Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se do të kërkojnë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) që të inspektojë disa dokumente të klasifikuara në Kabinetin e ish- u.d. ministrit Xhelal Sveçla.

Në njoftimin e MPB-së thuhet se pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinetin e këtij të fundit është gjetur një gjendje e pa rregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara me nivelin përkatës të klasifikimit.

Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar fillimisht një Komision, i cili ka evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit.
Ky komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të

sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar.

“Pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe do të ftojë autoritetin kompetent, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se kabineti i ish- ministrit Xhelal Sveçla i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde sipas rregullores për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”.

“MPB së bashku me AKI do të ndërmarrin hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se “cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim“.

“Bazuar në aktet normative të gjitha institucionet publike garantojnë sigurinë fizike dhe sigurinë e informacioneve lidhur me informacionet e klasifikuara në pajtim me standardet dhe procedurat e përcaktuara përmes këtyre akteve nënligjore”.

“Ndryshe, kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *