Nga Timothy E.Wirth & Tom Rogers

Duket gjithnjë e më tepër se Xho Bajden mund ta mundë Donald Trumpin në nëntor. Presidenti duket gjithnjë e më shumë larg rizgjedhjes në detyrë, për shkak të rritjes së pakënaqësisë ndaj tij nga menaxhimi i pandemisë së Covid-19, reagimit të tij ndaj policimit të karakterizuar nga racizmi, për të mos përmendur shumë çështje të tjera.

Edhe në shtetet e lëkundura që zakonisht diktojnë garën, Trump është duke humbur terren, dhe rifitimi i tij do të jetë i vështirë. Në këto kushte, Trump ka dy rrugë për ruajtjen e pushtetit.

Së pari, ne po shohim tashmë shumë qartë një strategji të hartuar enkas, për të shmangur një pjesëmarrje të gjerë të votuesve, përmes pastrimit të listave nga një numër i madh votuesish kryesisht urbanë; dhe përpjekjeve për të mos njohur fletëvotimet me postë, të cilat janë më të domosdoshme se kurrë, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga Covid-19.

Ndërkohë administrata Trump po trajnon 50.000 vëzhgues zgjedhorë, me synim sfidimin e të drejtës së qytetarëve për të votuar ditën e zgjedhjeve, teksa ka përpjekje domethënëse për ta bërë sa më të vështirë votimin në zonat urbane, përmes radhëve të gjata që zakonisht i dekurajojnë njerëzit të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Rruga e dytë për të prishur zgjedhjet është edhe më ogurzezë. Trump po hedh tashmë bazat, sesi do të veprojë nëse e humbet si votën popullore, ashtu edhe mbështetjen në shtetet kryesore të lëkundura, që janë jetike për një fitore në Kolegjin Zgjedhor, por të mbetur ende president.

Pak javë më parë, televizioni HBO transmetoi filmin “Komploti kundër Amerikës”, bazuar në romanin e Filip Rot, ku përshkruhet se si një president autoritar mund të rrëmbejë kontrollin e qeverisë amerikane duke përdorur kompetencat e gjendjes së jashtëzakonshme, që askush nuk mund t’i parashikonte.

Lexo po ashtu:  VV thërret shqiptarët në protestë: Të gjithë kundër ardhjes së kriminelëve serbë në Tiranë

Raportet e fundit mediatike, kanë zbuluar përpilimin nga Qendra Brenan në Universitetin e Nju Jorkut të një liste të gjerë kompetencat presidenciale emergjente, që mund të evokohen në kuadër të një krize të sigurisë kombëtare.

Prokurori i Përgjithshëm Uilliam Barr, i njohur për pikëpamjet e tij ekstremiste mbi zgjerimin e mëtejshëm të pushtetit presidencial, besohet se po lobon në Departamentin e Drejtësisë, duke argumentuar se presidenti mund të ushtrojë kompetenca emergjente në situata të caktuara të sigurisë kombëtare, ndërsa thekson se gjykatat, duke qenë tejet të gatshme të ndërhyjnë në sferën e një emergjence të sigurisë kombëtare , do ta lejonin presidentin të vazhdonte detyrën i pakontrolluar.

Gjëra të ngjashme me skenarin e mëposhtëm, janë gjithnjë e më të mundshme, pasi është e qartë se Trumpi do të bëjë çdo gjë për të shmangur humbjen. Në fakt ai shkroi në Tuiter më 22 qershor:”Zgjedhjet e manipuluara të 2020-ës:miliona fletëvotime me postë do të shtypen nga vendet e huaja, dhe të tjerët. Ky do të jetë skandali më i madh kohërave tona!”.

Me këtë paralajmërim, Trump ka filluar të hedhë bazat e procesit hap pas hapi, përmes të cilit ai do të synojë të mbajë presidencën edhe pasi të ketë humbur zgjedhjet:

