Agim Vinca

(Esad Mekuli, 1916-1993)

Njëqind vjet më parë dhe pikërisht më 17 dhjetor të vitit 1916, në qytezën e bukur të Plavës (sot nën Malin e Zi), lindi njeriu që do të bëhej zëri më i artikuluar i poezisë shqipe të pasluftës në Kosovë, Esad Mekuli. Imazhet e vendlindjes, bjeshkët madhështore, liqenet e bukur malorë, pishat e gjelbra, grykat dhe lumenjtë, qiejt dhe retë, nuk do të hiqen nga sytë e djaloshit, i cili, në moshë të re, do ta kalonte Çakorrin dhe do të vinte në Pejë për t’u shkolluar, në gjimnaz, e pastaj edhe në Beograd e Zagreb dhe do të bëheshin burim frymëzimi i tij. Sepse Esad Mekuli, e kjo pak është thënë në kritikën tonë letrare, është poet me ndjeshmëri të rrallë për peizazhin dhe bukuritë natyrore, por peizazhi i tij në poezi nuk ekziston vetëm për hir të vetvetes, por është në funksion të njeriut, të jetës së tij sociale dhe të ëndrrave e aspiratave të tij individuale. Imazhet e vendlindjes dhe tok me to edhe këngët epike të xhaxhait të shoqëruara me lahutë, ngjallën në shpirtin e të riut dashurinë për vendin dhe krenarinë për lavdinë e të parëve. Në Kujtimet e tij të botuara te “Jeta e re” nr. 5, 1981, me rastin e 50-vjetorit të krijimtarisë, poeti Esad Mekuli flet edhe për ballafaqimin e parë me vdekjen: vdekja e së motrës më të vogël, Mejremes, e nxit të shkruajë vjershën e tij të parë Jeta, që nuk është ruajtur si tekst, sikundër edhe shumë krijime të tjera të Esad Mekulit, që kanë humbur në vorbullën e kohës.

Vitet e studimeve në Beograd, ku poeti ra në kontakt me idetë e “së majtës”, një lëvizje e gjerë letrare, kulturore e politike, do të jenë ndër më të frytshmet për Esad Mekulin si poet. Frymëzimin e tij do ta nxisin sidomos pamjet e bashkëkombësve të tij sharrëxhinj e kurbetqarë në rrugët e “Qytetit të bardhë”, të cilat do t’i pikturojë me forcë të veçantë artistike në vargjet e poemthit në katër pjesë Kush i pari bani… (1. Mëngjesi, 2. Nata, 3. O, vlla me sharrë në krah dhe 4. E kam pa të çmendun), që është çmuar nga kritika si një nga majat e poezisë sociale në letërsinë shqipe, duke i ndenjur pranë Poemës së mjerimit të Migjenit. Afërsisht e kësaj kohe është edhe vjersha A asht fajtor shqiptari?, të cilën Esadi me shokë ua shpërndanë si trakt ambasadave të huaja në Beograd në vitin 1938, pas nënshkrimit të marrëveshjes për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. E gjithë poezia ndërtohet mbi pyetjen retorike, e edhe gjuha e saj është e tillë: ”A asht fajtor Shqiptari pse nën kët qiell jeton,/ nën kët qiell – në trojet e të parëve të vet?”.

Esad Mekuli është poet që u identifikua me fatin e popullit të vet dhe këndoi me zërin e tij, thjesht, por bukur, ashtu siç thuhet në vjershën hyrëse të librit Për ty (1955), Popullit tim. “Deshta, shumë kam dashtë, dishrue/ me kangë të të trimnoj,/ me fjalën tande të ndrydhun të ngrej fuqitë nga gjumë…/ Këndova (dhe kur m’ishte e ndalueme)/ se liria do të vinte edhe për ty të përbuzunin/ me popuj këtu e ngjeti,/ unë, biri yt besnik dhe – poeti”. Kjo është kredoja poetike e Esad Mekulit. Poezia ka mision zgjimin e energjive të ndrydhura, çlirimin e ndërgjegjeve të fjetura, nxitjen dhe përudhjen e njerëzve e popujve të shtypur drejt së ardhmes më të ndritur.

Lexo po ashtu:  RREZIK/ Burri thyen organin gjenital dy herë brenda pesë muajve, doktorët i kërkojnë të jetë më i ‘butë’ në seks

Fati i Kosovës dhe i shqiptarëve është lajtmotiv i poezisë së Esad Mekulit. Njeriu shqiptar (homo albanicus), por edhe ai ballkanik (homo balcanicus), i gjendur në udhëkryqet e historisë; shqiptarët e privuar të drejtash, që luftojnë me shpirt ndër dhëmbë për të ruajtur qenien dhe identitetin e vet, por edhe popujt e ndërsyer kundër njëri-tjetrit, nxitën imagjinatën krijuese të këtij poeti. “Na i kemi besue gjithkujt dhe çdo gjaje/ Dhe – nuk i kemi besue kurrkujt e kurrçkafit”.

 Poezia e Esad Mekulit niset nga jeta për të shkuar tek fjalët e jo e kundërta. Ai i takon kategorisë së poetëve, të cilët, siç thotë poeti i njohur grekVarnalis, ndërtojnë gjuhën poetike nga fjalët me të cilat njeriu i zakonshëm ndërton gjuhën e përditshme. “Rr’xoju qiell, i randë si tunxhi, mbi supat tanë të shtypun (…)/ hapu moj tokë e zezë, nën kambët dathë tonat” (Qindro) ose: “Mos trokit në portën e hapun në këtë ditë t’pranverës sime/ Mos më thirr me emën t’huej!” (Mos më thirr me emën t’huej!).

Nga poezitë e paraluftës të Esadit vlen të përmenden edhe krijime të tilla, si: Vegime, Mbramja, Andrra e vajzës, Malli për t’pambërrijtshmen, Idil mbramjeje, Unë…, Lypsat, Djaloshi, Zgjimi, Të persekutuem, Qindro, Rrugës, Përshëndetje, Prej fëminisë, Metohi, Legjionet e të untëve, Tempora mutantur etj.

Edhe pse krijoi në rrethana të vështira, Esad Mekuli arriti t’i shmanget, në pjesën dërrmuese të rasteve, sfidës së kohës: vënies së artit në shërbim të politikës, i bindur se “çdo tekst, qoftë edhe revolucionar, nuk është poezi”, por duke iu kundërvënë edhe artit të tipit lartpurlartist, që refuzon çdo angazhim shoqëror. Si poet i interesuar të komunikonte me njerëzit dhe të ndikonte në formimin e tyre shpirtëror, autori i librit Për ty dhe i të tjerëve që do të vijnë pas, do t’i vërë vetes për detyrë të shprehet qartë e kuptueshëm, duke mos i bërë vend në vargjet e tij shprehjes së errët e hermetike.   

“E keni parë se në poezinë time nuk ka asgjë të komplikuar, asgjë të paqartë. Unë kisha para vetes një popull analfabet, të robëruar. Prandaj, fjala që i drejtohej atij duhet të ishte e pastër, e qartë, e drejtpërdrejtë dhe e kuptueshme për të gjithë” – pati thënë në një intervistë të vitit 1983.

Lexo po ashtu:  Kur poshtëron të tjerët, reflekton vetëm mungesën e lumturisë së zemrës tënde!

Mu për këtë vepra e Esad Mekulit pati një receptim të gjerë te lexuesit shqiptarë. Poezia e tij u botua e ribotua shumë herë, u përfshi në antologji dhe në programet shkollore të të gjitha niveleve, qe në fokus të kritikës letrare, kurse autori i saj u stolis me epitetin “poet i popullit” dhe “bard”. Për veprën e tij janë mbrojtur edhe tema diplome, magjistrature e doktorate. Mungon, megjithatë, një botim i plotë kritik i veprës së tij, që mbetet detyrë e shkencës sonë në të ardhmen.

Ndonjëherë, duke u nisur nga ndonjë poezi e veçantë, Esad Mekuli është akuzuar për mosnjohje të traditës ose edhe mohim të saj. Mendoj se ky qëndrim është i padrejtë, sepse ai është pjellë e trungut shqiptar dhe këtë lidhje të tij të fortë me traditën e dëshmojnë, veç të tjerash, edhe poezitë: Trungu, Bjen sharkia e Ymer Agës e shumë të tjera. Kurse vargun “problematik” të poezisë Gjykimi, një nga poezitë më kuptimplote të tij:“Pse kush ka faj që të parët tanë s’na lanë gati kurrgja pos vorreve dhe padijes”, të përfolur nga disa kritikë,duhet parë në prizmin e së drejtës së poetëve për t’u revoltuar, për të shprehur keqardhjen pse s’kemi trashëguar më shumë. Fundja, poezia nuk është traktat shkencor, por reagim emocional, shpirtëror.

Pos si poet, i veçantë e origjinal, Esad Mekuli dha kontribut të shquar në kulturën tonë edhe si përkthyes letrar. Janë të shumta veprat dhe krijimet letrare që përktheu ai nga letërsia botërore dhe letërsitë e popujve të ish-Jugosllavisë: serbe, kroate, sllovene, boshnjake etj. Nga serbo-kroatishtja në shqip përktheu vepra të rëndësishme si Kurora e maleve e Njegoshit, Vdekja e Smail agë Çengiqit e Mazhuraniqit, Këngët e Ali Binakut e Zogoviqit, kurorën sonetike të Preshernit, poezi të Kërlezhës, romanin Dervishi dhe vdekja të Mesha Selimoviqit etj. etj., kurse nga shqipja në serbokroatisht: Vargjet e lira të Migjenit, Gjeneralin e Kadaresë, romanin Karvani i bardhë të Azem Shkrelit, romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë dhe dramën Sfinga e gjallë të R. Qosjes, poezi të Din Mehmetit e Ali Podrimjes etj.

