Tue u besue kujtimeve t’mija të largëta, kur isha mësues i letërsisë shqipe në gjimnazin shtetnor të Shkodrës (prej tetë klasësh: unë jepja letërsi shqipe, nga 1930 me 1933, në tre klasat e fundit), mund të pohoj se poezia e Dantes u interesonte shumë nxanësve të mij. Asokohe mësimi i letërsisë zhvillohej brenda hullive të gjinive letrare dhe tekstit, redaktue simbas rregullores shkollore të kohës. Së pari paraqiteshin veprat e autorëve shqiptarë, mandej bëhej i mundun prezantimi i kryeveprave ma të shqueme të letërsisë së huej. Në tre klasat e fundit të gjimnazit nxanësit ishin në gjendje me lexue mjaft mirë vepra në gjuhët përkatëse, veçanërisht në italisht e frëngjisht. Natyrisht, për një mundësi perceptimi ma të mirë pëlqeheshin edhe veprat e përkthyeme në shqip, kur ato egzistonin. Në mungesë të tyne, mësuesi, (që pothuejse në të gjitha rastet i kishte krye studimet jashtë shteti) ushtrohej në përkthimin e fragmenteve ma të randësishme tue përdorë maksimumin e mundësive të veta. 
Mbi gjithçka, ajo që i linte mbresa nxanësve shqiptarë, ishte jeta e Dantes, jetë e mbushin me situata dramatike që i shkaktoheshin nga konfliktet e dhunshme e urrejtja e pamëshirshme qytetare. Disa fragmente nga kronikat e Dino Campagni-t e Giovanni Villani-t, shfaqen si përshkrim i gjallë i ngjarjeve bashkohore të vendit. Portreti i Corso Donatit, me pak përpunim u përshtatet saktësisht personazheve të njoftun prej të gjithëve. Ngjarjet fiorentine t’epokës së Dantes, shfaqeshin shumë të ngjashme me ato që patën tronditë Shqipninë mbas luftës së parë botnore, pasojat e së cilës rëndojnë ende sot. Mentaliteti i Dantes, në përgjithësi përkon me shpirtin shqiptar. Ndamjet në klane, shkapetjet e vrullshme t’ambicjeve, ndërhymjet e jashtme, intrigat mes familjeve të mëdha në garë për mbisundim e qeverisjen e qytetit, përndjekjet dhe dëbimet, pra tanë lamshi i pasioneve që përbajnë jetën e fiorentinasit të madh, qenë shumë të kapshme prej shqiptarëve. Çuditesha edhe se si me sa lehtësi e kuptonin koncpetin politik dantesk. Kalimi, në vazhdën e shekujve, nga perandoria romake në atë bizantine e së fundi nën juridiksionin perandorak otoman, ka lanë gjurmë të thella në kujtesen kolektive të popullit tonë. Edhe në perandorinë e paanë të sulltanëve, që shtrihej ndër tre kontintente, nuk mungonin nismat e fisnikëve të fuqishëm vendas për të prishë rendin e krahinave të tana. Askush nuk i kundërvihej autoritetit nominal të Padishahut, në personin e të cilit ishin përqendrue të gjitha pushtetet, civile, ushtarake e fetare: ai ishte Perandori e Kalifi, Mëkambësi i Profetit mbi tokë. 
Nxanësit e mij i kuptonin shumë mirë përpjekjet e dëshpërueme të fiorentinëve për me ruejtë autonominë absolute të ligjeve t’veta shtetnore gjith ‘tue veprue në emën të Perandorit e tue mos ia dëshirue tepër praninë e vazhdueshme. Nga ana tjetër orientoheshin me vështirësi ndërmjet mosmarrëveshjes së Perandorisë dhe Papatit. Nuk njihen raste luftimi mes pushtetit perandorik e klerit, në tanë historinë otomane, madje as ndër pashallëqet e ndryshme ku këto dy pushtete qenë të ndamë në kuptimin administrativ. Shty nga kjo arsye e rrjedhimisht edhe nga diferenca e plotë mes edukatave religjoze, vëreja se mes kantikëve të Komedisë Hyjnore, Ferri e deridiku Purgatori, kuptoheshin dhe shijoheshin nga nxanësit; mjaft ma pak, për mos me thanë aspak, kuptohej Parajsa, nëse përjashtojmë kangët e Cacciaguida-s ku naltohet jeta tradicionale dhe mërgimi i lajmëruem i Poetit. Plasticiteti i artit dantesk i cili zblohet në figurat e t’mallkuemve të mëdhej (Çorba e Uberti-t, Uliksi-t, Kontit Ugolino, etj) zgjonte emocione të forta tek të rijtë. Pëlqehej edhe fragmenti i Purgatorit ku muzikanti Casella tue iu përgjigjë ftesës së Dantes, këndon dhe zani i tij përhapte një ambëlsi të pashprehshme në shpirtin e të pranishmëve. As që kam ndërmend këtu me ba ndonjë disertacion mbi efektet psikollogjike që poezia danteske shkakton tek shqiptarët; dëshiroj thjesht që, tue u bazue në përvojën prej mësuesi, të nënvizoj faktin se burrnia dhe karakteri i Poetit, qëndrimi i tij përçmues dhe krenar përballë kundërshtarëve politikë, individëve vulgarë për sa i përket ultësisë shpirtrore apo ndaj atyne që u shmangeshin detyrimeve të nderit, i prekte së tepërmi nxanësit e mij. Dhe i entuziazmonte lavdërimi i guximit, i virtyteve të forta tradicionale dhe pika mashkullore e vështrimit dantesk në vlerësimin e veseve e vërtyteve njerëzore. 
Aty nga viti 1938, Patër Gjergj Fishtës i kceu damari me iu përveshë përkthimit në shqip të disa Sonetave t’Petrarkës. Por mbas do përpjekjesh të mundimshme më pohoi vështirësitë e paprituna që po i dilnin përpara gjithnjë. Tha: “Asht e çuditshme: për me ba një variant të një kange të Dantes në shqip, do t’kisha gjetë menjëherë fjalë e fraza të qëllueme; nuk kuptoj se ëse u dashka me u mundue kaq fort për me përkthye Petrarkën…”
Por mandej e kuptoi e dha një spjegim në mënyrën e tij: “Thelbi mashkullor i poezisë së Dantes, përputhet me karakterin e fuqishëm e konceptin heroiko-patriarkal që ka jeta e shqiptarëve, veçanërisht ajo e Maleve. Gjuha jonë mashkullore prihet ndaj lakonimzmit sintetik e huazohet në mënyrë të shkëlqyeme për t’i mbartë shprehjet krenare danteske. Krejt ndryshe, modulimet valëzore të vargjeve të Petrarkës, bà komplekse nga mundimi i tij i dashunisë, i përpunuem e delikat, që çel herë nër turbullime sensuale e herë ndër vrulle t’nalta shpirtnore. Këto modulacione, jo vetëm që gjejnë me vështirësi terma të shprehjeve përkatëse në trashëgiminë tonë leksikore, por shfaqen në kundërshti të hapun ndaj çdo shfaqje të natyrës sonë, mohue në tanësi ndaj dritëhijes së ndjenjave”. 
Kështu u shpreh Orakulli ynë e, në të vërtetë përktheu vetëm ndonjë sonetë të Petrarkës (që i botova në revistën time “Shkëndija) e nuk iu nënshtrue ma mundimeve të përkthimit sepse, pavarësisht nga njohja e pakrahasueshme që ai zotnonte në të gjitha nivelet e gjuhës shqipe, përkthimi i dukej i vështirë. 
Fatkeqësisht s’arrita me e bindë që t’na jepte versinon shqip të ndonjë kange të Komedisë. Mes nesh, vetëm ai i kishte të gjitha dhuntitë për me e pasunue trashigiminë tonë letrare me egzemplarë të përkthimit dantesk. 
Sidoqoftë, egzistojnë edhe në shqip prova serioze e të zellshme, qoftë nga versionet e “Vita Nuova” e “Rime” qoftë nga “Divina Commedia” në Antologjinë Shqiptare të Jeronim De Radçs. Këtë sprovë ia detyrojmë italo-shqiptarit Luigi Lorecchio, vëllait të Anselmit, themeluesit e drejtuesit të periodikut “Nazione Albanese”. 
Asht një përkthim besnik dhe i kujdesshëm në vargje të lira. Autori ka botue shpesh në “La Nazione Albanese”, lirika shumë të rrjedhshme e patetike, tue përdorë të folmen e Pallagorio-s (provinca e Cantanzaro-s) të pasunueme me hijeshi e kujdes fjalësh toske. Në të njëjtën periudhë, me 1900, gjejmë një version të kangës V të Ferrit, realizue nga Sokol Baazi (Sokol Baci), i cili padyshim asht Kola, i biri i t’famshmit Bajraktar të Maleve të Mbishkodrës Sokol Baci. Kolë Baci ishte diplomue në Romë dhe shumë nga poezitë e tij patriotike shkrue në fillim të këtij shekulli e botue në “Nazione Albanese”, lexohen ende me interes. Në provën e tij të përkthimit dantesk, Baci jep provat e një mjeshtrie në përdorimin e vargut endekasilabik (i panjohun për poezinë popullore të Shqipnisë dhe i përdorun vetëm nga italo-shqiptarët ndër vjerrsha, pra ndër serenatat tipike nokturne të dashunisë) e në lirshmërinë e spikatun në përdorimin e tercinës së lidhun, aq e vështirë në shqip për rimën e saj të trefishtë. Gjuha që përdor asht ajo gege e Shkodrës, gjallnue e fuqizue nga përdorimi i shprehjeve idiomatike. Epoka e dhanë në të cilën u ba kjo sprovë meriton vëmendje. 
Me 1924, i ndjeri Patër Vinçens Prennushi, i vdekun tragjikisht mbas luftës së dytë botnore, me pendën e naltë që kapërcente shkathtësisht çdo pengesë ndër ushtrimet ma të zjarrta poetike, botoi në një prej vëllimeve të tij me lirika, një përkthim të admirueshëm të kangës së S.Françeskut (kanga X), ku ritmi e rima jo vetëm që e ndjekin besnikërisht origjinalin por dhe mbartin në shqip valëzimet e veçanta muzikale e tonet e ngjyrës. 
Më 1932, nga Shtypshkronja e Botuesit Nikaj të Tiranës, doli vëllimi i parë “Poetët e mëdhenj t’Italis”, realizue nga poeti në fjalë që përmblidhte version in e disa fragmenteve danteske. Poeti kombtar Gjergj Fishta, në një parathanie mjeshtrore të librit lëvdonte (e të gjithë e dinë se sa i përmbajtun ishte ai në lëvdata) ato përkthime që i pëlqyen edhe një tjetër poeti tonë të madh, Dom Ndre Mjedjes (që lëvdonte edhe me ma vështirësi se Fishta) i cili foli shumë mirë në një reçension te revista “Leka”. I vlerësoi shumë edhe Prof.Carlo Tagliavini, në parathanien e botimit të dytë botue me 1936. 
Në revistën e mirënjoftun “Leka”, Kristo Floqi i palodhshëm na dhuroi me 1937 përkthimin e episodit të Kontit Ugolino (Kanga XXXIII e Ferrit). Nxitun prej nevojës së papërballueshme të të shkruemit, Floqi, autor veprash të shumta që në një hapsinë të gjanë prodhuese përfshijnë studime Juridike, esse mbi administrimin shtetnor e një gamë të larmishme shkrimesh në të cilat figurojnë tana llojet letrare, që nga lirika dhe epika deri tek dramatika e artet rrëfimore, fatkeqësisht nuk i kushton shumë kujdes mënyrës së të shprehunit dhe pena e tij, me tepër kollajllëk, hidhet nga proza në poezi pa mujtë me i dhanë tharm stilit që shfaqet njëlloj i rrafshët si në përkthimet prej greqishtes antike si në letërsi moderne. Ky version me vargje endekasilabike që çalojnë, me fraza të përgjithshme, me strofa katërshe e rimë të alternueme shpesh arbitrare, përsa i takon interpretimit të tekstit origjinal, damton mbi gjithçka tonin: Floqi e shndërron ngjarjen tragjike në një lajm të kronikës së zezë dhe e shtjellon me ritmikëne një ballade popullore. 
Dy episode t’përkthyeme në tosknisht (Kanga X e Ferrit) gjenden në teksin shkollor “Letërsi e Huaj” e Mahir Domit dhe Sterio Spasses, por meqë në lidhje me çështjen në fjalë na mungojnë orientuesit, nuk mund të dimë nëse përkthimi asht vepër e tyne apo e të tjerëve; gjithsesi ky përkthim nuk na duket kushediseçka. 
Ma në fund, mbas shumë përpjekjesh të shkëputuna, pak a shumë të mbërrituna, ja tek shfaqet përkthyesi i shumë pritur i tanë Komedisë Hyjnore. Tashma janë publikue Ferri e Purgatori: Parajsa thuhet se asht në botim e sipër. Së shpejti pra, krahas versioneve nga greqishtja e latinishtja te Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ethem Haxhiademit, Frano Alkajt dhe ato angleze e gjermane nga Fan S. Noli, Vinçens Prnnushi e Lazër Shantoja, poemën e Dantes do ta kemi të përkthyeme në shqip nga Pashko Gjeqi. Ai asht laurue për Letërsi e Filozofi në Universitetin e Romës më 1941 dhe ka botue vjersha dhe esse kritike shumë të çmueme ndër gazeta e peridokë letrarë. Që prej ma se pesëmbëdhjetë vitesh, i asht përkushtue me tana energjitë përkthimit në shqip të kryeveprave danteske. 
Ndër shkrimet e tij Gjeqi jep një provë të admirueshme përsa i takon njohjes së leksikut e të frazeologjisë shqiptare. Ai e ka studiu thellë shqipen, kështuqë zotnon përgatitjen e nevojshme për t’u përballë kësaj ndërmarrjeje të naltë mbi përkthimin e Dantes në një gjuhë që ka veç një shekull që asht çue në mundësinë e provave letrare. Me një formim të rreptë klasik, tue e përsosë shijen edhe mbi autorët e mëdhenj të letërsive t’mëdha perëndimore, Gjeqi ka fitue aftësinë e zgjehdjes së tingujve e lokucioneve pa të cilat çdo lloj përkthimi nga një gjuhë në tjetrën rrezikon me u katandisë në parodi. Besnikëria e një përkthimi nuk qëndron në ruejtjen e saktësisë së kuptimit të fjalëve, jo në mbartjen prej një gjuhe në tjetrën t’një koncepti mbushun me një ndjenjë të veçantë e vezullues në tisin e një imazhi origjinal, por në zgjedhjen e qëllueme të një shprehjeje mundësisht të ngjyrosun me idioma që japin, përveç domethanies, tonin, do të thoja tingullin dhe koloritin e origjinalit. 
Gjeqi, lexues i përhershëm i poemës danteske prej së cilës njeh sigurisht shumë pjesë përmendësh, lëshohet mbas ritmit të endekasilabit e lojnave t’panumurta të rimës së tretë, do të thoja me një epsh të vërtetë. Shfaqet e përkyreme teknika e tij prej vargëzuesi në mbruejtjen e endekasilabit teksa përpiqet, dhe në t’shumtën e rasteve ia del mbane, me mbetë i pranishëm në harmoninë intime të tekstit. Edhe n’ato pasazhe ku nuk arrin me e kapë veçantitë e koloritit e skalitjen e artit të gjanë dantesk me mijra e mijra forma e sfumatura, përkthyesi ynë ruen gjithmonë një nivel të naltë mjeshtërie stilistike. 
Vështirësia e pakapërcyeshme e përkthimit të Dantes në çfarëdolloj gjuhe qëndron në variacionet e vijueshme dhe të pafundme të endjes ekspresive që gjith ‘tue ndryshue tonin, ndjekin ngjarjet e njëmbasnjëshme t’udhtimit të tij tejtoksor dhe në ndërthyrjen e shpejtë të ndjesive e mbresave nga kanga në kangë. Kalohet nga stili i naltë biblik në stilin e vrullshëm popullor, nga fjalimet oborrtare në bisedat familjare e n’ato bufoneske e banale. 
E pasazhe të tilla tonesh që Dante kapërcen me një natyrshmëni të mrekullueshme, bajnë që t’i dridhen damarët e pulseve edhe përkthyesit ma të sprovuem. Mund të pohojmë se Gjeqi, i cili ia ka dalë mbanë me aftësi dinjitoze edhe në pikat ku kërkesave tiranike të rimave u shtohej vështirësia e ruejtjes së timbrit të veçantë e riprodhimi i atmosferës së veçantë të origjinalit. 
Episodet e Ferrit, të Françeskes nga Rimini, Farinates së Uberteve e Uliksit, janë realizue vërtetë gjallnisht në përkthimin e Gjeqit. 
Në përgjithësi kantiku i parë, Scultorea, e ka ma t’lehtë me i gjetë në leksikun shqiptar mjetet ekspresive për një përkthim të suksesshëm, falë karakterit plastik e konkret të materies poetike që trajtohet. Purgatori, piktoresk, kërkon pasuni të një lloji fjalësh e frazash me të cilat shqipja nuk asht edhe aq e begatë. Masën ma të naltë të mjeshtrisë së tij, përkthyesi ynë do të na e japë, nëse do t’arrijë me i kapërcye vështirësitë që paraqet përkthimi i Parajsës muzikale.

Lexo po ashtu:  Nëntori i tretë i shqiptarëve/ Ditëlindja e komandantit Adem Jashari

Kjo ese bën pjesë në një cikël leksionesh që Ernest Koliqi ka mbajtur në universitetet italiane./MekuliPress/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *