Etika e përgjegjësisë

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Pelikanët

Rreth vitit 1960, autoritetet në SHBA ndërmorën një aksion të madh për të luftuar dëmtuesit në bujqësi. Lëndë kimike që mund t’i vrisnin insektet u spërkatën mbi arat nga avionë të vegjël. Kjo ishte shumë e suksesshme: dëmtuesit u zhdukën, të korrat u rritën, ushqimi kishte të njëjtën shije dhe të gjithë ishin të kënaqur.

Por, me kalimin e kohës, rikujton MekuliPress, biologët filluan të zbulonin ndryshime të çuditshme në natyrë, ndër të tjera në një ishull shkëmbor pranë brigjeve të Kalifornisë, ku jetonin qindra pelikanë. Studiuesit vunë re se gjatë verës pothuajse asnjëri prej tyre nuk kishte zogj të vegjël, siç ndodhte zakonisht. Doli se vezët që ata lëshonin kishin një lëvozhgë aq të hollë, saqë thyheshin në vend që të çeleshin.

Pesticidet kishin depërtuar në përrenj dhe lumenj, kishin përfunduar në det dhe ishin grumbulluar në peshq të vegjël dhe në gjallesa të tjera me të cilat ushqeheshin pelikanët. Më vonë, studiuesit treguan se nuk kishin mundur t’i mbanin lotët kur u ngjitën nëpër ishull dhe panë të gjitha ato vezë të thyera.

Kush ishte përgjegjës për këtë dhe si mund të ndreqej dëmi?

U zbuluan edhe shumë pasoja të tjera tepër negative të këtyre helmeve në natyrë. Biologia Rachel Carson botoi në vitin 1962 librin paralajmërues Silent Spring (Pranvera e heshtur). Ky libër shënoi fillimin e diskutimit të parë të madh për mbrojtjen e mjedisit në botën perëndimore.

Një përgjegjësi e zgjeruar në një epokë të re

Lexo po ashtu:  Më mirë një armik i ndershëm se sa një mik i rremë

Në kohën tonë, disa filozofë janë të shqetësuar se mënyrat më të njohura të të menduarit etik kanë lënë jashtë diçka të rëndësishme. Ato pothuajse gjithmonë merren me marrëdhëniet mes njerëzve dhe problemet morale lidhen me atë që ndodh këtu dhe tani.

Nuk ka qenë e zakonshme të mendohet thellë për marrëdhënien tonë me natyrën. Edhe etika e pasojave nuk ka pyetur zakonisht se çfarë pasojash mund të kenë veprimet tona për njerëzit që jetojnë në anën tjetër të globit, apo për ata që do të jetojnë pas njëqind vjetësh.

Problemi është se njerëzit në kohën tonë kanë fituar një fuqi kaq të madhe mbi jetën në Tokë. Ajo që vendosim të bëjmë mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej asaj që zakonisht e konsiderojmë si përgjegjësinë tonë.

Historia e pesticideve në SHBA është vetëm një shembull. Shembuj të tjerë janë armët bërthamore, çlirimi i gazeve serrë, të gjitha llojet e ndërhyrjeve të mëdha në natyrë dhe ndryshimi i materialit gjenetik të bimëve, kafshëve dhe njerëzve.

E përbashkëta e të gjitha këtyre është se na ballafaqohemi me sfida krejtësisht të reja. Ne nuk kemi një pasqyrë të plotë të pasojave. Ato janë të pasigurta dhe mund të shfaqen shumë larg në të ardhmen.

Një filozof që ka menduar shumë për këto çështje është filozofi gjermano-amerikan Hans Jonas. Ai thotë se duhet të flasim në një mënyrë tjetër nga më parë për përgjegjësinë e njeriut. Duhet të krijojmë një etikë të re të përgjegjësisë, në të cilën të tregojmë më shumë kujdes për jetën e ardhshme në planetin Tokë. Jonas e quan këtë edhe etikë të së ardhmes.

«Natyra na ngarkon me përgjegjësi»

Hans Jonas (1903–1993) ishte një nga filozofët më të rëndësishëm të moralit në shekullin XX. Ai u rrit në një familje hebraike në Gjermani dhe që në moshën 14-vjeçare filloi të lexonte me shumë interes filozofi.

Lexo po ashtu:  “Euronews” skanon fushatën në Kosovë: “Vetëvendosje” favorite për marrjen e drejtimit të qeverisë

Kur Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933, Jonas e kuptoi se kjo mund të bëhej e rrezikshme për hebrenjtë. Prandaj u largua drejt Palestinës. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ai u bashkua vullnetarisht me ushtrinë britanike. Luftoi si ushtar kundër nazistëve gjatë gjithë luftës dhe në fund u kthye në një Gjermani të shkatërruar.

Atje mësoi se nëna e tij ishte vrarë në Aushvic në vitin 1942. Këto përvoja dramatike patën ndikim të madh në filozofinë që ai zhvilloi më vonë në disa libra. Në vitin 1955, Jonas u bë profesor universiteti në Nju-Jork, ku jetoi deri në vdekje.

Sot ai njihet më së shumti për librin që botoi në moshë të shtyrë: Parimi i përgjegjësisë (The Imperative of Responsibility, 1979). Libri ka qenë një burim i rëndësishëm frymëzimi për lëvizjen mjedisore, veçanërisht në Gjermani dhe SHBA.

Pikënisja e tij është se ne, njerëzit, jemi të lidhur me gjithçka që jeton në Tokë. Të gjitha format e jetës në natyrë përpiqen ta ruajnë jetën. Dhe të gjithë njerëzit e kuptojnë vetvetiu se një botë e mbushur me një larmi të madhe formash jete është shumë më e mirë sesa një botë pa këto forma jete.

Kjo do të thotë se natyra na ngarkon me përgjegjësi, thotë Jonas.

Sepse ajo që na dallon nga bimët dhe kafshët është aftësia jonë për të ndier përgjegjësi për natyrën dhe për të ardhmen.

Tani është krijuar një situatë e re në botë: ne njerëzit jemi në gjendje ta shkatërrojmë një të ardhme të mirë, si për pasardhësit tanë, ashtu edhe për format e tjera të jetës.

Lexo po ashtu:  Vuçiq zbulon planin serb për ta marrë Veriun dhe Anamoravën, thotë se i ndaloi një shtet evropian

Prandaj, sipas Jonas, përgjegjësia jonë më e rëndësishme është të mos e bëjmë këtë të keqe.

Kjo përgjegjësi na jep katër detyra të reja, thotë Jonas. Ai thekson se këto detyra vlejnë veçanërisht për ata që marrin vendime në politikë dhe në ekonomi. Por edhe njerëzit e zakonshëm duhet t’i marrin seriozisht këto detyra.

Katër detyrat e përgjegjësisë

1. Kemi për detyrë të sigurojmë sa më shumë njohuri që të jetë e mundur për pasojat afatgjata të veprimeve tona.

2. Kemi për detyrë të veprojmë edhe kur rreziku është i pasigurt. Nuk mund të jemi kurrë plotësisht të sigurt. Por, nëse ekziston një arsye e fortë për t’u frikësuar nga më e keqja, duhet të veprojmë duke u bazuar në këtë rrezik.

3. Kemi për detyrë të shmangim paralizimin dhe mosveprimin. Duhet të marrim kontrollin mbi zhvillimin dhe të gjejmë zgjidhje më të qëndrueshme për shoqërinë.

4. Kemi për detyrë të imagjinojmë se çfarë fatkeqësish mund t’i shkaktojmë natyrës dhe njerëzve që do të jetojnë pas nesh. Duhet të përdorim aftësinë tonë për t’u vënë në vendin e të tjerëve, në mënyrë që ta ndiejmë këtë përgjegjësi.

Nëse vetëm disa njerëz hedhin plastikë në det, dëmi nuk është shumë i madh. Dhe nëse vetëm disa njerëz përdorin naftë, gaz dhe qymyr si burime energjie, nuk do të kishte ndonjë problem të madh. Por kur shumë njerëz bëjnë të njëjtën gjë, kjo bëhet e rrezikshme për bazën e jetës sonë në planin afatgjatë.

Prandaj ia vlen të mendojmë për rregullin e veprimit që Hans Jonas formuloi për etikën e tij të përgjegjësisë: «Vepro në mënyrë të tillë që pasojat e veprimeve të tua të jenë në pajtim me vazhdimësinë e një jete vërtet njerëzore në Tokë.»/MekuliPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com