Nga: Qemal Mehmeti
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareDebati i stërgjatur dhe agresiv në opinionin publik dhe politikën kosovare lidhur me Gazin Natyror të Lëngshëm (LNG) amerikan ka mbetur i bllokuar në dy pole sterile: pranimit pa kushte të një infrastrukture të kushtueshme gazsjellësi, ose refuzimit total të tij me pretekstin e kostove. Megjithatë, përtej dogmës politike, ekziston një rrugë e tretë – më racionale, ekonomikisht më e favorshme dhe strategjikisht më e realizueshme për vendin tonë.
Në vend që Kosova të futet në aventurën financiare të ndërtimit të një rrjeti të ri gazsjellësish dhe infrastrukturës lokale të shpërndarjes së gazit nëpër qytete – një projekt që kërkon miliarda euro dhe madbe edhe dekadë kohë – zgjidhja qëndron tek diversifikimi inteligjent përmes Shqipërisë dhe përdorimi i teknologjisë amerikane në burimet tona ekzistuese.

Terminali i Vlorës dhe Autostrada Energjetike 400kV
Në vend që gazi të transportohet si lëndë e parë përmes gypave nëpër male drejt Kosovës, gazi LNG amerikan i dedikuar për tregun tonë duhet të ketë si pikëmbërritje terminalin e Vlorës. Në Vlorë, Kosova dhe Shqipëria mund dhe duhet të investojnë në një termocentral të përbashkët me gaz, me një kapacitet prej së paku 500 MW. Ky kapacitet do të shërbente si një shtyllë e fuqishme e stabilitetit për të dyja vendet, duke balancuar energjinë hidro të Shqipërisë me nevojat tona në kohë piku. Më e rëndësishmja: energjia e prodhuar atje do të transmetohej në Kosovë përmes linjës ekzistuese të interkoneksionit 400 kV. Kjo linjë, e cila ka kushtuar miliona euro dhe shpesh mbetet e nën-shfrytëzuar për shkak të ngatërresave tarifore, përfaqëson një “autostradë” të gatshme energjetike.
Në këtë mënyrë, Kosova e merr produktin final (energjinë elektrike) pa shpenzuar asnjë cent për gypa gazi në territorin e saj, duke shmangur humbjet në rrjet dhe rreziqet mjedisore në zona të banuara.
Gazifikimi i Thëngjillit: Modernizimi, jo braktisja e linjitit Kosova nuk mund dhe nuk duhet të heqë dorë brenda natës nga pasuria e saj më e madhe nënntokësore: linjiti. Por, ne mund ta shfrytëzojmë atë në mënyrë ekologjike dhe teknologjikisht të avancuar, duke u rreshtuar me standardet e tranzicionit të gjelbër.
Në bashkëpunim me kompani të specializuara amerikane, Kosova duhet të fokusoret në gazifikimin e thëngjillit – një proces që e shndërron linjitin në gaz sintetik (syngas) para djegies, duke eliminuar pjesën dërrmuese të emetimeve të dëmshme të karbonit dhe sulfurit. Ky proces, i pasuar nga ndërtimi eventual i një termocentrali të ri me thëngjill të pastër (Clean Coal Technology), do të garantonte pavarësinë tonë energjetike bazike bazuar në resurset tona, pa u bërë plotësisht të varur nga importi i gazit.
Përforcimi i Rjetit të shpërndarjes- distribucionit para aventurave me rrjete të reja
Para se të mendojmë për ndërtimin e një rrjeti krejtësisht të ri, kompleks dhe të panjohur për ekonominë tonë – siç është ai i shpërndarjes lokale të gazit nëpër shtëpi e fabrika – prioritet kombëtar duhet të jetë renovimi, digjitalizimi dhe përforcimi i rrjetit ekzistues të distribuimit. Rrjeti ynë aktual elektrik përballet me humbje të larta teknike dhe vështirësi në përballimin e ngarkesave gjatë muajve të dimrit. Orientimi i kapitaleve drejt forcimit të rrjetit elektrik ekzistues është shumë më i dobishëm.
Kjo infrastrukturë e fortë elektrike do ta bënte Kosovën të gatshme për të pranuar jo vetëm energjinë stabile nga Vlora, por do të hapte rrugën edhe për integrimin e vrullshëm të burimeve të ripërtëritshme vendore (diellit dhe erës), të cilat aktualisht penalizohen nga paqëndrueshmëria e rrjetit.
Pse ky vision është më i dobishëm?
Racionalitet Financiar: Kostot e pjesëmarrjes në një termocentral në Vlorë dhe modernizimi i rrjetit elektrik tonë janë shumëfish më të ulëta se sa gërmimi dhe shtrirja e rrjetit të gazit nga zeroja nëpër komunat e Kosovës.
Komplementaritet Rajonal: Shqipëria ka varësi të plotë nga uji, Kosova nga termo-energjia. Gazi në Vlorë vjen si “ura” perfekte që integron tregun tonë të përbashkët (ALPEX).
Partneriteti Strategjik me SHBA: Ky plan nuk e refuzon ofertën amerikane; përkundrazi, e ngre atë në një nivel më të lartë gjeopolitik, duke angazhuar teknologjinë dhe gazin e tyre si në bregdetin shqiptar, ashtu edhe në projektet e gazifikimit në Kosovë.
Kosova nuk e ka komoditetin e kohës dhe as të fondeve për të eksperimentuar me projekte që kërkojnë dekada për të nxjerrë rezultatin e parë. Duke e shndërruar gazin amerikan në energji elektrike në Vlorë, duke forcuar rrjetin e Distribucionit dhe duke aplikuar teknologjinë amerikane për thëngjillin tonë, ne krijojmë një triadë të pathyeshme të sigurisë energjetike.
Është koha që pragmatizmi ekonomik dhe inxhinierik të triumfojë mbi dogmatizmin dhe inercinë politike.
Autori është Msc i elektroteknikës Ish punëtor në KEK dhe KEDS , tash në pension dhe udhëheqës shumëvjeçar i Shoqatës së inxhinierëve në Prizren
