36 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kërkojnë qeverisë të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e Vjosë-Nartës. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, organizatat vënë në dukje se vendi në të cilën planifikohet të ndërtohet kjo vepër aeroportuale bie brenda zonës së mbrojtur, nga legjislacioni shqiptar si dhe është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin”. Sipas organizatave, në këtë zonë është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër, 33 prej të cilëve janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë.

Koalicioni i organizatave mjedisore thekson se ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur shkel në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria i ka ratifikuar. Sipas tyre, kjo është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë e për pasojë, ndër të tjera krijon pengesa edhe në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Por, organizatat theksojnë se ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla si aeroporti i propozuar, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e mrekullueshëm të zonës, por paraqet rrezikshmëri të lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.

Lexo po ashtu:  Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi lëshon komunikatë: - Cilin grup etnik përfaqëson z. Zaev? Cila është struktura e vërtetë e popullsisë në Republikën e Maqedonisë Veriore?

“Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”,-thuhet ndër të tjera në letër, duke theksuar se rastet e rrëzimit të aeroplanëve si dhe avaritë e shumta të tyre të shkaktuara nga përplasja me shpendët e egër janë të mirë dokumentuara.

Ndërtimi i Aeroporti të Vlorës parashikohet të kryehet përmes një partneritetit publik-privat, ku fillimisht kompania fituese do të duhet të kryejë investimin , ndërsa do të ketë të drejtën e operimit për një periudhë 35-vjeçare. Ndërkohë që, gara për përzgjedhjen e kompanisë po shkon drejt finalizimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *