Nga Jorge Luis Borges
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Ç’është pagjumësia?
Pyetja është retorike; e di mjaft mirë përgjigjen.

Është të të frikësojnë dhe t’i numërosh, në natën e thellë, kumbimet e thata e të pashmangshme të lavjerrësit të orës; është të përpiqesh, me mrekulli të kotë, të arrish një frymëmarrje të njëtrajtshme; është barra e një trupi që shkreptimthi kthehet në anën tjetër; është të shtrëngosh qepallat; është një gjendje e ngjashme me ethet, që, padyshim, nuk është të qenit zgjuar; është të përmendësh fragmente paragrafësh të lexuar qyshkur; është të ndihesh fajtor që ti po e gdhin kur të tjerët flenë; është të duash të zhytesh në ëndërr dhe të mos mund të zhytesh dot; është tmerri që ekziston dhe vazhdon të ekzistosh; është agimi i pasigurt.
Ç’është jetëgjatësia?
Është tmerri i të jetuarit në një trup njerëzor, aftësitë e të cilit perëndojnë; është një pagjumësi që matet me dekada dhe jo me akrepa çeliku; është pesha e deteve dhe piramidave, e bibliotekave antike dhe dinastive, e agimeve që këqyri Adami; është të mos e shpërfill dot se jam rob i mishit tim, i zërit tim të urryer, i emrit tim, i një rutine kujtimesh, i kastejanos, që nuk di ta përdor, i nostalgjisë për latinishten, që nuk e di, i dëshirës për t’u zhytur në vdekje dhe të mos mund të zhytem dot; është të jem i dënuar të ekzistoj dhe të vazhdoj të ekzistoj.
*Titulli i origjinalit:”Dy trajta të pagjumësisë“
Në shqip nga: Erion Karabolli
