Reagim publik nga Edita Mekuli
Një dokument «fantazmë» që mbylli rastin e hapur gjyqësor. Tagjikomedia e drejtësisë kosovare
Të hënën që shkoi, nëna ime ishte sërish në gjykatë. Jo për herë të dytë, as të tretë, por për të 20-tën herë.
Po, për të 20-ën herë shkoi për të dëgjuar të njëjtat fjalë e «arsyetime», të njëjtat vonesa dhe të njëjtën frazë: «Vazhdojmë herën tjetër».
Ky proces nisi në vitin 2021, por padia është dorëzuar që në vitin 2007. Janë 18 vjet pritje pë një drejtësi që nuk di më nga ia mban. Në vend të drejtësisë, na duhet durim olimpik.
Për këtë rast, mund ta quaj tragjik, ka shkruar edhe organizata «Betimi për Drejtësi» se si kjo histori mund të shërbejë si manual i asaj se si një sistem gjyqësor nuk funksionon. Por ajo që po ndodh tani tejkalon çdo logjikë njerëzore dhe, më duket, edhe të Zotit.
Seancat po zhvillohen tashmë në Prishtinë. Aty ishte edhe nëna ime 79 vjeçare për të 20-ën herë, në procesin kundër kompanisë ndërtimore «Durante Group SH.P.K.», me pronar Bujar Goranin. Kjo kompani ka filluar së ndërtuari një objekt banimi në Mitrovicë, në pronën tonë familjare, me një marrëveshje që kurrë nuk u respektua nga ana e tij.
Për shkak të kësaj, ne si familje, e kemi paditur edhe vetë Bujar Goranin si person fizik, (nëpërmes avokatit tonë Musa Damatit) jo vetëm si përfaqësues të «Durante Group», sepse objekti ndodhet në Mitrovicë dhe ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në marrëdhëniet kontraktuale. Logjika themelore: toka është aty, ndërtimi është aty; aty duhet të zhvillohet edhe gjyqi.
Do të thotë se padia jonë me numrin e lëndës C.nr. 848/14 që po zhvillohet në Prishtinë, është zgjeruar edhe në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, për shkak se objekti është aty.
Megjithatë, Gjykata Themelore e Mitrovicës hodhi poshtë padinë e zgjeruar, me arsyetimin se «çështja është e gjykuar më parë». Sepse Bujar Gorani ka dorëzuar një vendim të datës 3 shkurt 2025, që nga përmbajtja është i paqartë, se për çfarë bëhet fjalë në këtë aktvendim të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Këtu duhet të jeni të vemëndshëm: më 20 tetor 2025, Bujar Gorani ishte personalisht në seancë në Prishtinë, në të njëjtën sallë me nënën time. Pra, njeriu që thotë «gjykimi ka përfunduar», ishte vetë brenda në seancën gjygjësore që, sipas tij, «s’ka ekzistuar më».
Në realitet, ne posedojmë procesverbalin zyrtar të seancës së datës 20 tetor 2025, e cila vërteton qartë se Bujar Gorani dhe nëna ime ishin të pranishëm personalisht në atë seancë në Prishtinë.
Poashtu, ne posedojmë edhe vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku është përdorur ky dokument i paqartë nga Bujar Gorani, si bazë për të refuzuar padinë e zgjeruar.
Të dy këto dokumente (procesverbali nga Prishtina dhe vendimi i Gjykatës në Mitrovicë) janë të bashkangjitura më poshtë), që e dëshmojnë në mënyrë të qartë këtë absurditet gjygjësor.
Më skandalozja: ai dokument «fantazmë» figuron në sistemin SMIL si vendim i formës së prerë. Pra, në vend të provave, kemi një skemë ku futet një dokument dhe, befasisht, çështja gjyqësore shpallet «e zgjidhur». Nëse nuk ke vendim të vërtetë, s’ka problem: e futë dikush në sistem të SMIL dhe bëhet res iudicata.
Në sistemin gjygjësor të Kosovës nuk na duhet magji; mjafton të kesh qasje në SMIL.
Por kush mban përgjegjësi për këtë farsë? Këtu hyn Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK). Jo për të mbajtur konferenca, por për t’i dhënë përgjegjësi dikujt: kush e futi atë dokument në sistemin SMIL? Kush e verifikoi? Kush është ai apo ajo që e pranoi këtë dokument të falsifikuar si «vendim të formës së prerë»? Nëse ata nuk e dinë, le t’i pyesin kompjuterët, sepse njerëzit duket se nuk janë të informuar.
Në këtë vend, drejtësia nuk është e verbër. Është e hutuar. Shkon në Prishtinë, vjen në Mitrovicë dhe rrugës humb arsyen.
Një palë dorëzon dokumentet e paverifikuara, tjetra i fut ato faksifikime pa kontroll, dhe qytetari rri e pret si në thënjen tonë popullore «prit gomar sa të del barë». 18 vjet pritje për shtëpinë tënde, 40 seanca koti, dy qytete dhe një dokument që fluturon vetë në sistemin SMIL. Në Prishtinë seanca gjyqësore ende vazhdon e në Mitrovicë rezulton si «seancë e përfunduar».
Kështu funksionon «Drejtësia Made in Kosova»: kur ska zgjidhje, shpiket një dokument. Por këtu dikush duhet të jep përgjegjësi penale, morale, juridike dhe ekonomike.
📎 [Linku i “Betimi për Drejtësi” këtu]
Nëse mendoni se kjo histori s’duhet të kalojë në heshtje — JU LUTEM, SHPËRNDAJENI.
Sepse nesër, në vend të nënës sime 79 vjeçare që për 18 vite sorrollatet dyerve të gjykatave për shtëpinë e vet, nesër mund të jetë nëna juaj, ti apo dikush tjetër; dhe drejtësia përsëri do të rezultojë «e përfunduar» sërish, vetëm sepse dikush ka miq e jarana dhe e shpërndan një dokument të paqenë.
Faktet i gjeni këtu:
Dokumenti 1. Procesverbali i vazhdimit të seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës
Dokumenti 2 (a dhe b). Vendimi i Gjykatës themelore në Mitrovicë



