Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Petar Stano, ka thënë se BE-ja shpreh keqardhje për mosarritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat në takimet e fundit në kuadër të dialogut, porse, në mungesë të marrëveshjes për një zgjidhje afatgjate, do të vazhdojë të vlejë regjimi i letrave ngjitëse.

“Të mërkurën grupet punuese për targat e automjeteve përfunduan punën e tyre në kërkimin e një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. BE-ja shpreh keqardhje pse nuk u arrit marrëveshja dje për çështjen e targave ndërmjet dy kryenegociatorëve. Pasi nuk ka një marrëveshje për zgjidhje të përhershme, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë të jetë në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Stano, sipas Radios Evropa e Lirë.

Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian, në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, fton kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen përsëri në ditët në vijim në Bruksel që të pajtohen për rrugën përpara dhe të gjejnë një zgjidhje.

“BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare pret nga të dyja palët që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm, i cili do të mund të rrezikonte sigurinë në terren dhe do të komplikonte edhe më shumë përparimin në dialog”, ka thënë Stano.

Lexo po ashtu:  Këto vende Evropiane kanë rihapur kufijtë e tyre për turisët

Duke iu referuar takimit të fundit të kryenegociatorëve, që u zhvillua të enjten në Bruksel, Stano ka thënë se në atë takim u diskutuan edhe çështje tjera aktuale, përfshirë edhe zbatimi e marrëveshjeve të arritura më parë në dialog, si dhe përgatitja e terrenit për takimin e ardhshëm në nivel të lartë.

“Diskutimet për këto çështje do të vazhdojnë në ditët në vijim”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja për përdorimin e letrave ngjitëse është në fuqi dhe, sipas interpretimit të tij, ajo nuk ka skaduar e do të vlejë derisa të mos arrihet ndonjë marrëveshje tjetër.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel të enjten, kishte thënë se Kosova do t’i qaset çështjes së lirisë së lëvizjes në të njëjtën mënyrë si Serbia. Ai kishte thënë se Kosova nuk do të bëjë veprime të menjëhershme.

Në BE vazhdojnë të kërkojnë nga palët që të tregojnë përmbajtje në mënyrë që të mos shihet përsëritja e tensioneve që kishin ndodhur në shtator të vitit të shkuar kur Kosova kishte nisur të zbatojë reciprocitetin, ndërsa serbët në veri të Kosovës kishin bllokuar rrugët. Atëherë u arrit pajtim për një zgjidhje kalimtare, ndërsa mandati prej gjashtë muajsh iu dha grupeve punuese që të gjejnë një zgjidhje të përhershme. Ky afat ka skaduar të enjten dhe pajtimi për zgjidhje nuk është arritur në këtë afat.

Lexo po ashtu:  Kosova dhe Shqipëria drejt bashkimit të sistemit arsimor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *