Ilir Meta – President i Republikës

Më poshtë arsyetimi i kreut të shtetit, Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve: 

***

Në zbatim të nenit 92, shkronja “gj”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj Kushtetuta përcakton se: “Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. 

Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen. Zgjedhja e kushtetutë-bërësit, që të jetë pikërisht Presidenti i Republikës autoriteti që ushton kompetencën kushtetuese të caktimit të datës së zgjedhjeve është e lidhur ngushtësisht dhe në mënyrë të drejtëpëdrejtë me rolin dhe funksionin e tij si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.

Referuar këtij roli që i është dhënë Presidentit në nenin 86 të Kushtetutës, kushtetutë-bërësi ka vendosur që të jetë pikërisht ai organi që duhet të caktojë datën e zhvillimit të zgjedhjeve, sepse dita e realizimit të tyre duhet të jetë një moment bashkimi për qytetarët shqiptarë, ku ata lirisht zgjedhin midis alternativave dhe kurrsesi kjo s’mund të jetë një ditë përçarje midis tyre.

Në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese dhe brenda kritereve të parashikuara nga nenet 8 dhe 10 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018, ka caktuar datën 30 qershor 2019, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Data e zgjedhjeve është dekretuar nga Presidenti i Republikës në muajin nëntor 2018, në kushtet e një klime normale politike dhe demokratike në vend dhe pas zhvillimit të konsultimeve me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare, një praktikë kushtetuese e konsoliduar nga kryetarët e shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës ka ndjekur në vijimësi ecurinë e masave organizative për realizimin e këtij procesi zgjedhor, por njëkohësisht dhe shprehjen e vullnetit nga forcat politike për të qenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Nga ndjekja e këtij procesi rezulton se, në skadim të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit, partitë politike të opozitës, nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke parashtruar publikisht se shkaqet për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore kanë të bëjnë me faktin se nuk mund të sigurohet zbatimi dhe respektimi i standardeve kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ky vendim i opozitës për të mos u regjistruar si subjekte zgjedhore për të konkurruar për organet e qeverisjes vendore, pason vendimmarrjen e saj për djegjen/dorëheqjen në bllok nga ushtrimi i mandateve të deputetëve opozitarë në Kuvendin e Shqipërisë, duke bërë kështu që edhe jeta politike parlamentare të pësojë një krizë të rëndë përfaqësimi.

Nga ana tjetër, Shqipëria po kalon një krizë të rëndë kushtetuese, e cila evidentohet qartë me faktin se prej më shumë se një viti Republika e Shqipërisë nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe si për ta rënduar më shumë këtë gjendje, së fundmi edhe Gjykata e Lartë është jashtë funksionit të saj.

Kjo situatë nuk është në përputhje me parashikimin e nenit 7 të Kushtetuës, i cili parashikon se sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin midis pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ky parim i rëndësishëm kërkon jo vetëm ekzistencën formale të këtyre pushteteve, por ekzistencën e tyre efektive dhe të aftë për të realizuar misionin e tyre kushtetues, atë të balancimit të pushteteve. E gjithë kjo gjendje është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, kjo për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë.

Si President i Republikës, kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam paralajmëruar aktorët kryesorë politikë në vend, që të bashkëpunojnë midis tyre me qëllim që të shmangin ndasitë dhe konfliktet midis tyre dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar për realizimin e suksesshëm të të gjitha reformave të rëndësishme, si dhe përmbushjen e të gjitha prioriteteve kyçe që Shqipëria ka të domosdoshme për të arritur sa më shpejt në rezultate pozitive që do të na mundësonin marrjen e një përgjigje pozitive nga vendet e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Por, përpos thirrjeve, mesazheve dhe përpjekjeve të Presidentit të Republikës, por edhe të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, sërish me keqardhje konstatoj se palët politike aktualisht reflektojnë thellim të mëtejshëm të dallimeve midis tyre.

Nga njëra anë, mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar e vetme në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për zhvillim më datë 30 qershor 2019, pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend, madje pa ndërmarrë asnjë hap për të eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, përpara skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhje, por edhe më tej. Nga ana tjetër, edhe opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë, me mjete dhe forma të panjohura, zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e konsideruar zhvillimin e tyre si një provokim të rëndë që i bëhet demokracisë në vend.

Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtes që po përdorin palët politike, si President i Republikës evidentoj se, ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme. Si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend. Detyra primare kushtetuese e Presidentit të Republikës është të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në këtë këndvështrim vlerësoj sa më poshtë vijon:

I. Së pari, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Çdo demokraci ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj dhe zgjedhjet janë pikërisht mekanizmi që e mundësojnë atë.

Si një prej instrumenteve themelorë të demokracisë sot, zgjedhjet shërbejnë si rrugë e drejtpërdrejtë për pjesëmarrje të qytetarëve në procese politike. Duke zgjedhur funksionarët publikë, të cilët përfaqësojnë më së miri vlerat dhe interesat e popullit, votuesit/zgjedhësit mund të ndikojnë në formësimin e politikave që përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Në këtë vështrim, realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkurruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor. Në këtë mënyrë, qytetarëve shqiptarë praktikisht u hiqet mundësia e zgjedhjes mes alternativave më të mira dhe në thelb, e drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk mund të aplikohet, pra kufizohet. Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin, të zhvilluara në Shqipëri në qershor të vitit 2017, partitë aktuale politike opozitare (PD, LSI, PDIU dhe partitë e tjera) kanë siguruar respektivisht 48.14 % të totalit të votave, ndërkohë që Partia Socialiste me aleatët e saj që i ka edhe sot pjesë të aleancës së saj politike, ka siguruar në total rreth 49.83 % të votave si subjekt politik.

Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara në Shqipëri në qershor të viti 2015, këto forca politike që përbëjnë sot bllokun opozitar, kanë siguruar rreth 48,6 % të votave, ndërkohë që partia socialiste në këtë proces zgjedhor me aleatët e saj që i ka edhe sot pjesë të aleancës së saj politike ka siguruar në total rreth 43 % të votave si subjekt politik.

Referuar këtyre të dhënave, zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptar, cenon edhe disa parime kushtetuese që gëzojnë mbrojtje të posaçme kushtetuese. Konkretisht, Kushtetuta jonë parashikon qartë se e drejta themelore për të zgjedhur dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë, dhe secili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime. Sipas nenit 1, pika 3, e Kushtetutës, “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. 

Nga ana tjetër, neni 45 i Kushtetutës parashikon se: “çdo shtetas që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Koncepti kushtetues “të zgjedhë” apo “të zgjidhet”, nuk duhet të shihet dhe nuk mund të konsiderohet i përmbushur vetëm në aspektin formal të mundësisë së pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Ky nuk është një element themelor i shteteve demokratike, ku bën pjesë edhe Shqipëria, dhe çdo interpretim absurd i këtij koncepti kushtetues, do ta përfshinte Shqipërinë në listën e vendeve jo demokratike që bëjnë vetëm votime. Koncepti kushtetues që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë “të zgjedhë” apo “të zgjidhet” është i lidhur ngushtë me mundësinë efektive të qytetarëve për të zgjedhur alternativën më të mirë që u ofrohet.

Ky qëndrim reflektohet edhe në Vendimin nr.40/2007 të Gjykatës Kushtetuese, ku për më tepër gjykata thekson se: 

Ndryshe ndodh në rastin e zgjedhjeve vendore. Këtu synohet një lidhje më e ngushtë midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit për vetë natyrën e organizimit dhe kompetencave të pushtetit lokal. Është pushteti vendor që kujdeset për zgjidhjen e problemeve aktuale të qytetarëve që lidhen me çështje të tilla si punësimi, kujdesi shëndetësor, arsimi parashkollor, pastrimi dhe gjelbërimi i mjediseve të njësisë vendore, etj. Për këtë arsye, votimi në zgjedhjet vendore trajtohet si pjesë e strukturës së demokracisë nga posht lart duke u mundësuar zgjedhësve pjesëmarrjen në qeverisje edhe në forumet më të vogla, përveç parlamentit kombëtar. Në këtë këndvështrim, pranohet se pushteti lokal është më afër qytetarëve dhe këta të fundit janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në drejtimin e njësisë vendore ku ata kanë vendbanimin”.

Lexo po ashtu:  Ndryshim në OKB, vetot do të diskutohen nga të gjitha shtetet

Në këtë mënyrë, referuar parimeve kushtetuese dhe qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për në 30 qershor 2019, merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve iu cenohet ushtrimi efektiv i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur.

Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurrohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ-së përtej afateve ligjore.

Kjo gjë tregon qartë se, ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin se standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushen, por po shkelen në mënyrë flagrante.

I gjithë sistemi i qeverisjes vendore që do të funksiononte si rezultat i këtyre zgjedhjeve pa garë dhe konkurrentë, nuk do të bazohej në një sistem zgjedhjesh, siç parashikon neni 1, pika 3 dhe neni 109 i Kushtetutës, por në një sistem emërimi të drejtpërdrejtë të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, i cili do të cenonte strukturën e demokracisë nga poshtë lart dhe të pjesëmarrësve e zgjedhësve në qeverisjen vendore. Po kështu referuar kësaj gjendjeje edhe vetëkontrolli që duhet të ushtrojë organi kolegjial i këshillit bashkiak mbi organin ekzekutiv të kryetarit të bashkisë nuk do të ekzistonte.

Pikërisht ky rezultat fiktiv që do prodhohej, i bën zgjedhjet e dekretuara për t’u zhvilluar më datë 30 qershor, zgjedhje jo demokratike, sepse cenohen të drejtat kushtetuese të sanksionuara në nenin 1, pika 3, nenin 45 dhe 109 të Kushtetutës. Si organ i pushtetit publik, Presidenti i Republikës, ka detyrimin që të respektojë pikën 2 të nenit 15 të Kushtetutës, ku sanksionohet se: “organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”.

Në këto kushte, ku Presidenti i Republikës ka përmbushur detyrën e tij kushtetuese për caktimin e datës së zgjedhjeve, por për shkaqe të pavarura prej tij, rezulton se nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve cenohet ushtrimi efektiv i një të drejte kushtetuese të qytetarëve, atëherë Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që të kontribuojë në rivendosjen dhe realizimin e kësaj të drejte, duke ndërmarrë çdo akt, apo masë që e çmon proporcionale dhe të duhurën për rregullimin e situatës së krijuar. 

II. Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit, mbi të cilin ndërtohet funksionimi i shtetit të së drejtës. Kryetari i Shtetit, ka përgjegjësinë kushtetuese të mbrojë parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke ndërhyrë në çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen.

Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur.

Është fakt publik, që në mënyrë të vazhduar, partitë politike të opozitës nuk kanë shprehur vullnetin për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngrenë shqetësimin se bazuar në faktet dhe të dhëna, si dhe historikut e mënyrës së zhvillimit të tyre ndër vite, të referuara këto edhe në raportet dhe rekomandimet e OBSE/ODHIR-it për proceset zgjedhore të zhvilluara në dekadat e fundit, zgjedhjet e planifikuara për zhvillim në datën 30 qershor 2019, nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Ky shqetësim i opozitës, në thelb ngre problematikën e keqzbatimit të legjislacionit dhe standardeve të zgjedhjeve, të cilat cenojnë ndër të tjera, edhe parimin e konkurrimit të lirë, parim ky për të cilin Gjykata Kushtetuese ka bërë një arsyetim shterues në vendimin nr.32/2010. Kjo nënkupton se ato dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por me kushtin që të garantohet liria e të gjithë qytetarëve për të votuar të lirë, si dhe konkurrim i lirë i të gjitha forcave politike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe rregullat e mirëpërcaktuara ligjore. Është detyrë e të gjitha organeve shtetërore që ta mundësojnë këtë, në respekt të parimit të pluralizmit, me fokus të veçantë respektimin efektiv të së drejtës për të zgjedhur. Nëse ky detyrim kushtetues nuk përmbushet, atëherë i vetmi autoritet kushtetues që ka aktualisht mundësinë për të ndërhyrë me qëllim rivendosjen e procesit në një rend demokratik dhe kushtetues, është Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës, bazuar në parashikimet e nenit 15, pika 2 të Kushtetutës, ka vendosur që në këtë rast të ushtrojë kompetencën e tij si organ i pushtetit publik, në funksion të interesit publik për garantimin e rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë, si dhe për të kontribuar në realizimin e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur. Gjithashtu, siç theksohet edhe në preambulën e Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka bindjen se, me autoritetin e Tij kushtetues, nëpërmjet këtij akti do të kontribuojë për ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e social për të garantuar një të drejtë themelore të njeriut, siç është e drejta për t’u zgjedhur.

