Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkruan në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre (Ap) se nuk ndihet më i obliguar të mendojë ekskluzivisht për paqen.
Sipas asaj që shkruan Trump në letër, konsideratat për paqen janë dobësuar pasi ai nuk mori Çmimin Nobel për Paqe.
Letra u bë publike fillimisht nga gazetari i njohur i PBS-së, Nick Schifrin, në platformën X.
– Duke pasur parasysh se vendi juaj vendosi të mos ma japë Çmimin Nobel për Paqe për ndalimin e tetë luftërave PLUS, nuk ndihem më i detyruar të mendoj vetëm për paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë konsiderata dominuese. Tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për SHBA-në, shkruan Trump në letër.

Kërkon kontroll të plotë
Më tej, Trump pretendon sërish se Danimarka nuk është në gjendje ta mbrojë Groenlandën nga Kina dhe nga vetë SHBA-ja.
– Dhe pse, në fund të fundit, ata kanë një “të drejtë pronësie”? Nuk ekzistojnë dokumente të shkruara; është thjesht fakti që një anije zbarkoi atje qindra vite më parë. Por edhe ne kishim anije që zbarkuan atje, shkruan Trump.
– Unë kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për SHBA-në. Bota nuk është e sigurt nëse ne nuk kemi kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën. Faleminderit! Presidenti DJT, përfundon letra.
Støre e konfirmon
Pretendimi i përsëritur i Trumpit se ka ndalur tetë luftëra është i diskutueshëm dhe është verifikuar nga media si BBC. Çmimi Nobel për Paqe nuk ndahet nga Norvegjia, por nga Komiteti i Nobelit.
I pari që raportoi për letrën ishte portali Nettavisen. Për gazetën norvegjeze “VG”, Støre konfirmon se e ka pranuar letrën.
Letra i është dërguar Støre-s përmes ambasadorit të Norvegjisë në SHBA, citon MekuliPress gazetën norvegjeze Dagsavisen.
– Mund të konfirmoj se kjo është një mesazh që e mora dje pasdite nga presidenti Trump. Ajo erdhi si përgjigje ndaj një mesazhi të shkurtër që i dërgova më herët gjatë ditës presidentit Trump, në emrin tim dhe të presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, thotë Støre për VG.
Ai shton se në mesazhin e dërguar Trumpit kishin shprehur kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së tarifave doganore të SHBA-së ndaj Norvegjisë, Finlandës dhe disa vendeve të tjera.
– Ne theksuam nevojën për të de-përshkallëzuar retorikën dhe kërkuam një bisedë telefonike mes Trumpit, Stubb-it dhe meje gjatë ditës. Përgjigjja e Trumpit erdhi shumë shpejt pas dërgimit të mesazhit. Ishte zgjedhja e Trumpit ta ndajë këtë mesazh me liderë të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s, thotë Støre.
