Thierry Breton, Komisioneri i Tregut të Brendshëm, i ngarkuar edhe me çështjet e teknologjisë dhe mbrojtjen, njoftoi krejt papritur dorëheqjen nga detyra.

Përgjatë pesë viteve të fundit, Breton ka qenë Komisioner në kolegjin e Presidentes Ursula von der Leyen dhe kohët e fundit u riemërua si Komisioner nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ju i kërkuat Francës të tërhiqte emrin tim – për arsye personale që në asnjë rast nuk e keni diskutuar drejtpërdrejt me mua – dhe ofruat, si një shkëmbim politik, një portofol gjoja më me ndikim për Francën në Kolegjin e ardhshëm”, shkroi Breton në një letër drejtuar von der Leyen.

Presidentja e komisionit u ka kërkuar shteteve anëtare që të dërgojnë gra në vend të burrave për të arritur barazinë në kolegjin e saj të ardhshëm të Komisionerëve.

Por Breton, në letrën e tij të dorëheqjes, e akuzon atë për pazare politike.

Barazia gjinore si kriter bie në këtë rast, pasi ndërkohë pasuesi i Breton është sërish mashkull.

Stéphane Séjourné, një nga të besuarit më të afërt të Presidentit Emmanuel Macron, u emërua si Komisioner i BE-së i Francës, duke sinjalizuar se presidenti francez kontrollon çështjet e BE-së, pavarësisht paqëndrueshmërisë politike në vend.

Lexo po ashtu:  I vihet flaka xhamisë në kohën e iftarit

Breton ka pasur mosmarrëveshje me von der Leyen në muajt e fundit. Në mars ai kritikoi hapur zgjedhjen e saj si kandidate kryesore për Partinë Popullore Evropiane (EPP) përpara fushatës zgjedhore të BE-së.

Së bashku me komisionerët e tjerë, ai i kërkoi asaj në prill të rishikonte vendimin për të emëruar Markus Pieper si të dërguar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të), duke sugjeruar se zgjedhja e saj për një anëtar tjetër të CDU-së ishte një veprim politik.

Kërkesa e Von der Leyen për një ndryshim emri në atë që Breton supozon se është një lëvizje politike është “dëshmi e mëtejshme e qeverisjes së dyshimtë“, shkroi ai në letrën e tij të dorëheqjes.

Është e paqartë nëse Breton do t’i bashkohet qeverisë së ardhshme të Francës, e cila duhet të shpallet këtë javë.