Roli i Esad Mekulit në organizimin e jetës letrare dhe kulturore në Kosovë është i madh. Gati një çerek shekulli qëndroi në krye të revistës letrare “Jeta e re” (1949-1972), e cila jo vetëm që kishte fizionomi të qartë dhe përmbajtje të pasur, por arriti një tirazh që nuk e kishte asnjë revistë letrare në ish-Jugosllavi dhe asnjë revistë shqiptare ndonjëherë, hiq ndoshta revistën “Nëntori” në Tiranë: tirazhin prej shtatë mijë kopjesh!

Në kuadër të revistës “Jeta e re” ai pati themeluar edhe Edicionin e botimeve, ku botonte kryesisht veprat e bashkëpunëtorëve të revistës, zhvillimin e të cilëve e ndiqte hap pas hapi. Në këtë edicion qe botuar në vitin 1958 romani i famshëm i Adem Demaçit Gjarpijt e gjakut, vëllimet me poezi të poetëve A. Podrimja, B. Bokshi, D. Mehmeti, E. Gjerqeku, A. Musaj, Q. Ujkani, J. Ceraja, N. Vinca, Rr. Berisha etj., libri i parë i R. Qosjes Episode letrare, që ishte njëherësh edhe libri i parë me shkrime kritike në Kosovë etj. Se me çfarë kujdesi e përkushtimi i qasej krijimtarisë së këtij brezi “baca Esad” flet një fakt që e kam dëgjuar nga goja e vetë Adem Demaçit. E pat thënë publikisht në një rast, në një takim letrar: “Unë e kam pasë lexuar romanin tim pesë herë, Esadi gjashtë herë!”.

Lexo po ashtu:  Ekzistojnë 2 lloje lumturish…por ne ndjekim atë të gabuarën!

Esad Mekuli nuk studioi letërsinë as ndonjë degë tjetër të afët me të. Ai është Doktori i veterinarisë që u bë poet dhe ia kushtoi jetën letërsisë. Duke qenë njëri nga intelektualët e parë të Kosovës së dalë nga Lufta e Dytë Botërore, i ra barra të bënte punë prej pionieri në shumë fusha të artit dhe të dijes (deri edhe tekste shkollore).

Ai qe kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i disa akademive të shkencave në ish-Jugosllavi, kurse nga viti 1972 – Kryeredaktor i Redaksisë së Kosovës të Enciklopedisë së Jugosllavisë, të themeluar nga kolosi Kërlezha. Jo vetëm me krjimtarinë e tij letrare, por edhe me punën shkencore u vu në mbrojtje të së vërtetës, posaçërisht pas vitit 1981, kur filloi  fushata e egër antishqiptare në ish-Jugosllavi, objekt i së cilës u bënë edhe Esad Mekuli dhe bashkëshortja e tij, doktoresha Sehadete Mekuli.

Te libri Drita që nuk shuhet (1989), të cilin kam pasur nderin ta lexoj në dorëshkrim, ka shumë poezi që mund të quhen replika në vargje ndaj atyre që qenë bërë pjesë e propagandës antishqiptare, në mesin e të cilëve dhe disa kolegë të tij shkrimtarë si Oskar Daviço, Desanka Maksimoviq etj.

Vepra e Esad Mekulit është e gjerë dhe e shumanshme, ashtu sikurse edhe personaliteti i tij. “Baca Esad” ishte poet, publicist, përkthyes, kryeredaktor shumëvjeçar i revistës “Jeta e re”, studiues në fushën për të cilën kishte specializuar, veprimtar shoqëror e politik etj. Ne sot, në 100-vjetorin e lindjes, e kujtojmë me respekt e mirënjohje të thellë Esad Mekulin, vepra e të cilit është në themel të kulturës sonë: të poezisë shqipe në Kosovë, por edhe të shumë fushave të tjera të krijimtarisë, në të cilat ai bëri punë prej pionieri. Dëshmi e këtij respekti e mirënjohjeje është edhe kjo ekspozitë që po hapet sot në këtë tempull të librit – në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pjesë e fondeve të së cilës nga sot do të jetë edhe Biblioteka e Esad Mekulit.

(Fjalë e mbajtur në hapjen e ekspozitës për jetën dhe veprën e Esad Mekulit në njëqindvjetorin e lindjes së tij, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 25 nëntor 2016)

Marrë nga libri “Jetë e vdekje përqafuar”, Prishtinë 2023.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com