj veten shumë bosh në një ambient ku pjesa tjetër ka kulturë dhe njohuri.

Sot nuk ka gjëra të pamundura, edhe pse jetojmë në një kohë kapitalizmi dhe duket e vështirë gjetja e një pune, apo arritja e suksesit. Kjo normalisht është një vështirësi, por le të mos e shohim në këtë aspekt. Le ta shohim këtë si një kërkesë të sistemit dhe shoqërisë që na rrethon për t’u vetëpërmirësuar.

Unë të kërkoj të lexosh, të lexosh shumë, edhe në kohën tënde të lirë. Merr një roman dhe shfletoje. Nuk do të të japë as dije, as edukatë dhe as do të ta pasurojë fjalorin përdorimi i rrjeteve sociale. Ato, përveç fiksimit përpara ekranit të smartfonit, nuk të falin gjë tjetër.

Lexo po ashtu:  Vuani nga migrena? Lëvozhga e bananes një ilaç shumë efektiv

Dhe unë të kërkoj të hapësh sytë dhe të shohësh se si po e përdor kohën tënde. Nëse zbulon se po e shpërdoron atë, atëherë merr masa për të ndryshuar. Lexo, shko në bibliotekë, mbaj shënime. Lodhu sot që nesër të jesh i shplodhur. Nuk ka gjë që ta ndalë një njeri me dije, sado të mundohet. Edhe pse neve ndonjëherë nuk e pranojmë, thellë-thellë e dimë se edhe në një vend si yni, ku korrupsioni është sheshit, sërish i miri vlerësohet. Nëse i ke njohuritë dhe aftësitë e duhura, askush nuk ta mohon sot mundësinë e punësimit.

Ndaj, lexoni. Pasuroni kulturën dhe edukatën tuaj. Pasuroni fjalorin tuaj. Neve na ka marrë malli të dëgjojmë një të ri të flasë rrjedhshëm dhe me mend. Bëhu ti një i ri i tillë. Bëj ndryshime nisur nga vetja jote. Mos mendo se do humbasësh duke i bërë këto gjëra, dija nuk shkon kurrë dëm. Përderisa ajo të shoqëron përgjatë gjithë jetës, ajo kurrsesi nuk mund të të bëjë të humbasësh, por të fitosh në jetë. Studjo dhe dil në dritë. Është gjithçka në dorën tënde. Nëse në të ardhmen do ta shohësh veten të papunë, të pakulturuar, rri me smartfonin tënd në dorë. Por nëse mendon të ecësh përpara në këtë shoqëri, përmirësohu. Asnjëherë mos u mjafto me aq sa di, por kërko më shumë, sepse të kërkosh më shumë në rrugën e dijes, sërish nuk mjafton. Asnjëherë nuk mund t’i mësosh dot të gjitha, por të paktën përpiqu dhe vetëpërmirësohu… / Fatjon Xhafaj

Lexo po ashtu:  Si të ulni rrezikun ndaj ftohjes dhe gripit? – Ja disa zakone të thjeshta ditore që duhet të evitoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *