Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në foltoren e Kuvendit ka thënë se në amendament në projektligjin për rishikim buxhetor ka proceduar propozimin që të ndahet një buxhet prej 3 milionë eurosh në mënyrë që secili qytetar i Kosovës t’i ketë nga dy maska shumë përdorimëshe.

Osmani thotë se ky buxhet mund të ndahet nga paratë e luksit që po planifikojnë t’i shpenzojnë disa institucione shtetërore, përcjell Zëri.

“Unë sot kam proceduar një amendament në projektligjin për rishikim buxhetor. Kjo në mënyrë që të përfshihet buxheti për shpërndarjen e maskave shumëpërdorimëshe falas për qytetarët. Fjala është për maska që përdoren më shumë se një herë. Në tregun tonë maskat kushtojnë një euro që do të thotë buxheti total i propozuar është 3 milionë euro. Në këtë mënyrë secili qytetar që ka nevojë mund ta përdorë e ta pastrojë maskën. Për secilin nga dy maska. Dhe ku e marrim atë buxhet? E marrim nga paratë e luksit që janë ndarë për disa institucione që po tentojnë t’i ndryshojnë mobiliet, blejnë telefona laptopa e vetura të reja”, ka deklaruar ajo.

Lexo po ashtu:  Pritjet nga zgjedhjet në Serbi – Vuçiqi prapë?

Ndërsa për projektligjin e shumëpërfolur për pandeminë, ajo ka thënë se me procedimin e këtij projektligji është përmbushur kërkesa e Gjykatës Kushtetuese.

“Siç e dini, para disa ditëve duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore për shkak të pandemisë kam propozuar që në një seancë të trajtohet në procedurë të përshpejtuar projektligji për parandalimin dhe menaxhimin e situatës me pandeminë i cili është iniciuar që nga prilli i këtij viti dhe që synon krijimin e një baze ligjore për përballje më efikase kundrejt pandemisë. Kjo ishte përmbushje e obligimeve karshi kërkesave të vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese. Pa u krijuar baza ligjore ne nuk mund të sigurohemi se po ndahet buxhet për masa të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *