Gëzim Mekuli: Gazetaria shqipe është e sëmurë!
Gazetaria është nën presionin nga jashtë, për shembull nga fuqia e kompanive të mëdha dhe nga (mos)profesionalizimi i burimit.
Gazetaria është nën presionin edhe nga brenda, për shembull, nga kompromiset dhe nga marrëveshjet interne. Njëkohësisht, mediat janë duke u industrializuar. Por, gazetaria nuk duhet të jetë industri.
Të dashur lexues,
Gazetaria shqipe po bëhet nga amatorët e sterkënaqur të televizioneve private dhe të internetit. Pra, sot, ne mund të jemi edhe kamarier, edhe frizere, edhe shitës i djathit, e të vetëquhemi “gazetar” dhe “redaktor”.
Të dashur lexues,
– Ne kemi nevojë akute për një gazetari profesionale, për një gazetari që mund “të gatuajë” dhe sigurojë një informacion të cilësisë të lartë.
– Ne jemi të uritur për një informacion që është brumosur në përputhje me kërkesat e rregullave gazetareske.
– Ne kemi nevojë për një gazetari që është kritikëhapur ndaj burimit të informacionit dhe standardeve etike, për një informacion që është i obliguar ndaj normave të gazetarisë dhe të idealeve të saj.
I dashur lexues,
Të besosh se të gjithë janë gazetarë e gazetare vetëm e vetëm se kanë familjarë që posedojnë televizione, portale apo radio, është budallallëk i madh!
Kjo do të ishte e njëjtë sikur të besosh se ne të gjithë jemi mjekë vetëm e vetëm nëse çdo ditë pyesim njëri-tjetrin: “Si je me shëndet? A po të dhemb barku sot? A je më mire?”
Gazetaria është profesion intelektual, e jo aksidental.
Prandaj ne kemi nevojë për gazetar e gazetare që kanë aftësi e mprehtësi intelektuale për të analizuar, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për reflektimin vetanake.
– Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët me gjithë mend i kanë lexuar dhe kuptuar Rilindasit shqiptarë, romantizmin europian, dhe të paktën të ketë lexuar dhe të respektojnë kodin moral të gazetarisë, “atë prishtinase e tiranase”, ku, ndër të tjera, pa dyshim, duhet të ceket se “obligim i gazetarisë është që të hulumtojë se si mediat vetëpërmbushin rolin dhe detyrat e tyre në shoqëri”.
– “Jemi lazëm, shumë lazëm” për një gazetari që nuk lexon pyetjet e gatuara nga oligarku, nga partia, nga shoqëria e nga lakmia.
Këta gazetarë e gazetare, medoemos duhet të kuptojnë lojën e tyre për fuqinë dhe se çfarë kuptimi ka për të tjerët në shoqëri “dramaturgjia, propaganda, joserioziteti dhe teatri” që këta e prodhojnë dhe e administrojnë në hapsirën tonë publike.
Ju lodha të dashur lexues,
por në këto zhvillime dramatike, e të mëdha, që gjendet populli shqiptar, ne kemi nevojë për gazetarë të cilët i kuptojnë kufijtë e tyre, që kuptojnë politikën ekonomike, diplomatike e mediatike. Sot, siç po duket, gazetaria jonë ka rrëshqitur drejt “gazetarisë së LEK-ut”.
– Kemi përsëri nevojë për gazetarë e gazetare që e mirëkuptojnë publikun e vet, që mund të shikojnë përmbi paragjykimet klishe për konsumuesit e tyre.
– Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët janë qind për qind të sigurt me opinionet e tyre rreth asaj se çfarë dëshiron ky popull i mjeruar, i varfëruar e ende i coptuar.
Është një mungesë e madhe e gazetarëve të cilët janë në gjendje të marrin me seriozitet dhe me sinqeritet publikun e tyre dhe që mund të komunikojnë njëkohësisht me një publik të shumëllojshëm.
– Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kanë të zhvilluara mirë njohuritë për zhanrin gazetaresk dhe që kanë vetëbesim për atë që shkruajnë. Pra, ne kemi nevojë të madhe për gazetarë e gazetare që dinë diçka, që dinë më shumë sesa të bëjnë vetëm pyetje të zbrazëta e të porositura.
Por, ne NUK kemi nevojë për gazetarë e gazetare që investojnë në egon e tyre dhe që rreziten nën shkëlqimin e luksit të mediave private e të pashkolluara.
Edhe më pak, ne shqiptarët nuk kemi nevojë për gazetarë e gazetare që janë prodhim ideologjik i jugosllavistëve, titistëve, UNMIK-ut apo prodhim i oligarkisë së klaneve ballkanase.
Një pyetje për ju, Të dashur lexues,
A po ndihmon kjo gazetari që të krijohen raporte të mira, shoqërore dhe miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme mbi veprimtarinë politike, mendime të ndryshme për mundësitë e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare dhe çështjeve të tjera?
Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate. A është vetë gazetari pjesëtar i kësaj shoqërie, a ka ai përgjegjësi etike dhe morale për mirëqenien e saj?
Dhe, për të qenë konsekuent deri në fund: Mos janë duke dëmtuar, “ftohur” a “varrosur” industrialistët medialë shqiptarë vetitë dhe dhuntitë njerëzore për bisedime e komunikime “sy ndër sy” e “gju në gju”?
A mos është kjo industria më e madhe që po “tymon” sot në Kosovë, ajo që po i bën njerëzit të largohen nga njëri-tjetri e të mos përfshihen në dhënien e ndihmës?
Lexo po ashtu:  Rifat Jashari: Uroj që ushtria e Kosovës ta mbrojë vendin njëlloj si UÇK-ja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *