Qeveria rikthen në fokus Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Qeveria e Kosovës ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh në mbledhjen e saj të fundit, me theks të veçantë në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, energji, inovacion dhe zhvillim ekonomik.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Ndër vendimet më të rëndësishme është Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon krijimin e një mekanizmi të posaçëm për verifikimin e pasurisë dhe procedurat e konfiskimit të saj kur nuk mund të justifikohet ligjërisht.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, versioni aktual është hartuar duke marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias dhe kontributet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

Në kuadër të reformës në drejtësi, Qeveria ka miratuar gjithashtu projektligje që lidhen me rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe përgjegjësinë e tyre disiplinore. Parashihet edhe ndryshimi i ligjeve për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe rregullimi i Akademisë së Drejtësisë.
Në fushën e energjisë janë miratuar Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike, me synim krijimin e rregullave për furnizim të sigurt e të qëndrueshëm, funksionim të tregut dhe mbrojtje të konsumatorëve.
Në të njëjtën mbledhje janë miratuar edhe projektligje për inovacionin dhe ndërmarrësinë, për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, si dhe është proceduar marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Qeveria ka miratuar edhe Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e buxheteve dhe Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.
Kush duhet të frikësohet nga Byroja?
Byroja, në parim, nuk është mekanizëm kundër qytetarit që e ka fituar pasurinë në mënyrë të ligjshme. Ajo synon të verifikojë pasuritë e pajustifikueshme, ndërsa konfiskimi bëhet përmes gjykatës, me mundësi që pala të dëshmojë burimin e ligjshëm të pasurisë.
Atëherë pyetja mbetet e thjeshtë: Kush duhet të frikësohet nga një Byro që kërkon vetëm një gjë – që pasuria e madhe të ketë një burim të ligjshëm dhe të justifikueshëm?
Nëse pasuria është fituar ndershmërisht, pse të ketë frikë dikush nga verifikimi?