III. Së treti, zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikti civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues. Presidenti i Republikës duhet të angazhohet në mënyrë racionale dhe efektive për të mbrojtur vlerat dhe parimet kushtetutese të Republikës së Shqipërisë. Presidenti ka përgjegjësinë kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta ia lejon, të sigurojë respektimin, në formë e në përmbajtje, të parimeve kushtetutese. Sipas nenit 86 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Në këtë këndvështrim, për Presidentin e Republikës, bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal.

Konkretisht, garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu edhe shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politikë në vend ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vetë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do të defaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Presidenti i Republikës ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë.

Të dyja palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njëra-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre, i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë, duke i vendosur kështu, për shkak të bindjeve politike përballë njëri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë. Pikërisht zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhe i antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, të lira, të ndershme, konkurruese dhe me standarde.

Nga ana tjetër, në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita janë vërejtur elemente të dhunës ndaj forcave të rendit apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste, reagime jo proporcionale. Në këtë mënyrë, nëse dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një betejë force midis mbështetësve të mazhorancës dhe opozitës apo në një betejë midis qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese, atëherë zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike, dhe nga një mjet esencial i garantimit të një shoqërie demokratike, do të ktheheshin në një mjet rreziku për bashkëjetesën demokratike dhe unitetin e popullit.

Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese, ku padyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve nga organi që ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese, nga njëra anë të mbrojë unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër të caktojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës).

Lexo po ashtu:  Kurti: Propozimi i BE-së për targat, i papranueshëm – Borrell hoqi dorë nga normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi

Nëse vendosen në balancë këto dy detyra kushtetuese të Presidentit të Republikës, vlerësoj se mbrojtja e unitetit të popullit dhe bashkëjetesës demokratike prevalojnë mbi aplikimin strikt të rregullave ligjore për caktimin e datës së zgjedhjev,e aq më tepër kur këto nuk plotësojnë qëllimin themelor të tyre. Në çdo rast, shfuqizimi i dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe në këtë mënyrë, anulimi i datës 30 qershor 2019 si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve, nënkupton shtyrjen e tyre për një datë tjetër, duke garantuar në çdo rast zhvillimin e tyre brenda një afati të arsyeshëm dhe që garanton arritjen e qëllimit, për të cilin anulohet data fillestare e zhvillimit të tyre.

Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit.

IV. Së katërti, është e vërtetë që aspekt i rëndësishëm i zgjedhjeve është periodiciteti i zhvillimit të tyre. Kjo është e lidhur me mandatin e kufizuar që kanë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore. Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve vendore, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore.

Për pasojë, shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese. Ka një dallim thelbësor kushtetues midis rregullave për mbarimin e mandatit të organeve të qeverisjes vendore dhe rregullave për mbarimin e mandatit të Kuvendit.

Ndërsa në nenin 65 të Kushtetutës (1), janë përcaktuar në detaje nga Kushtetuta rregullat mbi fillimin dhe mbarimin e mandatit të Kuvendit dhe afatet për realizimin e zgjedhjeve pasuese, një rregull i tillë mungon në nenin 109 të Kushtetutës (2) , ku parashikohet mandati i organeve të njësive të qeverisjes vendore.

Kjo nuk është një harresë e kushtetutë-bërësit, por lidhet drejtpërdrejtë me modelin zgjedhor që aplikohet për zgjedhjen e organit ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore.

Për ilustrim, në kushtet kur për shkaqe të ndryshme, brenda afatit të parashikuar nga ligji, në një njësi të caktuar vendore, nuk do të regjistrohej për kandidim asnjë kandidat, atëherë zgjedhjet për atë njësi vendore, do të shtyheshin në një datë tjetër, përtej mandatit dhe periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.

Kjo është një situatë ekstreme, që nuk është e përjashtuar nga pikëpamja kushtetuese dhe që ka ndodhur më parë edhe në Shqipëri.

Risjell në vëmendje, se për shkak të mosregjistrimit të opozitës në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Kavajë në vitin 2017 dhe tërheqjen përpara datës së caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve 7 maj 2017 të kandidatëve të regjistruar, data e zhvillimit të zgjedhjeve për këtë njësi të qeverisjes vendore me Dekret të Presidentit të Republikës nr.10352, datë 21.05.2017, u shtynë përtej afatit ligjor (Kodi Zgjedhor) dhe u caktua një datë e re për t’u realizuar më datë 25 qershor 2017 në të njëjtën ditë me datën që u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.

Për këtë arsye, përpara zbatimit të ngurtë të rregullave ligjore, çmoj se duhet të respektohet zbatimi i garancive dhe standardeve kushtetuese, dhe Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që në përputhje me pikat 2 dhe 3 të nenit 4 të Kushtetutës, të zbatojë drejtpërdrejt Kushtetutën, për të siguruar që nëpërmjet akteve të tij, të garantohet mbrojtja e unitetit të popullit, ose pluralizmi politik dhe paqja në vend. Këto janë parime kushtetuese që prevalojnë mbi çdo aspekt tjetër formal ligjor.

V. Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë, si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.

Konkretisht, në vitin 2006, Presidenti i Republikës, me Dekret nr. 5131, datë 02.12.2006, ka dekretuar që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohet ditën e shtunë në datën 20 janar 2007.

Për shkak të pretendimeve të forcave politike dhe vlerësimit të pamundësisë së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve në datën e caktuar (20 janar 2007), që lindi nga një konflikt politik, i cili u zgjidh me një marrëveshje të vonuar më 12 janar 2007, Presidenti i Republikës ka miratuar sërish një akt të ri Dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, nëpërmjet të cilit vendosi që: “Dekreti nr.5131, datë 02.12.2006 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, shfuqizohet dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e dielë më datë 18 shkurt 2007”.

Ndërkohë në vitin 2017, Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10098, datë 24.03.2017, caktoi datën 7 maj 2017, si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë.

Për shkak të mosregjistrimit të opozitës në këto zgjedhje të pjesshme për Bashkinë Kavajë dhe tërheqjes nga kandidimi përpara datës së caktuar për zhvillimin e tyre të kandidatëve të regjistruar, me Dekret të Presidentit të Republikës nr.10352, datë 21.05.2017, data e zhvillimit të zgjedhjeve për këtë njësi të qeverisjes vendore, u shty dhe u caktua data 25 qershor 2017, si datë e re për të realizuar procesin e pjesshëm zgjedhor, datë kjo, e cila përkonte me të njëjtën ditë me datën për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë me Dekretin nr. 9883, datë 05.12.2016, Presidenti i Republikës caktoi datën 18 qershor 2017, si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të krizës politike të vitit 2017 dhe mospjesëmarrjes dhe regjistrimit të opozitës në këtë proces zgjedhor, realizimi i zgjedhjeve në datën 18 qershor 2017, bëhej i pamundur. Në këtë mënyrë, pasi palët politike dialoguan dhe dakordësuan një mirëkuptim të shprehur me shkrim, Presidenti i Republikës nxori Dekretin nr. 10 351, datë 21.05.2017, nëpërmjet të cilit neni 1, i dekretit nr.9883, dt.05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, u ndryshua dhe u caktua se zgjedhjet për Kuvendin të shtyhen dhe të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017.

Si konkluzion i shqyrtimit të këtyre preçedentëve të mëparshëm ndër vite, shtyrjet e proceseve zgjedhore të përgjithshme apo vendore në Republikën e Shqipërisë janë diktuar si pasojë e rrethanave të veçanta politike, të klimës së mosbesimit midis palëve, konfliktit politik, dhe situatave të tensionuara, që në të gjitha rastet kanë bërë të domodoshëm ndërhyrjen e autoritetit të vetëm kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Referuar rasteve të mësipërme, shtyrja e procesit të zgjedhjeve dhe realizimi i tyre, është bërë si brenda dhe jashtë afateve, dhe periudhës zgjedhore të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Në rastet e cituara më sipër, palët kanë dialoguar e më pas kanë dakordësuar zgjidhje duke përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve përtej datës së caktuar me një dekret të mëparshëm.

Ndërkohë që në rastin aktual, Presidenti i Republikës, siç ka parashtruar më sipër, edhe pse është angazhuar për të krijuar një klimë dialogu ndërmjet tyre, sërish palët kanë vazhduar thellimin e mëtejshëm të dallimeve midis tyre, ku mazhoranca dhe opozita zhvillojnë prej muajsh mitingje dhe antimitingje për të treguar forcën dhe fuqinë midis tyre, duke përjashtuar kështu deri në ditët e fundit, çdo mundësi dialogu dhe duke rritur në vijimësi klimën e tensionit në vend.

Më 24 maj të këtij viti, në deklaratën zyrtare të Presidentit të Republikës, veç të tjerash, është shprehur gadishmëria e tij institucionale, që në përputhje me kompetencën që i jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikojë Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretojë një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike. Për fat të keq të dyja palët qëndruan në pozitat e tyre ekstreme. Maxhoranca vijon të tentojë kapjen totale të institucioneve, ndërsa opozita deligjitimimin e plotë të tyre.

Në këto kushte, për shkak të rrethanave të krijuara, Presidenti i Republikës, duke vlerësuar të pamundur zgjidhjen e situatës me marrëveshje, ndërmerr këtë inciativë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm të konfliktit social, ndërkohë që me anulimin e datës së zgjedhjeve synon të krijojë një hapësirë kohe të nevojshme që palët të reflektojnë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhjen për këtë krizë të rëndë.

VI. Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë. Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre e të organeve përkatëse. Ndërmjet të tjerave, ky ligj parashikon edhe garancinë se qytetarët nuk do të preken në përfitimin e shërbimit ndaj tyre në periudhat tranzitore përgjatë realizimit të proceseve zgjedhore për zgjedhjen e këtyre organeve.

Lexo po ashtu:  Koronavirusi / FSK-ja ngrit gjendjen e gatishmërisë operacionale

Pikërisht këtë garanci e ofron neni 60, pika 4 e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku parashikon se:

“4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Kjo nënkupton, se qytetarëve shqiptarë iu sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve nga njësitë e qeverisjes vendore. Të njëjtin vullnet ka parashikuar ligjvënësi edhe për funksionimin e Këshillave Bashkiakë në këto momente tranzitore. Konkretisht në nenin 53, pika 1 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet se; “Këshilli Bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.”

Pra, referuar këtyre dy dispozitave rezulton e parashikuar me ligj se nuk krijohet vakum funksional në organet e qeverisjes vendore aktuale, deri në zgjedhjen dhe fillimin nga funksionimi i të zgjedhurve nga zgjedhjet vendore, që priten të zhvillohen në një datë të mëvonshme.

VII. Së shtati, si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familjeje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri te konsumatori, te bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit. Sipas nenit 88 pika 3 e Kushtetutës, Presidenti i Republikës i shërben interesit të përgjithshëm dhe përparimit.

Kriza dhe tejzgjatja e saj do ta dëmtonte edhe më shumë interesin e përgjithshëm ekonomik të vendit, të ardhurat familjare dhe do të cenonte përparimin për një zhvillim të qëndrueshëm, kaq të domosdoshëm për vendin. Ndaj, në të mirë të çdo familjeje dhe mbarë shoqërisë sonë kërkohet reflektim, maturi, bashkëpunim dhe rikthim të normalitetit. Pikërisht edhe për këto arsye, Kreu i Shtetit ka vendosur që të ndërhyrjë, me qëllim që kjo krizë të marrë një zgjidhje dhe jo të thellohet pa mbarim pasi për nga pasojat që do të sillte, do të ishte e pallogaritshme për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit.

VIII. Së fundmi, zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore. Vlen të sillet në kujtesë të palëve politike se Shqipëria aspiron për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian që prej vitit 1991, kur menjëherë pas shembjes së regjimit totalitar në vend, e gjithë shoqëria ka shprehur hapur dhe në mënyrë të vazhduar se dëshiron të jetë pjesë e Evropës Perëndimore.

Në këtë proces të pandalshëm dhe në përmbushje të kushteve dhe kritereve të kërkuara, Shqipëria që prej asaj kohe, ka përmirësuar jo vetëm Kushtetutën e saj dhe legjislacionin e brendshëm, por ka ndërmarrë një sërë angazhimesh dhe masash për t’i dhënë kuptim të qartë dhe real demokratizimit të funksionimit të shtetit dhe të gjithë jetës shoqërore.

Një prej angazhimeve themelore që Republika e Shqipërisë ka ndërmarrë në këtë proces është nënshkrimi në vitin 2006 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit “Shqipëri-BE”, marrëveshje kjo e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare’”.

Në këtë akt, i cili me ratifikimin e tij është bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm të vendit, që në preambulën e saj, përcaktohet qartë se për nënshkrimin e kësaj marrëveshje është mbajtur parasysh;

Angazhimi i palëve për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, si dhe angazhimin e tyre për të respektuar të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve kombëtare, si dhe parimet demokratike nëpërmjet një sistemi shumëpartiak me zgjedhje të lira e të ndershme”.

Por përkundër këtij angazhimi për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat janë kriter kryesor i Kopenhagës, rezulton se në Shqipëri, nën kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dyja palëve, vendi po shkon drejt votimeve njëpartiake dhe pa garë.

Në rast se në Republikën e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet e datës 30 qershor, ku në pjesën dërrmuese konkurron për organet drejtuese vetëm një forcë politike, atëherë kjo situatë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pikërisht në parimet bazë të saj, çka do të përbënte një regres me pasoja shumë të rënda për të ardhmen evropiane të vendit.

Integrimi evropian i vendit, prej gati tre dekadash ka qenë dhe mbetet Objektivi Kombëtar i të gjitha forcave politike dhe të gjithë qytetarëve tanë. Ndaj, nëse në Shqipëri, sot në vitin 2019, do të zhvilloheshin zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës, atëherë kjo jo vetëm do bllokonte çdo hap përpara në këtë drejtim, por do të përcillte një mesazh të gabuar dhe aspak të vërtetë te të gjithë partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria është e orientuar drejt një qasjeje tjetër, të ndryshme nga ajo që ka zbatuar deri më tani. Në këtë mënyrë, është e pashmangshme që Objektivi Kombëtar i shqiptarëve të dëmtohej në atë masë, sa që rikuperimi do të kërkonte një kohë shumë të gjatë. Një tjetër angazhim ndërkombëtar madhor që Republika e Shqipërisë ka marrë, është kryesimi për herë të parë në vitin 2020 i Organizatës së OSBE-së.

Në kuadër të këtij angazhimi madhor, do të ishte e pamoralshme për Republikën e Shqipërisë, që si vend që pritet të kryesojë organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, që punon për stabilitet, paqe dhe demokraci për më shumë se një miliard njerëz, t’i paraprijë kryesimit të kësaj organizate ndërkombëtare me shembullin më të keq të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe cenimit të demokracisë dhe pluralizmit politik. Pikërisht edhe për këtë shkak, Presidenti i Republikës, për të shmangur këtë rrezik potencial, ka vendosur të shfuqizojë Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018, për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të tyre.

Kjo vendimmarrje e Presidentit të Republikës i shërben krijimit të një hapësire kohore, brenda së cilës, palët politike në vend, pa vonesë, të reflektojnë për të reaguar që të dialogojnë për një zgjidhje në funksion të interesave të vendit, larg interesave të ngushta dhe afatshkurtra të partive politike që ata përfaqësojnë dhe që do të ndihmonte axhendën e përbashkët evropiane të Shqipërisë.

Për të gjitha sa kam parashtruar më sipër;

– Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mosreflektimit të asnjërës palë;

– Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

– Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse;

– Me përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit;

– Me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;

– Me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;

– Me bindjen se kjo vendimmarrje në kushtet aktuale është mënyra e vetme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi;

– Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

– Në përputhje me kompetencën që më jep neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës, si dhe në mbështetje të preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pikës 3 të nenit 1, nenit 3, pikës 2 të nenit 4, nenit 15, nenit 45, pikës 1 të nenit 86, pikës 3 të nenit 88, dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Presidenti i Republikës ka vendosur që të dekretojë shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Ftoj të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjente të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, që i shërben së ardhmes evropiane të Shqipërisë!

Ndaj i bindur për rëndësinë e këtij akti historik për të shpëtuar të ardhmen evropiane të vendit dhe për të mbrojtur bashkëjetesën demokratike të të gjithë shqiptarëve, po e nënshkruaj këtë dekret përpara të gjithë shqiptarëve. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *