Skerdilajd Zaimi

Duket se Beogradi po ndjek tashmë – i detyruar ndoshta – një politikë të dyfishtë në raportet ndërkombëtare.

Nga njëra anë është klani i Aleksandër Vuçiç, me të cilin të gjithë e gjejnë gjuhën. Në fund të fundit, presidenti serb emëroi një kryeministre gay në një vend ku ka protesta të dhunshme nda komunitetit të homoseksualëve dhe ka një kishë shumë të fuqishme konservatore. Ai deklaron neutralitetin ushtarak, shkon në Kinë, kthehet në Gjermani, blen armë ruse, por edhe franceze, koncesionon miniera litiumi për Europën që të dalë nga varësia kineze, por lidh marrëveshje preferenciale tregtie me Pekinin.

Zoti Vuçiç është rrufjani i kohëve tona në një rajon si Ballkani, ku liderët thuajse të gjithë kanë ndërmend vetëm Ekonominë tashmë. Investimet dhe sigurisht pasurimin e vetes. Ushtria, politika e jashtme, planet e nacionalizmit, janë vetëm proteza të një politike që kërkon vetëm ta nxjerrë rajoin nga bataku i varfërisë ndonëse me korrupsion të paimagjinueshëm dhe me një atrofizim gati tërësor të mobilitetit politik.

Por në Beograd ka një klan tjetër mesa duket. Përfaqësuar kryesisht nga Aleksander Vulin që po luan kundërpasqyrën e Vuçiç.

P.sh nëse kryeministri Milosh Vuçeviç deklaronte sot se plani i Serbisë për Kosovën synon që serbët të qëndrojnë në Kosovë dhe se ata nuk do t’i harrojë kush, apo nëse vlerëson deklarimet e Perëndimit, por kritikonte mungesën e veprimeve ndaj qeverisë në Prishtinë, Vulin, një njeri me kontakte preferenciale me Presidentin rus, ka deklaruar se Serbia do të heqë dorë nga anëtarësimi në BE, nëse me këtë nënkuptohen martesat e të njëjtit seks, njohja e Kosovës dhe konflikti me Rusinë apo Kinën.

Në një intervistë për “vecernje Novosti”, ai ka cilësuar blerjen e avionëve “Rafale” si pragmatike dhe jo politike, por nuk ka fshehur simpatinë personale për Rusinë.

Nuk është e qartë se çfarë qëndron pas qarkullimit në skenë të një njeriu si Vulin; diversioni i Vuçiç, apo pafuqia e tij për të luajtur ekuilibrin e forcave në Serbi. Milorad Dodik është po ashtu një njeri i rusëve më shumë sesa i Beogradit dhe është e kuptueshme që në Serbi boshnjaku mban më shumë lidhje me njerëz si Vulin.

Përvijimi I kësaj situate ndoshta e ka favorizuar nga Perëndimi Vuçiç që arriti të mbyllte shpejt problemet me zgjedhjet, ndërkohë që la të kuptonte se në protestat kundër minierës së litiumit janë të përfshirë aktorë perëndimorë, çka në fakt është akuzë për Rusinë, të cilën ai nuk e përmend. Është krejtësisht paradoksale por Perëndimi po e përkund presidentin serb, të cilin e sheh si njeriun e vet më të afërt në një vend me histori dhe kulturë sllavofilie të thellë që po kërkon ta mbajë me çdo mjet në anën e vet.

Paradoksi është i madh pasi në fund fare që Serbia të qëndrojë aty ku do Perëndimi do të duhet të anëtarësohet në BE, pas së cilës vjen edhe detyrimi për politikat e sigurisë dhe nëse ky zhvillim gjeopolitik materializohet, atëherë interesi për Ballkanin do të bjerë, për ta lënë hyrjen e Shqipërisë në rendin statistikor të integrimit. Shkurt: të bëhet gati bregdeti për të mbetur kamarierët e përhershëm të fqinjve dhe Europës. Pasi shanset i humbëm e mbase edhe nuk i meritonim.