Gazeta në gjuhën frënge “La Jeune Turquie”, ka botuar, të mërkurën e 10 shtatorit 1913, në faqen 2, deklaratën e delegatit shqiptar, Filip Noga, dhënë për gazetën “Neue Frei Presse” në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, sidomos në zonën jugore.

Çfarë ka thënë më konkretisht patrioti shqiptar për median austriake ? 

Një nga delegatët e Shqipërisë, Filip Noga, që sapo ka ardhur nga Londra në Vjenë, bëri këto deklarata për Neue Frei Presse:

“Kuptohet fare lehtë se shqiptarët nuk mund të jenë të lumtur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Që në 1880, Anglia propozoi të formonte një Shqipëri autonome që përbëhej nga katër vilajete, Janina, Kosova, Manastiri dhe Shkodra, pra një Shqipëri shumë më të madhe se ajo e krijuar në Konferencën e Londrës.

Shqiptarët e konsiderojnë dhënien e territoreve me popullsi të pastër shqiptare ndaj Greqisë dhe Serbisë si një padrejtësi që Evropa u bëri atyre. Ndihemi të lënduar që Krahina e Çamërisë, e cila shtrihet deri në Prevezë, me një popullsi prej 80 mijë shqiptarësh, iu dha Greqisë.

Lexo po ashtu:  Letra e Naum Veqilharxhit patriotëve: "Po i këshilloj bashkëatdhetarët tanë që e duan memëdhenë, që ta vështrojnë me kujdes një studim filologjik, i cili u shkrua nga gazetat greke,...."

Konferenca e Londrës ka miratuar, në parim, si kufi jugor të Shqipërisë linjën e Kepit Stylos deri në Korçë dhe dhe i ka lënë komisionit ndërkombëtar detyrën për të vënë këtë vendim në ekzekutim si dhe të vendosë përfundimisht kufirin pas një vizite në këto vende.

Komisioni duhet t’i caktojë çdo fshat Shqipërisë ose Greqisë sipas popullsisë. Ky komision ndërkombëtar, ku do të përfaqësohet nga vendimarrës të Fuqive të Mëdha dhe të Shqipërisë, ende nuk është formuar. Anëtarët ende nuk janë emëruar. Por formimi i komisionit nuk mund të presë më, sepse afati i nisjes së tij është fiksuar në ditët e para të shtatorit.

Shqiptarët i janë mirënjohës Evropës për atë pak gjë që ka bërë për ta dhe shpresojnë se ajo do të riparojë dëmin që i ka shkaktuar Shqipërisë gjatë demarkacionit. Shqiptarët janë veçanërisht mirënjohës ndaj Austro–Hungarisë për mënyrën se si monarkia mbrojti Shqipërinë dhe kontribuoi në çlirimin e saj. Perandori Franz–Jozef thërritet tek ne “xhaxha” dhe “Çlirues i Shqipërisë”.

Lexo po ashtu:  Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe

Noga shprehu gjithashtu falënderimet e tij për shtypin austro-hungarez dhe kërkoi të bëjë publike lutjen e shqiptareve që Greqia të tërheqë trupat e saj nga territoret që i përkasin Shqipërisë : Korça, Gjirokastra, Himara.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *