Në fund të vitit të kaluar, Kosova organizoi zgjedhjet për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Partia fituese kishte numra të mjaftueshëm për formimin e këtyre institucioneve, por jo edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!

☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare

Nexhmedin Gerguri

Opozitës, e cila prej kohësh nuk po arrin të konkurrojë me një ofertë bindëse politike, iu duk se kishte ardhur momenti historik për t’u rikthyer në skenë, qoftë edhe përmes bojkotit. E pasigurt në vetvete dhe me frikën se mund të zgjidhej president edhe ndonjë kandidat i afërt me të, ajo bojkotoi jo vetëm votimin e kandidatëve të propozuar nga pozita, por edhe mundësinë për të ofruar kandidatë nga radhët e veta.
Kështu, në vend se të shfaqej si alternativë qeverisëse, opozita u shndërrua në kundërshtarin më të madh të vetes. Duke mos prodhuar ide, kandidatë apo zgjidhje, ajo mbeti me një kauzë të vetme: bllokimin. Me gjasë, e njëjta situatë mund të përsëritet edhe në vjeshtën e këtij viti, kur çështja e presidentit të rikthehet sërish në rend të ditës.

Lexo po ashtu:  Shqipëria komuniste dhe dosja për Ibrahim Rugovën në vitet 1968-1988

Për të shmangur këtë cikël të pafund politik, ndoshta Kosovës nuk i mbetet tjetër veçse të ndjekë shembullin e kohëve moderne dhe, si në eksperimentet e Inteligjencës Artificiale që po shohim gjithandej, të “zgjedhë” një president të krijuar nga IA-ja. Kështu do të zgjidhej njëherë e mirë problemi i emrave, i preferencave dhe i akuzave për afërsi politike. Nuk do të kishim më as “noter” të kryeministrit, as përkrahës të fshehtë të opozitës, por një figurë krejtësisht neutrale, pa emocione, pa ambicie dhe pa instinkte politike.

Mirëpo edhe këtu do të lindte një problem. Sipas logjikës së deritanishme, opozita me siguri do të deklaronte se algoritmet janë manipuluar nga kryeministri. Si inxhinier i elektronikës dhe si njeri që kontrollon mekanizmat e pushtetit, ai, sipas teorive përkatëse, do të kishte arritur të ndikonte edhe mbi presidentin e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

Kështu, presidenti artificial do të bëhej shkak për teori të reja konspirative, për hetime të laptopëve të ministrive, për afera të stilit “Watergate” dhe për mistere që do t’ua kalonin edhe enigmave të Edgar Allan Poe-s në “Brumbulli i Artë”.

Lexo po ashtu:  QOSJA: SHIKONI, DEGJONI, LEXONI E MENDONI

Sërish loja e shumës zero: fitorja e tjetrit si humbja ime, kompromisi si tradhti, dhe pyetja se kush e bëri i pari më e rëndësishme se pyetja se si zgjidhet problemi. Pastaj konspiracioni vazhdon pafundësisht.
Prandaj mbetet të presim alternativa të tjera. Ndoshta zgjidhja do të na vijë nga Koha e Gurit, kur prijësi i fisit nuk zgjidhej me vota, algoritme apo koalicione, por sipas aftësisë për të gjuajtur më mirë se të tjerët.

Seuzach, 21.6.2026

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com