Vehap Kola
I gjendur në panik nga logjika e argumenteve të opozitës, Rama është hedhur në kundërsulm me çdo truk të mundshëm retorik për të kënaqur nevojat e militantëve të tij për një batutë që i përgjigjet Bashës. Kur Basha u thotë shqiptarëve se Rama nuk mund të bëjë në 4 vite të tjera ato që nuk i bëri dot në 8 vite, kjo është më se bindëse dhe e trazon humorin e kampit të Rilindjes. Argumenti që Rilindja ka paketuar për spindoktorët dhe makinerinë e saj elektorale është se Basha nuk meriton një shans tjetër përderisa nuk fitoi zgjedhjet në vitin 2017. Është interesante të artikulohet kjo tezë nga dikush që vetë qëndroi 8 vite në opozitë si kryetar i Partisë Socialiste.

Kur PD u thotë shqiptarëve se vetëm ajo mund ta kthejë vendin në trajektoren e integrimit dhe të përmbyllë procesin e anëtarësimit në BE, ajo mbështetet në rekordet e PD në sferën e integrimit euro-atlantik. Pikërisht gjatë mandateve të qeverisjes së djathtë Shqipëria u anëtarësua në NATO, sigurua lëvizja e lirë pa viza dhe qeveria shqiptare luajti një rol të madh në pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Ata që e kanë bërë një herë këtë rrugë, e dinë se si arrihet ajo përsëri.

Për të relativizuar këtë tezë të Bashës, Rama u thotë qytetarëve nga dritarja e ERTV-së se nuk është aspak meritë e të djathtëve që u anëtarësuam në NATO apo në BE. Për të njohur Bashën, sipas Ramës, është e nevojshme të kujtohet fati i tramvajit të Tiranës, një projekt i premtuar nga kryeopozitari në zgjedhjet e 2011, por që nuk pa kurrë dritën e realizimit pas ndërhyrjes së qeverisë socialiste në vitin 2013 për të bllokuar financimin francez për projektin.

Lexo po ashtu:  Pandemia i ka bërë njerëzit më bujarë apo më egoistë?

Ndërsa artikulon këtë truk propagandistik, Rama me siguri shpreson që askush të mos i kujtojë atij shumë premtime të pambajtura, si shëndetësia falas, 300 mijë vendet e punës, ulja e çmimeve dhe anëtarësimi në BE. Sa u përket aeroporteve, linjave hekurudhore, teatrove, shtëpive të banimit dhe spitaleve në 3D, edhe ai është i vetëdijshëm se i ka dalë nami si plagjiarues projektesh në internet, jo si realizues i tyre.

Paralelisht me këto, Rama po bën çmos për t’i faturuar opozitës pasojat e keqmenaxhimit të pandemisë. Sipas tij, pritjet entuziaste që i bëhen rivalit të tij Basha në çdo qytet dhe fshat ku ka shkuar javët e fundit janë përgjegjëse për rastet e shumta të infektimeve me COVID. Opozita i është përgjigjur duke i konsideruar akuzat e tij si shprehje të panikut që i shkakton gatishmëria e shqiptarëve për ndryshim.

Rama ka këtu një tjetër pikë të dobët dhe gjen vështirësi të bindë publikun me këto akuza. Për qytetarët nuk janë të largëta skenat e ambulancave me të sëmurë që prisnin në dyert e spitaleve COVID të tejmbushur me të sëmurë, ndërkohë që autobusët në Tiranë dhe qytetet e mëdha dyndeshin me pasagjerë pa asnjë kriter shëndetësor. Shqipëria është e fundit në Europë dhe një ndër vendet e fundit në botë për numrin e testimeve për banorë. Vdekjet e paklasifikuara janë më të lartat në Europë dhe qeveria është kapur mat nga Basha me statistikat që rrodhën nga morgu i Tiranës nëntorin e kaluar.

Sikur kjo të mos mjaftonte, vetë Rama dhe deputetët e tij janë filmuar duke organizuar aktivitete politike me qindra apo mijëra pjesëmarrës. Procesi i vaksinimit që nisi qeveria pasi bleu një sasi vaksinash të prodhuara nga një kompani kineze u shndërrua shpejt në një miting shumë më të populluar se radhët e epokës së komunizmit.

