Duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet, shkruan ai, shqiptarët po treteshin:” i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeje të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend. Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”. Megjithëse në fund të kësaj fjalie do të duhej të vihej, së paku një pikëçuditje, Ismail Kadare e vë një pikë të zakonshme! Jugosllavia, “primadona” e botës së tretë, po i afronte asaj bote popullsinë më të padëshiruar: shqiptarët në ndryshorin (variantin) afrikano-verior dhe aziatik! Domethënë: popullsia më e padëshiruar e kësaj bote nuk ishin shqiptarët, po vetëm shqiptarët që ngjanin “më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë”! Përfundimi i gjykimit të këtillë të Ismail Kadaresë është ky: afrikano-veriori dhe aziatiku, për shkak se dallojnë prej evropianit, nuk kanë dinjitet të barasvlershëm me të. Ja edhe një shpërthim racist i shkrimtarit tonë – edhe një qërim hesapesh me turqit dhe me arabët!

Lexo po ashtu:  Miss Arbëreshë: Jam krenare që jam arbëreshe, që flas arbëreshë dhe që vesh me dashuri këtë kostum të mrekullueshëm

Nuk ka dyshim se si në Jugosllavinë mbretërore ashtu edhe në Jugosllavinë komuniste janë bërë përpjekje të ndryshme për shkombëzimin e shqiptarëve. Përpjekje për shkombëzimin e tyre, gjithsesi shumë djallëzore, ishte regjistrimi pa i pyetur, i një numri shqiptarësh si myslimanë apo si turq! Por, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste shqiptarët as nuk janë kandisur as nuk janë detyruar që të orientalizojnë muzikën e tyre, veshjen e tyre, pamjen e tyre vetëm e vetëm që të ngjajnë sa më pak evropianë e sa më shumë aziatikë, domethënë turq dhe afrikano-veriorë, domethënë arabë. Jo. Përkundrazi: ka ngjarë që detyrueshëm të “çaziatizohen” dhe të “çafrikanizohen”! Kështu, për shembull; grave ,në shumë raste, me dhunë u është hequr ferexheja. Aziatizim dhe afrikanizim folklorik i shqiptarëve në Kosovë, “duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet”, nuk ka ngjarë. As në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste, turqit nuk janë përbuzur, përkundrazi: janë çmuar. Kudo ishin në Jugosllavi – në Kosovë, në Maqedoni, ata ishin një si shtresë e lartë; në Kosovë ata ishin qytetarët e qytetëruar të Kosovës, fisnikët e Kosovës.

Ata trajtoheshin kështu qoftë edhe për shkak se si Jugosllavia mbretërore ashtu edhe Jugosllavia komuniste kishte marrëdhënie politike dhe shtetërore me Turqinë të mira, në situata të veçanta, jashtëzakonisht të mira, kurse babai i Turqisë moderne, Ataturku, kishte qenë mik i mbretit Aleksandër, ashtu siç kishte qenë kryetari i mëvonshëm, gjeneral Evreni, mik i Josip Broz Titos. Në Serbi dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi nuk përbuzeshin siç i përbuz Ismail Kadare as veshja, as muzika turke apo arabe. Si muzika e veshja ashtu edhe veçori të tjera orientale të kulturës serbe shiheshin si një mbetje historike, që do të duhej të ruhej në muze, në teatër apo në festivale të këngës popullore. Të rinjtë shqiptarë që kanë studiuar në universitetin e Beogradit, mbajnë mend se në dekanatin dhe sallat e Fakultetit të Gjuhës dhe të Letërsisë Serbe mbahej portreti i madh me fes në kokë i themeluesit të gjuhës letrare serbe, Vuk Stefanoviq Karaxhiqit, i cili njihet edhe si autor i sloganit ku jeton qoftë edhe një serb është tokë serbe, që do të bëhet slogani i nacionalizmit pushtues serb, duke filluar prej gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në teatrot serbe, qoftë edhe në Beograd, më shpesh se asnjë shfaqje tjetër do të shihej shfaqja e punuar sipas dramës së shkrimtarit serb, Borisllav Stankoviq, Koshtana, në të cilën të gjithë personazhet janë të veshur siç ishin veshur në kohën e Perandorisë Otomane – allaturka dhe argëtoheshin siç ishin argëtuar atëherë – allaturka!

Lexo po ashtu:  Ish Kryeministri Kurti: Asnjë paqe s’mund të arrihet përderisa Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve që ata ekzekutuan dhe kidnapuan”

Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin të paracaktuar për të bërë punët më të rënda dhe më të pista në Beograd e në qytete të tjera si më të mëdha në të dy Jugosllavitë: për të bartur qymyrin dhe për të fshirë rrugët.         

Dhe ata që ishin të paracaktuar për dajakun e policisë dhe për plumbat e ushtrisë serbe kudo e, sidomos, në kufirin me nënën Shqipëri, ishin kësulëbardhët – shqiptarët, që mbanin në kokë qylafin, që i binin fyellit dhe çiftelisë! Vetëm ata, thuhej në Klubin kulturor serb, ku përpunohej strategjia e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare e ku ishte paraqitur edhe projekti i Vasa Çubrilloviqit Shpërngulja e arnautëve -para Luftës së Dytë Botërore dhe në UDB-në e Rankoviqit – pas Luftës së Dytë Botërore, e mbajnë kombin sepse vetëm ata nuk e ndërrojnë qykën lehtë!

Pjesë nga libri “Realiteti i shpërfillur”, nga Rexhep Qosja.