Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vënë në qendër të akuzave më të rënda deri më sot, pasi gazeta britanike The Telegraph publikoi një raport që e ndërlidh atë drejtpërdrejt me të ashtuquajturat “safari snajperësh”, një formë e poshtër dhe e organizuar e vrasjeve të civilëve boshnjakë gjatë rrethimit të Sarajevës. Sipas gazetës, Vuçiq dyshohet të ketë qenë i pranishëm në një pozicion ushtarak mbi qytet, pikërisht aty ku turistë të pasur të huaj paguanin para marramendëse për të shtënë mbi fëmijë, gra dhe burra të paarmatosur.

The Telegraph sjell dëshmi të gazetarit kroat Domagoj Margetiq, i cili ka dorëzuar pranë prokurorisë së Milanos materiale video, fotografi dhe dokumente të kohës që, sipas tij, e vendosin Vuçiqin “pa asnjë dyshim” në qendër të aktiviteteve paraushtarake të Partisë Radikale Serbe në Sarajevë. Margetiq pretendon se njësia ku ndodhej Vuçiq ishte stacionuar në varrezat hebraike – një nga pikat kryesore të snajperëve serbë, nga ku janë vrarë mijëra civilë gjatë viteve 1992–1996.

Lexo po ashtu:  Pal Lekaj ngatërron feminizmin me fëmijërinë

Në raportimin e saj, gazeta britanike thekson edhe një video të vitit 1993 që e tregon Vuçiqin duke mbajtur në dorë atë që kritikët thonë se është pushkë. Përkrahësit e tij përpiqen ta relativizojnë këtë pamje duke pretenduar se objekti është “tripod kamere” apo edhe “çadër”, por për ekspertët e cituar nga The Telegraph këto justifikime duken të dobëta dhe kontradiktore. Ato ngjallin edhe më shumë dyshime për rolin real të Vuçiqit në zonat ku, sipas dëshmive ndërkombëtare, zhvilloheshin gjueti makabre ndaj civilëve.

Fakti që prokuroria italiane tashmë ka hapur hetim tregon se akuzat nuk janë thjesht deklarata politike. Sipas Telegraph, autoritetet në Milano po shqyrtojnë dëshmi që sugjerojnë se italianë, rusë dhe amerikanë të pasur udhëtonin drejt pozicioneve serbe për të marrë pjesë në vrasjet e civilëve, të shoqëruar nga milicitë e Radovan Karaxhiqit. Në këtë kontekst, prania e Vuçiqit në të njëjtat terrene është një akuzë që nuk mund të fshihet më me deklarata boshe.

Lexo po ashtu:  EULEX-i ka nisur bastisjen në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Negroc

Përfitimi i Vuçiqit nga pretendimi se “ai ishte vetëm gazetar” bie poshtë përpara faktit se shumë gazetarë të kohës e kanë mohuar ekzistencën e ndonjë detyre profesionale të tij në zonat paraushtarake të SRS-së. Sipas Telegraph, asnjë dokumentacion i besueshëm nuk e mbështet versionin e tij; ndërsa materiali i paraqitur nga Margetiq dhe dëshmitë e marra nga ekspertë të luftës e vendosin atë saktësisht në pikat ku turistët e pasur ekzekutonin civilë.

Edhe pse zëdhënësja e tij i ka quajtur akuzat “dezinformim të motivuar politikisht”, The Telegraph thekson se këto pretendime përkojnë me dëshmi të tjera të mbledhura nga dokumentari slloven “Sarajevo Safari” dhe nga ish-diplomatë italianë që e kanë përmendur këtë fenomen që në vitet ’90. Nëse akuzat provohen, atëherë Vuçiq mund të përballet me pasoja të rënda ligjore në disa shtete, përfshirë edhe përgjegjësi për krime lufte.

Rasti po merr dimensione të reja, dhe ndërsa institucionet ndërkombëtare po i qasen me seriozitet, një gjë po bëhet e qartë: hija e së kaluarës së Vuçiqit po bëhet gjithnjë e më e rëndë për t’u injoruar. The Telegraph ka ndezur një dritë të fortë mbi të kaluarën e tij – dhe ajo që del në pah nuk është aspak një histori e pafajësisë.

Lexo po ashtu:  Despoti Vuçiq: S’dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com