  1. Bajden fiton votën popullore, si edhe në shtetet e rëndësishme Arizona, Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani, por me diferencë minimale dhe jo të madhe.
  2. Trump do të deklarojë menjëherë se zgjedhjet janë manipuluar, se ka pasur mashtrime në votat me postë, dhe se kinezët qëndrojnë pas një plani për t’i manipuluar ato, teksa ka pasur dhe “hakerime të tjera zgjedhore” në të katërta shtetet kryesore zakonisht të lëkundura, që i dhanë fitoren Bajdenit.
  3. Pasi ka sulmuar vazhdimisht kinezët gjatë fushatës, duke e quajtur Bajdenin “të butë ndaj Kinës”, Trump shpalos narrativën e tij, duke pretenduar se kinezët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
  4. Trump tregon se kjo është një çështje e madhe e sigurisë kombëtare, dhe evokon kompetencat e gjendjes së emergjencës, duke i kërkuar Departamentit të Drejtësisë të hetojë veprimtarinë e pretenduar në 4 shtetet elektoralisht të lëkundura. Arsyetimi ligjor për këtë, është artikuluar që tani nga kryeprokurori Barr.
  5. Hetimi synon të zvarrisë procesin deri më 14 dhjetor, afati kohor maksimal kur duhet jenë emëruar anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të secilit shtet. E tillë ishte situata 20 vjet më parë në garën Bush-Gor, kur Gjykata e Lartë vendosi që procesi të mbyllej, duke ndalur kësisoj numërimin e mëtejshëm të fletëvotimeve në Florida.
  6. Të katërta shtetet e lëkundura, kontrollohen nga republikanët në nivel shtetëror. Dhe parlamentet lokale mund të refuzojnë certifikimin e secilit propozim të Kolegjit Zgjedhor, derisa të përfundojë hetimi i “sigurisë kombëtare”.
  7. Demokratët mund të ndërmarrin një nismë ligjore, për të vërtetuar rezultatet në këto 4 shtete, dhe emërimin e anëtarëve të Bajdenit në Kolegjet Zgjedhore, duke argumentuar se Trump ka prodhuar një emergjencë të sigurisë kombëtare për të krijuar kaos.
  8. Çështja shkon në Gjykatën e Lartë, e cila ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2000, nuk vendos në favor të republikanëve. Sidoqoftë, meqë afati i Kolegjit Zgjedhor i datës 14 dhjetor duhet të përmbushet; kompetencat e garantimit të sigurisë kombëtar të presidentit e autorizojnë atë ligjërisht që të hetojë ndërhyrjen e mundshme të një vendi të huaj në zgjedhjet kombëtare. Dhe nëse asnjë propozim i Kolegjit Zgjedhor nuk mund të certifikohet nga asnjë shtet deri
Lexo po ashtu:  A është 5G fajtor për përhapjen e shpejtë të COVID-19?

më 14 dhjetor, Kolegji Zgjedhor duhet të mblidhet gjithsesi, dhe të votojë në favor të njërit prej kandidatëve.

  1. Kolegji Zgjedhor mblidhet dhe pa zgjedhësit elektoralë nga 4 shtetet, as Bajden dhe as Trump nuk kanë votat e mjaftueshme për të fituar shumicën në Kolegjin Zgjedhor.
  2. Zgjedhjet kryhen në Kongres, në përputhje me Kushtetutën. Sipas procesit përkatës kushtetues, votimi në Kongres bëhet nga delegacioni shtetëror, ku secili delegacion ka një vote, e cila diktohet nga shumica e përfaqësuesve në atë shtet.
  3. Aktualisht, 26 shtete kanë një shumicë republikane. 23 shtete të tjera kanë një delegacion me shumicë demokrate. Pensilvania, ka numër të barabartë delegatësh. Edhe nëse demokratët do të fitonin vendet në Pensilvani dhe do të ruanin të gjitha vendet e fituara në Kongres në vitin 2018, republikanët do të kishin shumicën nga 26 deri në 24 delegacione.
  4. Kjo votë do t’i jepte mundësi Trumpit të mbante presidencën.

Ne s’kemi luksin të besojmë që ky është një skenar i largët. Sapo e kemi parë Trumpin të kërcënojë se do të evokojë kompetencat në kushtet e emergjencës në bazë të Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, për të nxjerrë në rrugë ushtrinë amerikane kundër protestuesve.

Lexo po ashtu:  Kurti thotë se dy javët e ardhshme janë vendimtare për Kosovën: Rrini në shtëpi

Siç u shpreh së fundmi Fareed Zakaria, duke komentuar librin e ri të ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Xhon Bolton:”Donald Trump është gati të paguajë çdo kosto, të bëjë çfarëdolloj marrëveshje, të shkelë çdo ligj, vetëm për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e tij”.

Shënim: Timothy E. Wirth, ish-senator i Kolorados. Tom Rogers, redaktor i përgjithshëm i “Newsweek”, themelues i televizionit CNBC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *