Sot më thanë se më në fund do të jem në gjendje të bashkohem me prindërit e mi! Do të shkoj edhe në kampin gjerman ku punojnë ata dhe në këtë mënyrë do të jem në gjendje t’i shoh përsëri dhe të jem me ta, shkruante Elena Colombo,  një vajzë 10 vjeçare, e cila sjell në kujtesë dramën e kampit të Aushvicit, shkruan corriere.it.

”Jam shumë e lumtur! Nesër nisem për në Gjermani”, shkroi më 4 prill 1944 në kartolinën  e saj të fundit, drejtuar shoqes së saj Bianca.

Ajo ishte e mbyllur në kampin e përqendrimit ”Fossoli”. Të nesërmen, më 5 prill, në oborrin e mallrave të stacionit hekurudhor në Karpi, ajo u shty në një vagon bagëtish. Pas pesë ditësh në kushte të tmerrshme, ajo mbërriti në Aushvic, ku u dërgua menjëherë në dhomat e gazit.

Një rast unik, dhe për këtë arsye edhe më i tmerrshëm, në të gjithë Holokaustin italian.

E lindur më 5 qershor 1933 në Torino, Elena Colombo kaloi një fëmijëri të qetë dhe të shkujdesur, kur ekzistenca e saj përmbyset nga shpallja e ligjeve racore dhe politika pasuese e persekutimit që detyron të gjithë familjen Colombo të largohet.

Lexo po ashtu:  Test psikologjik i frikërave tona simbolike

Fillimisht ajo strehohet në Rivarolo Canavese ku takon Biancan dhe më pas në Forno Canavese, ku më 8 dhjetor 1943 të gjithë arrestohen. Për rrethana ende të paqarta, ndërsa prindërit çohen menjëherë në Auschwitz, në të njëjtin tren si Liliana Segre, Elena u besohet miqve të familjes me të cilët qëndron për tre muaj para se edhe ajo të deportohet në Aushvic, pasi i shkruan një kartolinë të fundit Biancas.

Atje ajo do të vdiste në të njëjtën ditë të mbërritjes, më 10 prill 1944. Ajo ishte 10 vjeçe e 10 muajshe.

Historia e saj tregohet edhe në një film të shkurtër të RAI Kids me titullin ”Kartolina e Elenës”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com