Nëse ka një sukses të qartë të politikës së Albin Kurtit kjo është delegjitimi i argumentit të perëndimit për të mbajtur status quonë në Kosovë.

Për çdo veprim të kryer nga qeveria e tij, pavarësisht qëllimeve, brenda suazës së legjitimitetit politik dhe kushtetues të Kosovës, Perëndimi ka dalë kundër me argumente përherë e më të pabaza, mbështetur thjesht në logjikën: lëre tani këtë muhabet! Se është provokim.

Edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç, që deri më dje staciononte trupa dhe baza, blen armë e ndjek politikë aktive për serbët në Kosovë dhe shpreson ndarjen, ka ditur të jetë më koherent. Ta zëmë nga Praga ai tha se nuk e kupton pse Kurti ndërmerr këto veprime veçse për të provokuar Serbinë, ndërkohë që zyrtarët perëndimorë përfshirë opinionistin e dështuar të Departamentit të Shtetit, O’Brien, kanë rendur të bëjnë thirrje se po përshkallëzohet situata me veprimet e mbylljes së strukturave paralele.

Po ku ka gabuar qeveria e Kosovës? Cilën dispozitë ka shkelur, cilin zotim? U kërkua Asocacioni i komunave serbe dhe tani bëhet thirrje që strukturat ilegale të mbahen? Po pse të mos njihet atëherë Republika e Donbasit? Fundi fundit aty u bë një referendum! Pse nuk njihet Krimeja nën Rusinë?

Lexo po ashtu:  “Faleminderit”/ Zelensky në Kuvendin shqiptar: Populli juaj më kujton Nënë Terezën

Alogjizmit të Perëndimit, në radhët e të cilit patjetër ka nga ata që e nxisin Kurtin në këtë kurs për të shtrënguar edhe më ndaj Vuçiç, apo për të djegur politika të caktuara konservimi të tensionit, i shtohet histeria e opozitës së Kosovës, e përbërë nga njerëz të ndryshëm që mendojnë njësoj: ne bëjmë çka na thotë Amerika! Të tjerat nuk na duhen. Ose se Kurti po bën politikë elektorale! Si atëherë vallë na doli që Radoiçiç ishte ortak biznesi me shqiptarë, apo bashkëpunonte me sektorë të politikës në Kosovë?

Ku e gjente mbështetjen ai? Si vepronte aq sa kishte edhe atë pasuri që e pamë të gjithë? Këto përgjigje i jep dot ky O’Brien apo këta opozitarët e Kosovës, të cilëve edhe këtyre nuk ua dimë pasurinë?