Lexo po ashtu:  I pranuat votat e Listës Serbe nga Beogradi për formimin e qeverisë, tash mos na shisni moral se nuk i pranoni testet!

Pas kësaj përpjekjeje të Ramës për të fajësuar opozitën për pasojat e keqmenaxhimit të pandemisë mund të fshihet edhe ndonjë plan për të penguar votimin e qytetarëve të infektuar me COVID. Sot, kur numri i të infektuarve raportohet mesatarisht 500 në ditë, numri total i të infektuarve aktivë është 31 mijë vetë. Në një situata shpërthimi të infektimeve ky numër mund të shkojë deri në 100 mijë dhe ndikimi në pjesëmarrjen në votime mund të jetë statistikisht i rëndësishëm.

Një tjetër kallo në këmbët e lodhura të Ramës është akuza e opozitës se pasi mori të gjitha pushtetet në dorën e tij, përgjegjësia për të gjitha dështimet e Shqipërisë i takon po atij. Kundërpërgjigja e propagandës së Rilindjes është se opozita braktisi parlamentin dhe nuk u fut në zgjedhjet lokale duke i dhënë mundësi Ramës të marrë të gjithë pushtetet. Megjithatë, edhe kjo përgjigje nuk e shfajëson regjimin nga përgjegjësia për të mos e përdorur pushtetit për të bërë padrejtësi, sado i pakufizuar të jetë ai pushtet. Vërtet opozita mund ta kishte penguar Ramën nga ndryshimi i njëanshëm dhe i ngutur i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, por tërheqja e opozitës nxori të zbuluar oreksin e tij të shfrenuar për ta përdorur pushtetin si një armë në përpjekjet e tij për të kufizuar liritë dhe të drejtat njerëzore, si dhe për të shtuar abuzimin me paratë publike.

Raporti i fundit i Transparency International tregoi se Rama, jo vetëm i ka marrë të gjitha pushtetet në dorë, por i ka përdorur ato për interesa private në dëm të interesit të përbashkët publik. Shteti është kapur, korrupsioni është galopant dhe Parlamenti i kontrolluar 100% nga Rilindja ka miratuar ligje të porositura nga kompani private. Vendimi i përfundimtar i Komisionit Adhoc të ngritur në Paris për çështjen Becchetti i ngarkoi Shqipërisë detyrimin për të paguar 110 milion euro dëmshpërblim për mbylljen e paligjshme dhe për motive politike të televizionit privat AGON TV.

Lexo po ashtu:  Pse edhe në më të keqen e saj ‘foltorja’ e Berishës është me e shëndetshme se gjumi i Bashës

Nga ana tjetër ka mjaft zullume që Rama i ka bërë edhe me shumicën e thjeshtë në Parlament apo me kontrollin në bashkitë kryesore. Miratimi i ligjit special për shembjen e Teatrit Kombëtar, vetë shembja e Teatrit nga Erion Veliaj, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në bashkinë e Durrësit nga Vangjush Dako, shndërrimi i Elbasanit në një Siçili të organizatave mafioze gjatë drejtimit afatgjatë nga Qazim Sejdini, kanabizimi i territorit, pastrimi i parave në ndërtim në bashkinë e Tiranës, etj, janë të gjitha produkt i qeverisjes së Rilindjes dhe nuk kanë asnjë lidhje me tërheqjen e opozitës nga institucionet.

Të gjitha këto krime dhe padrejtësi që i kanë kushtuar shtrenjt buxhetit të familjeve shqiptare dhe që do të vazhdojnë të zbrazin xhepat e tyre edhe për disa vite, janë pasojë e abuzimit me pushtetin nga Edi Rama.

Në përfundim, mund të thuhet se ndoshta është hera e parë që makineria e propagandës së Rilindjes po jep probleme në funksionim. Është hera e parë që ajo po përballet me një strategji efektive të kundërpropagandës nga ana e opozitës. Mbi të gjitha, është hera e parë në këto 8 vite që qytetarët po refuzojnë masivisht justifikimet e qeverisë. Sepse, për këdo, 8 vite janë mjaft një qeveri të mbahet përgjegjëse për rezultatet dhe asaj të mos i lejohet të merret me kundërshtarin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *